Mjeksia-Grup
Faliminderit per viziten!

Nese keni deshire qe te i lexoni te gjitha seksionet e forumit ju sygjerojm qe te regjistroheni, seksionet te cilat nuk mund te i leconi pa u regjistruar jane: Prodhime Tona, Libra Shqipë, Libra te huaj, Seminare Mjeksore, Teste te Provimeve etj. Andaj behu pjese e jona, regjistrimi juaj ndihm per dike.

Me rrespekt Saffi i M-G


Www.Mjeksia-Grup.tk
Www.Mjeksia-Grup.com
Www.Mjeksia-Grup.yforum.biz



Mjeksia-Grup


Share | 
 

 Histori e Letërsisë Shqiptare

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë 
Shko tek faqja : Previous  1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8  Next
AutoriMesazh
dr.FjoollaaH™
WebMaster
WebMaster


<b>Postime</b> Postime: 9044

MesazhTitulli: Re: Histori e Letërsisë Shqiptare   Sun Jun 20, 2010 5:36 pm

<BLOCKQUOTE>Kot u rrek njeri gjithnduersh per të diktuem
Se kû i ká shtonet e veta lumnija!
Në daç shoq me kênë me Zotin e mishnuem,
'Kalo tuj bâ mirë!' - kshtu urdhnon Perendija!"
</BLOCKQUOTE>Valët e nji shpirtit, me 1533 vargje, e vitit 1934 u kushtohet perandorëve romakë me prejardhje ilire, sidomos Konstandinit të Madh (mbretëroi 307-337), i cili futi krishterimin në Evropë. Viti 1937 qe mjaft prodhimtar për Palajn. Atë vit ai botoi: Moskë - Alkazar, me 893 vargje, për rrethimin e akademisë ushtarake Alkazar në Toledo kur po shpërthente lufta civile në Spanjë, një ngjarje në korrik 1936 që tronditi keqas pjesën profashiste të klerit katolik të Evropës jugore; Vorreve të flamurit dhe Kuq e zi, himne kombëtare me rastin e njëzetepesë- vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, në të cilat poeti i bën thirrje zanës për të nderuar varret e dëshmorëve të kombit.Ndërmjet të Shën Gjergjavet, me 1184 vargje, shkruar më 1938,përmban skena të freskëta baritore me dritë e ngjyrë në prag të ditës së Shën Gjergjit në pranverë. Nga respekti për mësuesin e tij Gjergj Fishta, Palaj nuk shkroi mjaft poezi epike, edhe pse afria me botën magjike të rapsodive të Mujit e të Halilit i pati zgjuar talentin dhe prirjet për atë lloj poezie. Fishta vdiq më 30 dhjetor 1940, ngjarje që e preku thellë Palajn. Me këtë rast ai shkroi për nder të tij elegjinë me 1180 vargje Kah nata e vetme. Edhe këtu kemi përsëri zanën, muzën e adhuruar të Fishtës e të kombit shqiptar, që vajton për fatin mizor dhe vetminë e varrit sipas traditës së gjâmës, këngëve të vajtimit të letërsisë gojore gege. Poezia e Palajt është redaktuar nga Angjela Çirinçone (Angela Cirrincione) në vëllimin shqip-italisht Opere, Romë 1969 (Vepra).

Në vitet e luftës, Palaj botoi edhe një numër studimesh etnografike për kanunin, mitet dhe legjendat. Në vjeshtë 1944, pasi kishte humbur çdo shpresë se forcat antikomuniste mund të fitonin dhe duke e ndier se fundi qe afër, iu zbraz Karl Gurakuqit (1895-1971) me lotë në sy:
<BLOCKQUOTE>"Do të tërhiqem në nji famulli të malevet të mija të dashuna dhe aty ku mbahet gjallë fryma e shpirti arbnuer, në kontakt me popullin e thjeshtë, do të vijoj punën e nisun tash sa e sa vjetë, tue e gjurmue në historìn, në folklorën e sidomos në Kanunin. Do të përplotsoj e do të sistemoj rapsodìt, qi unë i kam mbledhë me kujdes tash sa kohë. (34)"</BLOCKQUOTE>Bernardin Palaj u arrestua në Shkodër, u keqtrajtua rëndë e u dënua me vdekje për tradhti. Vdiq në dhjetor 1947 në një burg të Shkodrës. Këta tre poetë katolikë, Vinçenc Prennushi, Lazër Shantoja dhe Bernardin Palaj mund të themi se simbolizojnë një numër të madh studiuesish dhe shkrimtarësh të dorës së dytë nga gjiri i klerit katolik, që qenë aktivë në fushën e kulturës e të arsimit deri më 1944 dhe që dhanë ndihmesë të rëndësishme për letrat shqiptare. Vdekja e këtyre tre burrave, krahas vdekjes së dialektit gegë si gjuhë letrare, simbolizon gjithashtu fundin e shkrimit katolik shkodran si rrymë në letërsinë shqiptare e madje edhe të epokës së artë të kulturës katolike shkodrane në Shqipëri.

Por jo vetëm poetët katolikë do të vuanin në duart e sundimtarëve të rinj antiintelektualë. Gjergj Bubani (1899-1954), i njohur edhe si Jorgji Bubani, ishte një poet toskë, që studioi në Athinë. Madje vjershat e para i shkroi greqisht. Pasi u shpërngul në Rumani, e cila tërhoqi mjaft intelektualë shqiptarë në dekadat e para të shekullit të njëzetë, Bubani punoi për të përjavshmen kombëtare shqiptare Shqipëri' e re, e botuar në fillim në Bukuresht, kurse nga korriku 1920 në Konstancë prej studiuesit Ilo Mitkë Qafëzezi (1889-1964). Në janar 1922 hapi një organ periodik të ri me emrin Dodona, sipas emrit të orakullit grek të lashtësisë në Epir, kurse në mars 1926 hapi revistën Zëri shqipëtar, që pati jetë të shkurtër. Gjithashtu punoi

__________________________________________________ _________________

34 L'Albanie libre, 25 tetor 1953, f. 3.
__________________________________________________ _________________

si sekretar i konsullatës shqiptare në Konstancë e më pas për njëfarë kohe në konsullatën në Sofje. U kthye në Konstancë buzë Detit të Zi dhe u bë kryeredaktor i gazetës Shqipëri' e re, në të cilën bashkëpunoi me artikuj të nënshkruar me nofkën Brúmbulli. Bash në këtë gazetë dhe në Dodona dolën vjershat e para satirike të tij. Bubani gjithashtu përktheu pjesë teatrore e tregime nga rusishtja dhe rumanishtja, sidomos vepra të Viktor Eftimiut (1889-1972), dramaturg rumun me prejardhje shqiptare. Gjergj Bubani, shkrimet letrare të të cilit ende nuk janë mbledhur e redaktuar në formën e një vëllimi, nuk arriti për fat të keq të shohë ndonjë kulm të krijimtarisë së tij letrare. Me t'u kthyer në Shqipëri më 1945, u arrestua me akuzën e bashkëpunimit politik dhe u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg, ku edhe vdiq.

Poeti satirik dhe diplomati Ali Asllani (1884-1966) (35) nga Vlora është autori i njërës prej veprave poetike më të këndshme të letërsisë parakomuniste shqiptare, i poemës rrëfimtare me frymë të ngrohtë popullore e familjare Hanko Halla, Tiranë 1942. Asllani u shkollua në Janinë dhe në Stamboll para se të punonte si nëpunës në administratën osmane. Më 1912 ai bashkëpunoi me qeverinë e parë të pavarur shqiptare të Ismail Qemal bej Vlorës (1844-1919), kurse më pas pati disa detyra shtetërore. Në vitet tridhjetë ai përfaqësoi Shqipërinë në misionet diplomatike jashtë, si konsull në Trieste e si ambasador në Sofje dhe në Athinë. Ndonëse Asllani ka shkruar disa lirika dashurie të ndjera (36), ai përmendet në radhë të parë për Hanko Hallën me ritmin e gjallë njëmbëdhjetërrokësh e me fjalorin e pasur popullor. Ky rrëfim plot humor në vargje pasqyron mundimet dhe frikën e një zonje energjike nga derë e madhe, që është vazhdimisht në mospajtim me modat e mënyrat e reja të jetesës. E rritur në një shoqëri patriarkale tradicionale, ajo mbetet gojëhapur nga risitë që sjell në jetë rinia, e njëherazi vë në lojë konservatorizmin e vet. Hanko Halla hyn në radhën e poezisë më të mirë të këtij zhanri në letërsinë shqiptare.

Një poet shkodran, që ndryshe nga të tjerë nuk ishte pjesëtar i klerit katolik, ishte Gaspër Pali(1916-1942). I lindur në Shkodër më 14 gusht 1916, Pali botoi vjershën e parë të brishtë në moshën njëzetvjeçare në të përdyjavëshmen e Korçës Rilindja. Më 1940 kreu studimet për letërsi në Firence dhe u kthye në Shkodër, ku punoi si mësues në gjimnazin e shtetit më 1941-1942. Pas dy vjetësh u mposht nga tuberkulozi, mjaft i përhapur në Shqipërinë e veriut në atë kohë. Nëntëmbëdhjetë vjershat e Palit u botuan në vëllimin Hyjt mbi greminë, Tiranë 1959. Ndër to gjenden vjersha meditative e intime të mallit për Shkodrën, por poezia e tij ndryshon në thelb nga shfrimet sentimentale për kombin të epokës së Rilindjes. Pali ishte poet i kohës së vet dhe një poet në zhvillim. Karriera e tij e shkurtër si mësues e si shkrimtar u mbyll shumë shpejt më 21 korrik 1942, kur vdiq në moshën njëzet e gjashtë vjeç.

Nga Vlora është poeti Nexhat Hakiu (1917-1978), i njohur edhe si Nexhat Haki Mahmudi, autor i një vëllimi me poezi të gjallë e spontane me titull Këngët e zambares, Tiranë 1939, një përmbledhje e ribotuar më pas me titullin Zëri i fyellit, Tiranë 1959. Më vonë, Hakiu, poezia e të cilit është me ndikim të fortë nga poezia gojore toske, botoi edhe vëllimin Fjala ime, Tiranë 1961, por që pati sukses më pak.

Ndër shumë poetë aktivë para ardhjes në pushtet të komunistëve mund të përmenden: Kristaq Cepa (1908-1988), satirik i majtë nga Korça, i njohur në mes të viteve tridhjetë me pseudonimin Kapa; Vedat Kokona (l. 1913), prozator dhe përkthyes i shkolluar në Francë; Petro Marko (1913-1991), anarkist dhe veteran i luftës civile të Spanjës, të cilit Migjeni i pati thënë: "Vajtja jote në Spanjë është poema jote më e bukur"; Andrea Varfi (1914-1992), poet i majtë që, edhe pse u burgos së bashku me Petro Markon pas luftës, u bë ndër shkrimtarët kryesorë të realizmit socialist; Veli Stafa (1914-1939), revolucionar komunist i njohur në

__________________________________________________ _________________

35 Ditëlindja e Asllanit jepet e ndryshme, herë 1882 e herë 1884.

36 kr. Plasari 1991a.
__________________________________________________ _________________

shkrime me emrin Platonicus, që vdiq nga tuberkulozi në moshë të re; i vëllai Qemal Stafa (1920-1942), figurë revolucionare dhe autor poezish e skicash në prozë, nën pseudonimin Brutus; Dhimitër Shuteriqi (l.1915) nga Elbasani, që më pas do të bëhej historian letrar 'zyrtar' i Shqipërisë socialiste; Aleks Çaçi (1916-1989), poet i viteve të para të realizmit socialist; Arshi Pipa (l. 1921), studiues dhe kritik, që u burgos për dhjetë vjet pas lufte dhe u arratis më 1958 në Shtetet e Bashkuara; Vehbi Bala (1923-1990) nga Shkodra; Jusuf Luzaj (l. 1913), autor i përmbledhjes sentimentale me 293 faqe Rrëfimet, Korçë 1937; gazetari Thanas Konomi; Manush Peshkëpia (1910-1951), i burgosur e më pas i pushkatuar gjatë reprazaljeve pas bombës së hedhur në ambasadën sovjetike në shkurt 1951; i vëllai Nexhat Peshkëpia (1908-1970); dhe juristi Kudret Kokoshi (vd. 1991) nga Vlora, i burgosur edhe nga fashistët, dhe më pas nga komunistët.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://www.mjeksia-grup.tk
dr.FjoollaaH™
WebMaster
WebMaster


<b>Postime</b> Postime: 9044

MesazhTitulli: Re: Histori e Letërsisë Shqiptare   Sun Jun 20, 2010 5:37 pm

10.7 Ernest Koliqi, Mitrush Kuteli dhe proza e periudhës së pavarësisë




Poezia ka zënë kurdoherë kryet e vendit në letërsinë shqiptare. Një nga mospërputhjet më të dukshme në zhvillimin historik të shkrimit shqip ka qenë ajo midis zhvillimit të vrullshëm të poezisë dhe ecjes jashtëzakonisht të ngadalshme të prozës. Këtë dukuri e vemë re që nga letërsia e vjetër e shekujve të gjashtëmbëdhjetë dhe shtatëmbëdhjetë deri në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë. Edhe pse autorët klasikë të shekullit të shtatëmbëdhjetë, në veçanti Pjetër Budi (1566-1622) dhe Pjetër Bogdani (rreth 1630-1689) hodhën vërtet themelet e prozës shqiptare me përkthime fetare e me proza origjinale me nivel artistik, proza letrare origjinale deri në fillim të shekullit të njëzetë mbeti një dukuri anësore. Romanet e para shqiptare, krijime të gjysmës së dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, ose qenë shkruar në gjuhë të huaja si ai i Sami Frashërit në turqishte TaaÕÕuk-u Tal'at ve Fitnat (Dashuria e Talatit me Fitneten) i botuar më 1872, dhe si ai i Pashko Vasës në frëngjishte Bardha de Témal, scènes de la vie albanaise, Paris1890 (Bardha e Temalit, skena nga jeta shqiptare), ose mbetën të pabotuara, si ai i Françesk Antonio Santorit Sofia Kominiate, me 282 faqe dhe i papërfunduar. Gazetaria e fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë dha mundësi për të hedhur themele të forta për prozën moderne, ndonëse grupi i parë i prozës së vërtetë letrare doli vetëm në fillim të shekullit të njëzetë me veprat e dom Ndoc Nikajt (1864-1951) nga Shkodra. Mjaft nga autorët e Rilindjes, si Mihal Grameno (1871-1931) dhe Mid'hat Frashëri (1880-1949) ishin marrë diçka me prozë, por niveli i kënaqshëm artistik në të vërtetë u arrit vetëm pas shpalljes së pavarësisë, me sprovat e Faik bej Konicës (1875-1942) dhe veprat e Fan Nolit (1882-1965). Për fat të keq, edhe pse Konica dhe Noli ishin shkrimtarë me talent të madh e të fuqishëm, asnjëri prej tyre nuk i kushtoi shumë mund krijimtarisë letrare në prozë.

Në periudhën e pavarësisë u pa një rritje e menjëhershme në vëllimin e në gamën e prozës së shkruar e të botuar në Shqipëri, në të dy dialektet - të gegërishtes e të toskërishtes. Kulmi i kësaj periudhe të letërsisë shqiptare ishte në vitet tridhjetë e në fillim të viteve dyzet, kur intelektualë në Shkodër, Tiranë e gjetkë, pasi ishin njohur me shumë ide e modele të botës së jashtme, nisën të krijojnë në prozë, dramë e natyrisht në poezi, vepra me vlera më të mëdha për Shqipërinë si një vend evropian në zhvillim.

Nga të gjithë prozatorët e periudhës, askush nuk qe më i madh e më i fuqishëm se Ernest Koliqi (37) (1903-1975). Koliqi lindi në Shkodër më 20 maj 1903, kurse shkollën e kreu në kolegjin jezuit Ariçe të qytetit Breshia në Lombardi, ku u njoh me kulturën dhe letërsinë italiane e ku nisi të shkruajë së pari poezi, tregime të shkurtra dhe komedi italisht. Në Bergamo ai me disa bashkënxënës themeluan një gazetë studentore, të përjavshme me emrin Noi, giovanni (Ne,të rinjtë), ku dhe dolën vjershat e tij të para. Me formimin e qeverisë së re regjente të Shqipërisë të kryesuar nga Sulejman pashë Delvina (1884-1932) dhe me kthimin në dukje të stabilitetit në vend me Kongresin e Lushnjës (28-31 janar 1920), Ernesti i ri u kthye në Shkodër për të rizbuluar, madje për të rimësuar, gjuhën amtare dhe kulturën e kohës së fëminisë në një vend sërish të pavarur. Mësuesi i tij, imzot Luigj Bumçi (1872-1945), i cili kishte qenë kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris më 1919, e njohu Ernestin me disa nga përkrahësit kryesorë të një brezi të ri në kulturën shkodrane: Kolë Thaçi (1886-1941), Kolë Kamsi (1886-1960), Lazër Shantoja (1892-1945) dhe Karl Gurakuqi (1895-1971).

Pas shkretimeve të Luftës së Parë Botërore Shqipëria kishte nevojë më shumë për dije, dhe për këtë qëllim Koliqi vendosi të hapë një gazetë. Kështu, së bashku me Anton Harapin (1888-1946) dhe Nush Topallin, ai themeloi të përjavshmen opozitare Ora e maleve, numri i parë i së cilës doli në Shkodër më 15 prill 1923. Ora e maleve ishte organ i Partisë Demokratike Katolike, që me mbështetjen e klerit katolik kishte fituar zgjedhjet në Shkodër. Ky periodik, ndonëse jetëshkurtër, u përhap gjerësisht në Shkodër e më tej. Vitin tjetër, pasi kishte fituar një farë përvoje dhe si një poet i ri midis figurave më të njohura politike e letrare të kohës si Gjergj Fishta (1871-1940), Luigj Gurakuqi (1879-1925), Mid'hat Frashëri (1880-1949) dhe Fan Noli (1882-1965), Ernest Koliqi botoi një të quajtur poem dramatik me titull Kushtrimi i Skanderbeut, Tiranë 1924. Ajo përmban një radhë odesh për heroin kombëtar të Shqipërisë e
për figura të tjera të mëdha të së kaluarës, të krijuara sipas traditës së letërsisë së Rilindjes.

Jeta politike dhe ekonomike e Shqipërisë vazhdoi të ishte rrëmujë në fillim të viteve njëzet. Në dhjetor 1924 çifligari konservator Ahmet Zogu (1895-1961) mori fuqinë me një grusht shteti, duke shtrënguar Koliqin dhe shumë intelektualë të tjerë të shquar të emigronin. Koliqi iku në Jugosllavi, ku e internuan në Tuzla, në Bosnjën verilindore. Jetoi gjithsej pesë vjet në mërgim në Jugosllavi, prej tyre tre vjet në Tuzla, ku pjesën më të madhe të kohës e kaloi me krerë të fiseve të malësisë shqiptare të veriut, që edhe ata ishin në mërgim. Prej tyre mësoi mjaft për zakonet e lashta, letërsinë gojore dhe tiparet heroike të mënyrës së tyre të jetesës. Këto vite do të kishin ndikim të thellë në karrierën e mëvonëshme akademike e letrare të tij. Nga viti 1930 deri më 1933 ishte mësues në një shkollë tregtare në Vlorë dhe në gjimnazin e shtetit në Shkodër, derisa u shtrëngua, përsëri për rrethana politike, të largohet në Itali.

Formimi i qëndrueshëm jezuit i dha mundësi që në fillim Ernest Koliqit të shërbejë si ndërmjetës kulturor midis Italisë dhe Shqipërisë. Më pas ai do të luante një rol kyç në paraqitjen e kulturës shqiptare publikut italian duke botuar, përveç shumë e shumë artikujsh studimorë për çështje të historisë e të letërsisë, edhe monografitë: Poesia popolare albanese, Firence 1957 (Poezia popullore shqiptare), Antologia della lirica albanese, Milano 1963 (Antologji e lirikës shqiptare), dhe Saggi di letteratura albanese, Firence 1972 (Sprova për letërsinë shqiptare). Në mesin e viteve tridhjetë ai ishte marrë me transmetimin e kulturës në drejtimin e kundërt. Kishte botuar një antologji mjaft të pasur, në dy vëllime, të poezisë italiane, me titullin Poetët e mëdhej t'Italis, Tiranë 1932, 1936, për ta njohur brezin e ri të intelektualëve shqiptarë, të etur për të zbuluar botën, me letërsinë italiane. Vëllimi i parë përmbante përkthimet e bukura nga Koliqi të klasikëve: Dante Aligieri (1265-1321), Françesko Petrarka (1304-1374), Ludoviko Ariosto

__________________________________________________ _________________

37 kr. Guzzetta 1968, Bartl 1973, Gradilone 1969, 1974, f. 230-272, Shêjzat numër përkujtimor 1976, Plasari 1991c, 1996b, S. Schwartz 1992, S. Çapaliku (red.) 1995, dhe A. Berisha 1995.
__________________________________________________ _________________

(1474-1533), dhe Torkuato Taso (1544-1595), kurse vëllimi i dytë, me një nivel po aq të qëlluar, përmbante përkthime poetësh të shekujve të shtatëmbëdhjetë e tetëmbëdhjetë: Xhuzepe Parini (1729-1799), Vinçenco Monti (1754-1828), Ugo Foskolo (1778-1827) dhe Alesandro Manzoni (1785-1873). Në moshën tridhjetë vjeç Koliqi u regjistrua në Universitetin e Padovës më 1933. Pas pesë vjet studimesh pranë gjuhëtarit Karlo Taliavini (Carlo Tagliavini, 1903-1983) dhe punës si pedagog i gjuhës shqipe në atë universitet, ai mbrojti më 1937 tezën Epica popolare albanese (Epika popullore shqiptare). Edhe pse me punë në Padovë, ai nuk i shkëputi lidhjet me Shqipërinë dhe bashkëpunoi me redaksinë e së përjavshmes së shquar kulturore Illyria, e cila nisi të dalë në Tiranë më 4 mars 1934. Tanimë Koliqi qe një albanolog i njohur, ndoshta specialisti kryesor i studimeve shqiptare në Itali. Më 1939, ndërsa mbi Evropë po mblidheshin retë e luftës, ai u emërua në katedrën e gjuhës e të letërsisë shqipe të Universitetit të Romës, që ishte në zemër të perandorisë së re mesdhetare të Musolinit.

Ndjenjat e forta të afrisë së Koliqit për Italinë dhe kulturën italiane, sidomos për poetë të tillë si Xhozue Karduçi (1835-1907), Xhovani Paskoli (1855-1912) dhe Gabriele d'Anuncio (1863-1938) mund ta kenë shtyrë të pranonte synimet ekspansioniste të Italisë fashiste. Ndonëse të paktë qenë shkrimtarët shqiptarë, si Vangjel Koça (1900-1943) dhe Vasil Alarupi (1908-1977), që u bënë përkrahës të vërtetë të fashizmit, disa të tjerë, megjithëse në përgjithësi kundër ndërhyrjes së huaj në çështjet shqiptare, tek tutela e Italisë shihnin një farë avantazhi. Sidoqoftë, Ernest Koliqi dhe intelektualë të tjerë të kohës qenë të shtrënguar të pajtoheshin në këtë apo atë mënyrë me dilemën politike e kulturore të rritjes së ndikimit të Italisë në Shqipëri, e cila përfundoi të premten e Pashkëve më 1939 me pushtimin dhe aneksimin ushtarak të këtij vendi të vogël të Ballkanit. Po aq nacionalist sa çdo nacionalist tjetër shqiptar, Koliqi, tani éminence grise e vendit, vendosi të shfrytëzojë realitetin me të cilin po përballej e të bëjë ç'është e mundur për të zhvilluar më tej kulturën shqiptare nën sundimin italian. Duke pranuar funksionin e ministrit të arsimit nga viti 1939 deri më 1941, për habinë e shtresave të gjera të popullsisë, ai ndihmoi për shembull për botimin historik të një antologjie të rëndësishme të letërsisë shqiptare në dy vëllime, Shkrimtarët shqiptarë, Tiranë 1941, redaktuar nga Namik Ressuli (1908-1985) dhe Karl Gurakuqi, një botim për të cilin punuan studiuesit më të mirë të kohës, dhe që nuk është kapërcyer edhe sot e kësaj dite. Në korrik 1940 themeloi dhe drejtoi të përmuajshmen letrare e artistike Shkëndija në Tiranë. Nën drejtimin e Koliqit si ministër, shkollat në gjuhën shqipe, që nën sundimin serb kishin qenë nxjerrë jashtë ligjit, u hapën për herë të parë në Kosovë, e cila u ribashkua me Shqipërinë gjatë viteve të Luftës.

Koliqi gjithashtu ndihmoi për hapjen e një shkolle të mesme në Prishtinë dhe për dërgimin e studentëve nga Kosova me bursë në Itali e Austri. Po ashtu, Koliqi u përpoq të shpëtojë nga duart e nazistëve Norbert Joklin (1877-1942), albanologun e shquar austriak me prejardhje çifute, duke i ofruar punë si mësues në Shqipëri (38). Nga 1942 deri më 1943 Koliqi ishte kryetar i Istitutit të Studimevet Shqiptare të sapoformuar në Tiranë, pararendës i Akademisë së Shkencave. Më 1943, në prag të fundit të perandorisë musoliniane, ai pasoi Terenc Toçin (39) (1880-1945) si kryetar i Këshillit të Lartë Fashist në Tiranë, funksion që natyrisht nuk u pa me sy të mirë nga forcat fitimtare komuniste që 'e çliruan' Tiranën në nëntor 1944. Pas disfatës së fashizmit, Koliqi ia doli të arratiset përsëri në Itali, ku jetoi derisa vdiq më 15 janar 1975. Edhe në këto vite të fundit të jetës së tij, ai ishte mjaft aktiv në fushën e letërsisë dhe të kulturës. Në Romë Ernest Koliqi botoi periodikun e njohur letrar Shêjzat / Le Plèiadi nga 1957 deri më 1973. Shêjzat ishte në atë kohë revista kryesore letrare në gjuhën shqipe. Kjo revistë jo

__________________________________________________ _________________

38 kr. Stadtmüller 1971, f. 55.

39 kr. R. Tocci 1977, 1996.
__________________________________________________ _________________

_______________________
L.VETEVENDOSJE!
Feja e Shqiptarit është Shqiptaria
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://www.mjeksia-grup.tk
dr.FjoollaaH™
WebMaster
WebMaster


<b>Postime</b> Postime: 9044

MesazhTitulli: Re: Histori e Letërsisë Shqiptare   Sun Jun 20, 2010 5:37 pm

vetëm që ndiqte zhvillimet letrare bashkëkohëse në botën shqipfolëse, por edhe u bë tribunë e letërsisë arbëreshe dhe vazhdoi të mbrojë trashëgiminë letrare të autorëve të paraluftës, mjaft prej tyre vdekur, e të tjerë në mërgim, të cilët qenë marrë keq nëpër këmbë nga kritikët komunistë në Tiranë. Ernest Koliqi shërbeu si një zë i largët opozitar ndaj shkatërrimit kulturor të Shqipërisë nën sundimin enverist. Për shkak të veprimtarisë së tij dhe të mbështetjes të paktën pasive për sundimin fashist dhe pushtimin italian, Koliqi u godit rëndë nga autoritetet shqiptare të pasluftës, madje edhe më fort se Gjergj Fishta, i cili për fatin e tij të mirë kishte vdekur. Koliqi konsiderohej si ithtari kryesor i letërsisë borgjeze, reaksionare dhe fashiste. Historia e letërsisë shqiptare me frymë partiake e vitit 1983 e zë në gojë vetëm shkarazi si "tradhtarin Koliqi" (40), kurse jo më herët se viti 1990, Ismail Kadare shkroi për të pakëz më ndryshe: "Ndër shkrimtarët reaksionarë veriorë, Ernest Koliqi i drejtimit proevropian (d.m.th. proitalian), ishte shembull tipik se si një talent mund të vritej nga përqafimi i ideve fashiste. Zgjedhja e gabuar e kampit politik, që e çoi dalëngadalë nga simpatia e parë për fashizmin në postin e ministrit të qeverisë kolaboracioniste, ishte fatale për të." (41)

Për herë të parë Ernest Koliqi bëri emër si prozator me përmbledhjen Hija e maleve, Zadar 1929, me dymbëdhjetë tregime për jetën e kohës në Shkodër e në malësinë e Shqipërisë së veriut. Trajtimi pak a shumë realist dhe analiza psikologjike e karaktereve njerëzore nuk u prit edhe aq mirë nga shkrimtarët e njohur të kohës, një pjesë e mirë e të cilëve ende lëngonin nga sentimentalizmi i romantikës kombëtare. Megjithatë, libri u shit dhe u vlerësua mjaft nga masa e lexuesve. Hija e maleve përmban tregime të shkurtra që sillen rreth temës qendrore 'Lindja ndeshet me Perëndimin', ndeshja e zakoneve tradicionale të malësisë si martesat me shkuesi dhe gjakmarrja fisnore me idetë dhe vlerat bashkëkohëse Perëndimore. Ndonëse më pak autobiografike se tregimi i Migjenit Studenti në shtëpi, këto rrëfenja janë pasqyrim i drejtpërdrejtë i mëdyshjes ku ra Koliqi, ashtu si shumica e intelektualëve shkodranë që kishin studiuar jashtë në vitet njëzet e tridhjetë dhe më pas u kthyen në trevën e ashpër të Shqipërisë veriore. Në fillim të tregimit tragjik Gjaku, djaloshi e mësuesi idealist Doda bën pyetjen: "A ka send mâ të mrekullueshëm në kët botë se me i sjellë qytetnimin nji kombi zhytë n'errsin e padijes?", por ai vetë është i shtrënguar nga përkushtimi ndaj familjes të vërë në vend nderin e të hakmerret për vrasjen e të vëllait. Rrëfenja të tjera flasin, për shembull, për një muzikant popullor që shfrytëzon talentin për të bërë për vete një vajzë Shkodre; për një vrasje e gjakmarrje ndër fiset malësore; për kërcimtaren e Dukagjinit të shndërruar nga shpirtrat e malit në një vashë të bukur e nga e cila më pas zhgënjehet i dashuri i saj; për një ndjekje xhandarësh, e ngatërruar me detyrime e fjalë bese sipas kanunit; për magji të mbinatyrshmes mbi një komit; si dhe për Skënderbeun. Shpirtrat e maleve janë gjithmonë në mendjet e fiseve të veriut dhe u japin mjaft tregimeve një frymë të së mbinatyrshmes.

Tregtar flamujsh, Tiranë 1935, përmbledhja e dytë e Koliqit me rrëfenja, paraqet tema të ngjashme me ato të përmbledhjes së parë. Rrëfimi në këtë vëllim me gjashtëmbëdhjetë tregime është më i fuqishëm, kurse depërtimi në psikologjinë e personazheve të kujton nganjëherë autorin sicilian Luixhi Pirandelo (Luigi Pirandello, 1876-1936) me veprën e të cilit Koliqi pa dyshim ka qenë njohur. Tregimet e vëllimit Tregtar flamujsh vlerësohen përgjithësisht si më të mirat e prozës shqiptare në periudhën e paraluftës. Një çerek shekulli më pas Koliqi botoi edhe një roman të shkurtër, Shija e bukës së mbrûme, Romë 1960. Kjo vepër 173 faqesh ringjall temën e mallit për atdheun të mërgimtarëve shqiptarë në Shtetet e Bashkuara. Ky roman, me thekse të dukshme politike, ishte për një kohë të gjatë i panjohur në Shqipëri.

__________________________________________________ _________________

40 kr. Shuteriqi (red.) 1983, f. 460.

41 kr. Kadare, Ardhja e Migjenit... 1991, f. 39.
__________________________________________________ _________________

Krijimtaria letrare e Koliqit nuk është mjaftuar kurrsesi me prozën. Të rrallë janë shkrimtarët shqiptarë që nuk i ka ngacmuar muza poetike. Gjurmat e stinve, Tiranë 1933, është një përmbledhje me vjersha të shkruara nga Koliqi gjatë viteve të mërgimit në Jugosllavi. Me to poeti i kthehet në mënyrë filozofike vendlindjes së vet, Shkodrës, me emocionet e stinëve të ndryshme të natyrës, duke gërshetuar formën e poezisë popullore shqiptare me simbolizmin evropianoperëndimor. Symfonija e shqipevet, Tiranë 1941, është poezi në prozë mbi tema historike e kombëtare, që të kujton veprën e tij të mëparëshme Kushtrimi i Skanderbeut. Për këtë vepër kemi dhe një përkthim në anglisht: Symphony of eagles, Romë 1972. Vëllimi i fundit poetik i Koliqit me titull Kangjelet e Rilindjes, Romë 1959, është shkruar përsëri në dialektin e tij, në gegërishte e përpunuar, dhe është botuar me një përkthim italisht.

Që nga Lufta e Dytë Botërore Ernest Koliqi është gjykuar më fort për veprimtarinë e tij politike sesa për arritjet letrare e kulturore. Ai është një nga shkrimtarët e shumtë të periudhës që duhet rivlerësuar. Kritikët bashkëkohës në Shqipëri, pasi kanë kaluar vetë një gjysme shekulli enverizëm, duhet t'i shohin me shumë ndjeshmëri e mirëkuptim kompromiset që shkrimtarët dhe intelektualët kanë qenë shpesh të detyruar të bëjnë nën regjimet ekstremiste. Si personalitet i letërsisë e i kulturës, Ernest Koliqi ishte dhe mbetet gjigant, sidomos për rolin e tij në zhvillimin e prozës së Shqipërisë së veriut. Krijimtaria letrare në gegërishte arriti një kulm në fillim të viteve dyzetë në çdo pikëpamje, si në stilin e përdorur, në gamën tematike, në përmbajtje, dhe në vëllim. Në këtë aspekt një meritë të madhe ka botuesi, prozatori dhe studiuesi Ernest Koliqi. Dialekti i shqipes së veriut si një mjet letrar i përpunuar e sidomos kultura shkodrane në përgjithësi kishin arritur një epokë të artë modeste, por që do të merrte menjëherë fund me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore.

Emri që të vjen menjëherë ndërmend, kur kërkon një ekuivalent toskë të Ernest Koliqit në prozën e fundit të viteve tridhjetë dhe fillimin e viteve dyzet, është ai i Mitrush Kutelit (42) (1907-1967), pseudonim i Dhimitër Paskos, i njohur në rumanishte si Dimitrie Pascu. Sikundër Lasgush Poradeci, Kuteli ka lindur në Pogradec, në brigjet e liqenit të Ohrit, më 13 shtator 1907 dhe, po si Lasgushi, ndoqi një shkollë në gjuhë të huaj në Greqi (një kolegj tregtar rumun në Selanik), kurse më pas u shpërngul në Bukuresht, ku studioi ekonomi dhe u diplomua më 1934 me një disertacion për sistemet bankare në Ballkan. Bashkëpunoi për njëfarë kohe si gazetar me gazetën e përjavshme shqiptare Shqipëri' e re, që doli në Konstancë nga 1919 deri më 1936. Në publicistikën e tij, ai përdorte pseudonimin Janus, perëndia dyfytyrëshe romake, që ishte në gjendje të shihte në të njëjtën kohë të kaluarën dhe të ardhmen. Po në Bukuresht Kuteli nisi të botojë përmbledhjet me tregime, për të cilat është i mirënjohur. Libri i tij i parë, Netë shqipëtare, Bukuresht 1938, ishte një bashkim tetë rrëfimesh për jetën fshatare në Pogradec dhe në fshatrat rreth tij. Nga të 1200 kopjet e botimit të parë, rreth 1000 u zhdukën në një zjarr në Konstancë para se të shiteshin, dhe libri u bë gjerësisht i njohur pas botimit të dytë më 1944. Po në Bukuresht Kuteli rregulloi botimin e përmbledhjes poetike befasuese të Lasgush Poradecit Ylli i zemrës më 1937. Kultura rumune, ende nën magjinë e poetit kombëtar Mihai Eminesku (1850-1889), kishte ushtruar ndikimin e vet mbi Mitrush Kutelin, ashtu siç kishte bërë me Asdrenin, Lasgush Poradecin dhe shumë shkrimtarë e intelektualë të tjerë shqiptarë që jetuan atje në dekadat e para të shekullit të njëzetë. (43)

Në vjeshtën e vitit 1942, ndërsa tmerri dhe shkatërrimi i Luftës së Dytë Botërore dita ditës po i afrohej kulmit në Bashkimin Sovjetik e në Ballkan, Kuteli u kthye në Shqipëri, e cila ishte vetë në pragun e shpërbërjes në luftë civile të hapur. Në këto vite të luftës Kuteli do të

__________________________________________________ _________________

42 kr. Jasiqi 1968, Vinca 1974, 1977, f. 7-104, Jorgaqi 1987, f. 89-112, Bashota 1988 dhe Plasari 1995.

43 Mbi lidhjet letrare shqiptaro-rumune, kr. V. Bala 1965.
__________________________________________________ _________________

botonte me shpenzimet e veta shumicën e veprave madhore të tij: Ago Jakupi e të tjera rrëfime,Tiranë 1943, një përmbledhje me shtatë rrëfime për jetën fshatare; Kapllan Aga i Shaban Shpatës. Rrëfime-Rrëfenja, Tiranë 1944, pesë tregime të shkruar midis viteve 1938 e 1944; Këngë e brithma nga qyteti i djegur, Tiranë 1944, përmbledhje me këngë popullore; Shënime letrare, Tiranë 1944; dhe Sulm e lotë, Tiranë 1944, përmbledhje modeste vargjesh atdhetare të shkruara nga Kuteli me një shok të trilluar me emrin Izedin Jashar Kutrulija, që Kuteli gjoja e kishte njohur në Prizren në maj 1943. Po në këtë kohë, ai përgatiti për botim një përmbledhje me vjersha të Fan Nolit (1882-1965) me titullin Mall e brengë, Tiranë 1943, si dhe botoi një numër shkrimesh për sistemin financiar e monetar.

Mitrush Kuteli i dha tonin zhvillimit të tregimit të shkurtër në Shqipërinë e jugut dhe arriti një nivel më të lartë mjeshtërie letrare se shumica e prozatorëve të tjerë sentimentalë të kohës si Milto Sotir Gurra (1884-1972), Foqion Postoli (1889-1927), Haki Stërmilli (1895-1953) apo Kolë Mirdita (1900-1936). Mjaft elemente të rrëfimeve të tij i mori nga folklori toskë, siç i kishte dëgjuar në fëmini dhe i shfrytëzoi për të rikrijuar motive të kthjellëta të jetës së fshatit me një stil narrativ të gjallë. Leksiku dhe sintaksa e Kutelit janë të përpunuara, kurse diksioni është i fuqishëm. Temat e fshatit dhe gërshetimi i humorit fshatarak me ngjarjet tradicionale i bënë rrëfimet e tij të pëlqyeshme nga shtresa të gjera lexuesish gjatë luftës e më pas. Në disa nga tregimet e tij ndjehet atmosfera e prozës ruse të shekullit të nëntëmbëdhjetë, e Nikollaj Gogolit (1809-1852) dhe Ivan Turgenievit (1818-1883), të cilët i kishte lexuar dhe pëlqyer në vitet e rinisë, si dhe e prozatorit rumun Mihai Sadoveanu (1880-1961). Në fund të Luftës së Dytë Botërore Mitrush Kuteli, tani funksionar në Bankën e Shtetit Shqiptar, ishte figurë kryesore në letrat shqiptare. Më 15 shkurt 1944, së bashku me Vedat Kokonën (l.1913), Nexhat Hakiun (1917-1978) dhe Sterjo Spassen (1918-1989), themeloi organin e përmuajshëm Revista letrare, e cila pati ndikim me peshë në kulturën shqiptare gjatë jetës së saj të shkurtër. Ai qe gjithashtu anëtar themelues i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, e ngritur nën drejtimin e Sejfulla Malëshovës (1901-1971) më 7 tetor 1945, dhe anëtar i redaksisë së organit të parë letrar të pasluftës Bota e re.

Kuteli ia doli të mbesë gjallë gjatë kalimit të pushtetit politik në Shqipëri derisa filloi terrori i vërtetë më 1947. Në këto vite Partia Komuniste Shqiptare ra nën dominimin jugosllav dhe Kuteli nuk miratoi bashkimin monetar e doganor të propozuar për t'u bërë midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Si anëtar i një delegacioni zyrtar në Jugosllavi, i pritur ndër të tjerë edhe nga shkrimtari Ivo Andriq (1892-1975), thuhet edhe se ka shprehur qëndrim kritik ndaj ripushtimit serb të Kosovës, qëndrim që ishte pasqyruar edhe më parë në veprën e tij Poem kosovar, të botuar më 1944. Me t'u kthyer në Shqipëri, u arrestua e u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg. Për Kutelin, ashtu si për pjesën më të madhe të shkrimtarëve të fundit të viteve dyzet, jeta ishte kthyer në makth. Dy vitet e para të burgut (prill 1947 - prill 1949) i kaloi në një kamp pune afër Korçës, ku të burgosurit bënin punë të detyruar për të tharë kënetën famëkeqe plot mushkonja të Maliqit. Kushtet e jetës e të punës për të burgosurit qenë të papërfytyrueshme, dhe mes këtij tmerri Kuteli u orvat të vriste veten. Por me heqjen e ndikimit jugosllav në politikën partiake shqiptare, përndjekja e hapët ndaj Kutelit ra dhe ai u lirua. U kthye në Tiranë dhe u lejua të punonte sikundër Lasgush Poradeci dhe një numër intelektualësh të tjerë të dyshimtë, si përkthyes letrar në shtëpinë botuese shtetërore Naim Frashëri. Zhdanovizmi, i cili pati depërtuar dhe zotëronte atë pjesë të mbetur të letërsisë shqiptare në vitet pesëdhjetë, e bëri të përshtatshëm në atë kohë përkthimin e letërsisë ruse, në mënyrë që të shërbente si model për futjen e realizmit socialist në Shqipëri. Kuteli pranoi në heshtje dhe bëri disa përkthime të shquara autorësh sovjetikë të njohur si Maksim Gorki (1868-1936), Aleksej Tolstoi (1882-1945), Konstantin Paustovski (1892-1968), Aleksandër Aleksandroviç Fadjejevi (1901-1956) dhe Nikollaj Ostrovski (1904-1936). Përveç këtyre shkrimtarëve të rekomanduar nga këshilltarët kulturorë e politikë sovjetikë, Kuteli arriti të botojë edhe disa

_______________________
L.VETEVENDOSJE!
Feja e Shqiptarit është Shqiptaria
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://www.mjeksia-grup.tk
dr.FjoollaaH™
WebMaster
WebMaster


<b>Postime</b> Postime: 9044

MesazhTitulli: Re: Histori e Letërsisë Shqiptare   Sun Jun 20, 2010 5:38 pm

përkthime autorësh rusë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, të parapëlqyer prej tij: Nikollaj Gogol, Ivan Turgeniev, Ivan Krillov (1769-1844) dhe Mihail Salltikov-Shçedrin (1826-1889). Përveç këtyre përkthimeve të shumta nga rusishtja dhe të tjerave nga rumanishtja (Mihai Eminesku, Mihai Sadoveanu), nga spanjishtja (Pablo Neruda), dhe nga frëngjishtja (Andre Morua, Pol Elyar), etj. Kuteli përmendet në veçanti për përshtatjen në prozë të një përmbledhjeje me poezi popullore shqiptare, ndër to edhe cikli heroik i Mujit dhe Halilit, në librin Tregime të moçme shqiptare, Tiranë 1965. Gjithashtu arriti të botojë edhe poezi e tregime për fëmijë, fusha më e parrezikshme për shkrimtarët evropianolindorë në periudhën staliniste. Një roman me temën e Ilirisë mbeti i papërfunduar. Mitrush Kuteli vdiq nga një krizë zemre në Tiranë më 4 maj 1967, pa pasur respektin dhe nderin që i takonin njeriut që e kishte bërë tregimin e shkurtër zhanër popullor në Shqipëri dhe që përndryshe, po të mos e kishte penguar politika, mund të ishte bërë prozatori kryesor i viteve pesëdhjetë.

Nga prozatorët dytësorë të periudhës së pavarësisë, mund të përmenden sidomos Milto Sotir Gurra (1884-1972), Foqion Postoli (1889-1927) dhe Haki Stërmilli (1895-1953).

Gazetari dhe tregimtari Milto Sotir Gurra (1884-1972) ka qenë me prejardhje nga fshati Marjan afër Oparit në krahinën e Korçës. Vitet më krijuese të jetës i kaloi jashtë vendit: në fillim në Odesë buzë Detit të Zi, kurse më pas në Amerikë, Stamboll, Sofje dhe Konstancë. Ai bashkëpunoi aktivisht me shumë organe shtypi kombëtare e letrare në mërgim shpesh me pseudonimet Nomadhi, Gjon Zeza dhe D.Toçkas (44). Ndërkaq vetë qe botues apo bashkëbotues i një numri revistash të tilla si i organit politik e letrar Atdheu të Konstancës më 1912 dhe të Durrësit më 1914, i së përmuajshmes Shkëndia të Korçës më 1921, i organit satiro-humoristik Zegthi të Korçës më 1922, dhe i së përdyjavshmes Zëri i popullit të Korçës më 1922. Në këto organe Gurra botoi tregimet e para, më të mirat e të cilave qenë shkruar gjatë viteve që jetoi në Rusi. Pjesën më të madhe të jetës Gurra e kaloi në mërgim, dhe kështu e kuptonte fare mirë vetminë e mërgimtarëve. Prandaj dhe mjaft nga tregimet e tij, të shkruara me një stil narrativ pa pretendime, pasqyrojnë mallin dhe hidhërimin e shqiptarëve të jugut, të shtrënguar për të lënë atdheun e për të vajtur në mërgim për punë e jetë më të mirë. Një përmbledhje me njëzet e dy nga këto tregime u botua me titullin Plagët e kurbetit, Tiranë 1938. Milto Sotir Gurra, sikundër Mitrush Kuteli më pas, përktheu letërsi ruse, ndër të tjera vepra në prozë të Ivan Turgenievit (1818-1883), Leon Tolstoit (1828-1910), Anton Çehovit (1860-1904) dhe Maksim Gorkit (1868-1936).

Romancieri dhe dramaturgu sentimental Foqion Postoli (1889-1927) lindi në Korçë në një familje tregtare. Studioi dy vjet për tregti në Stamboll ku kishte të afërm, kurse më pas, si shumë korçarë të kësaj periudhe, emigroi me familjen në Shtetet e Bashkuara, duke u vendosur në Masaçusets. Atje punoi si sekretar për degën e Federatës 'Vatra' në Brokton (Brockton) dhe bashkëpunoi me organin kryesor të saj, gazetën Dielli të Bostonit, ku u botuan mjaft nga shkrimet e tij të para. Më 1921, pas një mungese katërmbëdhjetëvjeçare, u kthye në Shqipëri për të ndihmuar në themelimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Dy romane dhe një pjesë teatrale, për të cilat përmendet, u shkruan në Amerikë në vitet 1910-1919 dhe u botuan së pari në faqet e Diellit.
Romani i parë i Postolit Për mprojtjen e atdheut, 1921, është një krijim tipik në frymën e romantizmit kombëtar të viteve të fundit të Rilindjes dhe nuk është nga ato që lexohen me kënaqësi sot. Në këtë histori dashurie sentimentale plot me ideale e virtyte patriotike, fisnikun mysliman Estref, bir i Rakip bej Frashërit, e shpëton, pasi e godet kali, vasha e krishterë Nica, me të cilën ai martohet me gjithë kundërshtimet e prindërve të tij myslimanë. Luftërat ballkanike e detyrojnë Estrefin të largohet për të luftuar kundër grekëve 'për mprojtjen e atdheut', kurse Nica, e mashtruar nga i vjehrri, që i thotë se edhe i shoqi, edhe vajza e

__________________________________________________ _________________

44 Njihen 22 pseudonime të përdorura prej Milto Sotir Gurrës.
__________________________________________________ _________________

sapolindur kanë vdekur, endet si e meruar nëpër male, derisa e mban një bari. Pas sa e sa aventurash të dy ribashkohen në Shqipërinë e lirë. Tema e birit të beut, që martohet me vajzë fshatare me gjithë dallimin në fe, kishte qenë trajtuar edhe nga Mihal Gramenoja në tregimin Oxaku, të botuar më 1909. Në të dyja veprat ideja është e qartë: dallimet klasore e fetare duhen kapërcyer për të shpëtuar kombin shqiptar, i cili po luftonte kundër turqve dhe grekëve për pavarësi e bashkim, e për të mbajtur gjallë kulturën e vet.

Romani i dytë i Postolit, Lulja e kujtimit, Korçë 1924, ndonëse vuan nga po ai artificialitet e cektësi e subjektit, nga pikëpamja artistike është njëfarë hapi përpara për ata që mund të tresin një sentimentalizëm të tillë. Sidoqoftë, ky rrëfim në dy pjesë i një historie dashurie e atdhetarie, u bë më popullor dhe është ribotuar disa herë. Në të vërtetë, ishte një nga romanet shqiptare më të mira të viteve njëzet e tridhjetë. Në romanin Lulja e kujtimit ngjarjet zhvillohen në Korçë në fillim të shekullit të njëzetë. Është historia romantike e dashurisë së djaloshit Dhimitër me Olimbinë, të bijën e filogrekut Kristo. Dhimitri është atdhetar i zjarrtë, që e don gjuhën amtare, lexon libra shqip të ndaluar dhe e shpall hapur identitetin e tij kombëtar. Olimbisë i flet me entusiazëm: "Po jam i sigurtë se do të vinjë dita, kur Shqipëria të çlirohet nga thonjt e Turqisë e të Patrikanës. Ajo ditë do të jetë përlindja e kombit shqiptar dhe e gjuhës sonë." Tregtari Kristo, pronari i Dhimitrit të varfër, merr në punë si sekretar të vet një grek tinëzar me emrin Niko. I kënaqur me punën e Nikos, Kristoja i ofron atij dorën e së bijës. Por Olimbia dashuron vetëm Dhimitrin dhe nuk pranon të martohet me Nikon, çka bën që ky dhe i ati të kurdisin një rreng për ta hequr qafe djaloshin Dhimitër. Hapin fjalë nëpër Korçë se Dhimitri është në të vërtetë udhëheqës komit i lidhur me nacionalistët shqiptarë jashtë. I lajmëruar nga Olimbia për rrezikun e arrestimit nga trupat turke, Dhimitri arratiset nga qyteti dhe merr rrugën në mes të atij dimri të ashpër për në Manastir. Duke çarë natën nëpër dëborë e suferinë, heroin tonë e sulmon një lukuni ujqish, që ia hanë kalin. Edhe pse atë vetë e shpëtojnë komitët shqiptarë të asaj krahine, në Korçë hapet fjalë se Dhimitri është vrarë. Olimbia e pangushëllueshme humbet kujtesën për gjashtëmbëdhjetë muaj, derisa një ditë sheh një lule, 'lulen e kujtimit', që Dhimitri e kishte mbjellë dikur në shenjë të dashurisë së tyre, e cila e ringjall e i risjell kujtesën. Më pas Dhimitri hyn në Korçë në krye të kryengritësve që luftonin për çlirimin e Shqipërisë dhe shpëton Olimbinë me të atin nga mashtruesi Niko. Romani mbyllet me shpalljen e kushtetutës nga xhonturqit, çka i jep mundësi Dhimitrit të kthehet përfundimisht në shtëpi e të martohet me Olimbinë e dashur.

Flaka e atdhedashurisë që përshkon romanet e Postolit pasqyrohet edhe në pjesët e tij teatrore e sentimentale: drama e rëndomtë atdhetare Detyra e mëmës, e botuar në Boston më 1925, dhe pjesa me një akt Martesa e një avokati, shkruar më 1927 pak përpara vdekjes, komedi e pabotuar për mërgimtarët shqiptarë në Nju Inglënd (New England). Edhe veprën Lulja e kujtimit Postoli e kishte botuar si dramë në vitin 1921. Të gjitha veprat e Foqion Postolit janë po aq të cekëta e pa peshë, e mund të lexohen vetëm për hir të kohës kur zhvillohen ngjarjet, si pasqyrim i vonuar i romantikës nacionaliste të kulturës së periudhës së fundit të Rilindjes.

Haki Stërmilli (45) (1895-1953) ka qenë një tjetër prozator e dramaturg mjaft sentimental. Lindi më 7 maj 1895 më Dibër. Shkollën e kreu në Selanik. Ndoqi edhe një shkollë të mesme në gjuhën turke në Manastir, drejtor i së cilës qe atdhetari shqiptar Bajo Topulli (1868-1930). Gjatë Luftës Ballkanike të vitit 1913 Stërmilli me gjithë familje u shtrënguan të arratisen nga Dibra, e pushtuar prej ushtrisë serbe, dhe të gjejnë strehë në Shqipëri. Në fillim u ngulën në Elbasan e më pas në Durrës. Stërmilli dëshironte të studionte në Evropën Perëndimore, por nuk mundi, sepse familja e detyroi të martohet me të venë e të vëllait më të madh, të vrarë më 1912. Në krahinën e Matit gjeti punë si sekretar nënprefekture, kurse më 1918 u bë vetë zëvendës nënprefekt. Mati ishte vendlindja e çifligarit feudal Ahmet Zogu (1895-1961), që më pas do të

__________________________________________________ _________________

45 kr. Jorgaqi 1960, dhe Rrecaj 1983, 1985, 1987, 1988a, 1988b.
__________________________________________________ _________________

bëhej Mbret i Shqiptarvet. Në fillim Stërmilli shkonte mirë me Zogun, meqenëse ishte mësues i motrave të shumta të tij, princeshave të ardhshme. Më 1920 u emërua sekretar i Ministrisë së Brendshme në Tiranë, por shumë shpejt u bë armik i betuar i Zogut të etshëm për pushtet. Së bashku me Avni Rustemin (1895-1924), të adhuruar nga rinia e Shqipërisë për vrasjen e çifligarit Esad Pashë Toptani (1863-1920) në Paris më 13 qershor 1920, Stërmilli themeloi më 1922 shoqërinë demokratike 'Bashkimi', e cila pati përkrahje të gjerë në atë kohë, kur mbizotëronin trazira politike. Zogu organizoi vrasjen e Avni Rustemit dhe më në fund mori fuqinë pas rënies së qeverisë së Fan Nolit më 1924. Stërmilli u shtrëngua kështu të largohet nga vendi, sikundër edhe shumë intelektualë dhe demokratë të tjerë. Pas një viti në Itali e në Francë, vajti në Bashkimin Sovjetik, ku, gjatë katërmbëdhjetë muajve të qëndrimit atje, u takua me Ali Kelmendin (1900-1939) e me brezin e parë të revolucionarëve komunistë shqiptarë, që studionin atje. Nga Bashkimi Sovjetik vajti në Austri dhe bashkëpunoi në Vjenë si gazetar dhe veprimtar politik kundër regjimit zogist në Shqipëri. Më 19 mars 1929, Stërmilli u kap nga policia jugosllave dhe iu dorëzua autoriteteve shqiptare, një akt ky që shkaktoi protesta energjike në qarqet e majta në Evropë. Kongresi i Dytë i Lidhjes Antiimperialiste, i mbledhur në Frankfurt në pranverë 1929, dërgoi letra e telegrame proteste në Jugosllavi e Shqipëri, të nënshkruara ndër të tjerë nga shkrimtari francez Anri Barbys (Henri Barbusse, 1873-1935), fizikani Albert Ajnshtajn (Albert Einstein, 1879-1955), udhëheqësi komunist bullgar Georgi Dimitrov (1882-1949), social-demokrati japonez Tecu Katajama (1887-1945), filozofi gjerman Teodor Lesing (Theodor Lessing, 1872-1933), e në veçanti nga Fan Noli (1882-1965). Me gjithë këto protesta, Stërmilli u dënua në fillim me pesë vjet burg, kurse në gusht 1935 me një afat të dytë burgimi. Gjatë Luftës II Botërore, mori pjesë në lëvizjen nacional-çlirimtare dhe kryesoi komitetin ekzekutiv të Këshillit Nacionalçlirimtar në krahinën e vendlindjes Dibër. Pas marrjes së pushtetit nga komunistët, Stërmilli u zgjodh anëtar i Kuvendit Popullor. Në tetor 1946 u emërua gjithashtu drejtor i Bibliotekës Kombëtare, kurse në tetor 1949 drejtor i Muzeut të Luftës Nacional Çlirimtare. Haki Stërmilli vdiq më 17 janar 1953 pas një sëmundjeje të gjatë, duke mbetur autor i tre romaneve, mbi tridhjetë tregimeve, pesë pjesëve teatrale, dy ditareve dhe dhjetëra artikujve nëpër gazeta.

Më e shquara ndër veprat e Stërmillit është romani Sikur t'isha djalë, Tiranë 1936, i cili rrëfen në formë ditari përpjekjet e një vajze të re, me emrin Dije Kërthiza, për t'u çliruar nga prangat e shoqërisë. Dijen nuk e ka lejuar i ati patriarkal, Sula, të vejë në shkollë dhe e ka mbyllur brenda mureve të shtëpisë gati që në fëmini. Ajo do që të martohet me atë që dashuron, Shpend Rrëfenë, por dëshira nuk i plotësohet, sepse e martojnë me forcë siç kërkonte i ati, me një tregtar të pasur e të moshuar, të cilin ajo nuk e do. Ankthi e vuajtjet shpirtërore, bashkë me sëmundjen që e ka zënë (tuberkulozin), e bëjnë Dijen të hedhë në ditar përsiatjet e saj për domosdoshmërinë e ndryshimeve sociale në jetën e gruas shqiptare përgjithësisht. Shpresat i ka mbështetur vetëm tek ardhja një ditë e një udhëheqësi, mbinjeriu migjenian, për t'i çliruar gratë nga fati i tyre i vajtueshëm.

Si një nga romanet më popullore shqiptare të viteve tridhjetë, Sikur t'isha djalë ishte e para vepër e rëndësishme në letërsinë shqiptare me temën e emancipimit të gruas. Shumë vajza shqiptare të kohës u ulën e mësuan shkrim e këndim, siç thuhet, vetëm e vetëm që të mund të lexonin këtë libër. Ai ishte ndër romanet e para shqiptare në formë ditari, çka i jepte dorë të shtjellonte karakteret e protagonistëve me një monolog dramatik të fuqishëm. Ndonëse në përgjithësi bindës në ide dhe i pasur në elemente leksikorë të dialektit të gegërishtes së mesme të autorit, romani prapëseprapë nuk ka shpëtuar nga shumë dobësi stilistikore, të cilat bëjnë të mos ngrihet deri në shkallën e një letërsie të madhe. Ai është shkruar me një stil narrativ shumë realist plot me psherëtima romantike, pasthirrma e mallkime. Me gjithë qëllimin e mirë për ta nxitur lexuesin që të ndalej e të mendonte për një problem social të rëndësishëm, Stërmilli nuk ishte në gjendje të kapërcente sentimentalizmin lotndjellës të kohës, të cilin ai e ndihmoi të

_______________________
L.VETEVENDOSJE!
Feja e Shqiptarit është Shqiptaria
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://www.mjeksia-grup.tk
dr.FjoollaaH™
WebMaster
WebMaster


<b>Postime</b> Postime: 9044

MesazhTitulli: Re: Histori e Letërsisë Shqiptare   Sun Jun 20, 2010 5:39 pm

rrënjosej në letrat shqiptare. Për këtë arsye, Sikur t'isha djalë, revolucion modest për mesin e viteve tridhjetë, do të vjetërohej shpejt si vepër letrare. Megjithatë, romani u prit me shumë interes në Kosovën e pasluftës, ku pozita e gruas në shoqëri nga shumë aspekte ngjante me pozitën e gruas në shoqërinë e Shqipërisë së kohës kur u shkrua romani.

Romani i dytë i Stërmillit, pa ndonjë përmbajtje sociale, ishte po aq sentimental, sa i pari. Kalorësi i Skënderbeut, Tiranë 1967, i nisur më 1938 dhe i përfunduar më 1950, e që u botua pas vdekjes sipas një dorëshkrimi me titull Dy zemra, dy shemra, ka kapur temën mjaft të rrahur të qëndresës shqiptare nën udhëheqjen e Skënderbeut (1405-1468), në veçanti jetën e heroit dhe luftërat gjatë viteve 1451-1456. Ajo është një legjendë romantike e shndërruar jo pa vështirësi, në një roman historik, e përsëri plot me sentimentalizëm të papërmbajtur.

Haki Stërmilli gjithashtu botoi sa qe gjallë tri pjesë modeste: pjesën me katër akte Dibranja e mjerueme, Tiranë 1923, atë me gjashtë akte Dashuni e besnikeri, Tiranë 1923, dhe atë me pesë akte Agimi i lumnuëshëm, Tiranë 1924, të cilat formojnë një trilogji për historinë e krahinës së Dibrës gjatë Luftërave Ballkanike të viteve 1912 e 1913. Dy ditaret, ai me 328 faqe Burgu, Tiranë 1935, për vitet e burgimit në Tiranë nga 1929 deri më 1934, dhe ai i botuar pas vdekjes Shtigjet e lirisë, Tiranë 1967, për veprimtarinë e tij partizane gjatë Luftës së Dytë Botërore, janë me interes letrar të kufizuar.

Një shkrimtar tjetër, që i shpëtoi kalimit të përgjakshëm të pushtetit më 1944-1945 pakashumë i padëmtuar e që ia doli të ndjekë karrierën e shkrimeve gjatë periudhës enveriste, qe Sterjo Spasse(46) (1912-1989). Romancier dhe tregimtar, Sterjo Spasse qe me prejardhje maqedonase; ai lindi më 16 shtator 1914 në Gollomboç, një nga fshatrat maqedonishtfolëse në brigjet e liqenit të Prespës. Ndoqi shkollën fillore në Korçë dhe të mesmen në Shkollën Normaletë Elbasanit, një nga më të mirat në vend, ku pati për mësues shkrimtarin rilindës Simon Shutëriqi (1883-1951) dhe gjuhëtarin Aleksandër Xhuvani (1880-1961). Aty në Elbasan filloi të mësojë gjuhë të huaja dhe të lexojë çdo libër letrar apo filozofik të huaj, që mund t'i binte në dorë: Fridrih Niçe (Friedrich Nietzsche, 1844-1900), Artur Shopenhauer (Arthur Schopenhauer, 1788-1860), Fjodor Dostojevski (1821-1881), Leon Tolstoi (1828-1910), Gi dë Mopasan (Guy de Maupassant, 1850-1893), dhe Knut Hamsun (1859-1952) etj. Më 1932 hyri në punë si mësues, në fillim në fshatin Derviçan në jug të Gjirokastrës. Më pas kreu një kurs kualifikimi me korrespondencë për mësues në Firence, por nuk arriti të marrë provimin e fundit.

Aty në fshatin e vogël të Derviçanit tetëmbëdhjetëvjeçari Spasse nisi të shkruajë romanin e parë, dhe kryeveprën e tij, Nga jeta në jetë - Pse!?, Korçë 1935, që përmendet shkurt vetëm me titullin Pse!?. Kapitujt e parë të kësaj vepre u botuan më 1934 në të përjavshmen Demokratia të Gjirokastrës, kurse nga 9 gushti 1935 në disa numra të Gazeta e Korçës. Ky roman doli edhe si libër më vete në fund të vitit 1935 me një parathënie nga Vangjo Nirvana, pseudonim i Vangjel Koçës (1900-1943). Pse!?, sikundër dhe Sikur t'isha djalë i Haki Stërmillit, botuar një vit më vonë, është shkruar në formë ditari dhe ka në qendër dilemën tragjike të një intelektuali të ri në një shoqëri fshatare të prapambetur. Gjon Zaveri është një i ri inteligjent, që pas studimeve kthehet në fshatin e lindjes. Prindët, duke iu përmbajtur zakoneve dhe traditave, ngulin këmbë që të martohet me vajzën e zgjedhur prej tyre, fshataren Afërdita. Gjoni e ndien fare mirë se një martesë e tillë do të ishte një gabim fatal, por pas shumë mëdyshjesh, ankthesh e lufte shpirtërore, ai pranon pa dëshirë, duke bërë kështu një lëshim e duke iu nënshtruar pushtetit të traditës e të shoqërisë patriarkale, e njëherazi duke marrë dhe tatëpjetën e vet. Pse!? është një vepër nihiliste, 'roman i mohimit'. Heroi pesimist i tij Gjon Zaveri vuan gjithë Weltschmerz-in e Verterit të ri të Gëtes, heroi me të cilin ndien afri të madhe shpirtërore. Në fund, i nënshtruar fatit, Gjon Zaveri mbytet vetë në liqen. Dy javë më pas, në një vëllim të

__________________________________________________ _________________

46 kr. B. Krasniqi 1991, dhe I. Spasse 1995.
__________________________________________________ _________________

Faustit të Gëtes, gjejnë një letër lamtumire, me të cilën mbyllet romani:

<BLOCKQUOTE>"Më mirë të sundohesh prej sendi të pashpirt, por të dukëshëm, se nga filosofia, që është një gjë e padukëshme! Më mirë të jesh vrasës me pushkë, se sa vrasës me mëndje. Me pushkë vret disa njerës, por me mëndje vret nji turmë njerëzish! E dij se librat më larguan nga jeta edhe filosofia ma humbi ndjenjën si njeri. Për mua dashuri nuk paska lindur, për mua njëmëndsì nuk qënka krijuar! Kam lindur i tepërtë në këtë Botë, jam unjur gabimisht në këtë sofrë. Për mua - që kam dashur aqë fort për t'i ndrequr disi të metat e njeriut, s'ka t'afërmë në këtë Botë, por as që jam vetë i afërmë i vehtes s'ime. Po tundem si kallam në mes t'Oqeanit dhe shpejt e shpejt dua të zhytem në detin e pafund. Dhe kam për t'u zhytur, mbassi si i gjallë qënkam, si i vdekur qënkam, për mua është një!... Asnjeri nuk dua të m'i fali që i quan Bota mëkata, mbassi edhe unë nuk po fal njeri, sidomos filosofët. Për mbas vdekjes për trupi t'em jam një Dhiogjen. Le të kalbet atje ku do të përplaset herën e parë, le të shqyhet prej atyre kafshëve, që do ta gjejnë të parët. Por, në qoftë se njerëzia nuk duron një gjë të tillë e do të dojë për të më kallur në dhé, atëherë po çfaq një dëshirë: të më varrosin në vetmì, i rrethuar me driza e me ferra, pa derdhur as lote e as vaje, pa ndarë gjë për shpirt dhe pa mbajtur as zi, sepse për mua:

'Bota e Hiçit, prej Hiçit, për Hiçin,
Rrotullohet rreth qëllimit të Hiçit!'

Fshatarët e varrosnë me nderime të mëdha intelektualin e tyre të vetëm, por në vetmì për mbi një kodër, që sundon fshatin dhe ku fryn era e paqme nga të katër anët, dhe nënë hijen e njëj trëndafili t'egër është vendosur varri i thjeshtë i të riut. Sipër nuk ka as emër, as datë e as shenjë, vetëm janë shkruar fjalët e tij të fundit:

'Bota e Hiçit, prej Hiçit, për Hiçin,
Rrotullohet rreth qëllimit të Hiçit!'
Një i ri që ndoqi gjurmën e filosofëvet"
</BLOCKQUOTE>
Me romanin Pse!? dhe me dy përmbledhje tregimesh, shumica sentimentale, Kurorë rinije, Korçë 1934, dhe Në krahët e një femre, 1934, Sterjo Spassja nisi një roman të dytë, më ambicioz, në periudhën 1936-1938. Afërdita, Tiranë 1944, është historia e një mësueseje fshati, Afërdita Skënderaj, e cila lë qytetin e lindjes për t'u sjellë arsim dhe kulturë fshatarëve. Me gjithë konfliktin e pashmangshëm me pleqtë e fshatit e me autoritetet, e me gjithë peshën e paragjykimeve, padijes dhe zakoneve të trashëguara, ajo kurrë nuk e humbet besimin në misionin që kryen. Tema qendrore e Afërditës didaktike nuk ndryshon nga ajo e romanit të parë të Spasses: intelektuali i vetmuar, që lufton kundër padijes dhe pushtetit të traditës në fshat. Por Afërdita Skënderaj është heroinë pozitive, që i zgjidh problemet e veta e nuk mbytet në to në atë mënyrën e përulur e pesimiste të Gjon Zaverit. Ndërkohë që romani Afërdita i ofronte lexuesit shqiptar një model pozitiv, ai kurrsesi nuk zgjonte aq mendime sa Pse!?, dhe nuk dha ndonjë ndihmesë të ndjeshme për zhvillimin e romanit shqiptar. Stili narrativ i Spasses, si në këta dy romane edhe në veprat e mëvonëshme, është elementar dhe pa ndonjë përpunim gjuhësor të veçantë. Kryesore mbetet ideja. Kritikët marksistë të pasluftës nuk qenë në gjendje të merreshin me romanin Pse!?, edhe pse ai mund të quhet si një nga romanet më të mëdha shqiptare të shekullit të njëzetë. Pesimizmi shopenhauerian dhe Weltschmerz-i binin ndesh me heroin pozitiv që kërkonte realizmi socialist, prandaj ata e hodhën poshtë veprën thjesht si produkt të shtypjes dhe vuajtjeve të masave punonjëse në shoqërinë feudo-borgjeze të paraçlirimit.

Ai përmendej në publik vetëm për të dëshmuar se ç'përparim kishte bërë Spassja me romanet e mëvonshëm të realizmit socialist. Nga një pikëpamje thjesht letrare e vërtetë është pikërisht e kundërta. Edhe pse romani Pse!? është vepër me frymë rinore e një shkrimtari ende të pastërvitur mirë me mjeshtëri, ky roman i parë bën një kontrast në të mirë të tij me të gjitha veprat klasike të realizmit socialist që ai krijoi më pas, si: Ata nuk ishin vetëm, Tiranë 1952, Buzë liqenit, Tiranë 1961, dhe Zgjimi, Tiranë 1974 (përkth. angl. The awakening, Tiranë 1980).Kur kujtojmë masën e tejskajshme të përndjekjeve të gjithë shkrimtarëve dhe intelektualëve shqiptarë gjatë marrjes së pushtetit nga komunistët dhe gjatë viteve më pas, bëhemi mjaft kureshtarë për të kuptuar se me çfarë lehtësie Spassja kaloi nga shkrimtar i paraluftës me frymë niçeane në ithtar i letërsisë socialiste. Më 15 shkurt 1944, nën pushtimin gjerman, Spassja kishte bashkëthemeluar periodikun Revista letrare, e cila më pas do të demaskohej si fashiste, e ku deri më 15 gusht të atij viti kishte botuar jo më pak se pesëmbëdhjetë tregime e fragmente prozash të tjera. Në fundin e vitit 1944, pak pas fitores komuniste, ai e kishte botuar veprën e tij të parë të realizmit socialist në organin partiak, gazetën Përpara të Korçës: Si e pashë Tiranën e porsaçliruar (47). Mjaft shkrimtarë të tjerë përparimtarë të së majtës, fjala vjen Petro Marko (1913-1991), pas lufte ose heshtën ose e panë veten në burg.
Në vitet e para të pavarësisë së Shqipërisë pati një numër të mirë figurash të reja letrare, që dhanë ndihmesë të shquar, ndonëse jo të vazhdueshme, për zhvillimin e prozës në vitet njëzetë e tridhjetë.

Politikani Mehdi bej Frashëri(48) (1874-1963), kushëri i publicistit dhe politikanit Mid'hat bej Frashëri (1880-1949), është autori i romanit me frymë romantike, me 144 faqe, Nevruzi, Tiranë 1923. Lindur në fshatin e famshëm të Shqipërisë së jugut Frashër, më 28 shkurt 1874, Mehdi beu u bë funksionar i lartë në administratën osmane para Luftës së Parë Botërore, bej në Jerusalem dhe guvernator i përgjithshëm në Palestinë (1911), si dhe zëvendëskomisioner i lartë në Egjipt (1912). Pas pavarësisë së Shqipërisë, u bë prefekt i qarkut të Beratit, kurse në gusht 1913 u emërua anëtar i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Pas largimit nga Shqipëria të princit gjerman Vilhelm Vid (1876-1945), qëndrimi gjashtëmujor i palavdishëm i të cilit në këtë principatë të rrëmujëshme ballkanase kishte përfunduar më 3 shtator 1914, Frashëri shkoi në mërgim, te kushëriri Mid'hat beu në Lozanë dhe, pas një orvatjeje jo të mbarë për t'u kthyer në Shqipëri në mars 1915, vitet e luftës i kaloi në Shën Mitër (ital. San Demetrio Korone), një ngulim arbëresh në Italinë e jugut. Pas Luftës së Parë Botërore ai u kthye në Shqipëri si figurë publike, që mbështeste politikën e lidhjeve të ngushta me Italinë. Mbajti poste politike të ndryshme, ndër ta ministër i brendshëm (1918-1920), anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris (qershor 1919), ministër i jashtëm (1919), përfaqësues në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë (1923), ministër i ekonomisë (1930-1931), dhe kryeministër (21 tetor 1935 deri më 7 nëntor 1936). Me gjithë prirjet italofile, Mehdi beu u shpreh kundër pushtimit të Shqipërisë nga Musolini më 1939 dhe u internua për njëfarë kohe në Romë. Më 22 tetor 1943 u zgjodh në postin e palakmueshëm të kryetarit të të ashtuquajturit këshill i regjencës nën pushtimin gjerman, post që e pranoi edhe pse simpatizonte më shumë Aleatët sesa Boshtin. Me fitoren e komunistëve më 1944, Mehdi beu iku në Itali dhe vdiq në Romë më 25 maj 1963.

Romani me144 faqe Nevruzi, ngjarjet e të cilit zhvillohen në periudhën 1866-1878, është një vepër me shumë veprim, e shkruar me një stil rrëfimtar të thjeshtë që, megjithë peripecitë, përmban pak emocion të vërtetë. Studiuesi britanik Stuart Man (Stuart Mann, 1905-1986), e përshkruan kështu subjektin:

_______________________
L.VETEVENDOSJE!
Feja e Shqiptarit është Shqiptaria
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://www.mjeksia-grup.tk
dr.FjoollaaH™
WebMaster
WebMaster


<b>Postime</b> Postime: 9044

MesazhTitulli: Re: Histori e Letërsisë Shqiptare   Sun Jun 20, 2010 5:39 pm

<BLOCKQUOTE>"Nevruzin, një djalosh aristokrat i varfëruar, e ftojnë në dasmën e një fisniku fqinjë, por nuk ka para për shpenzimet e peshqeshit që i duhet dhënë sipas zakonit. Kur kthehet nga dasma, i del njëri përpara për gjakmarrje, por ky mposhtet dhe vritet. Miqtë e viktimës e informojnë Pashanë e tmerrshëm të qarkut për aktin e Nevruzit, dhe ky i fundit shtrëngohet t'i kalojë ditët në arrati. Pas shumë peripecish mbërrin në Selanik, ku ndërron emër dhe fshihet. Por meqë kujton se ngjarja është harruar, hyn në punë te një be i vendit me detyrë për të kapur një hajdut. Më pas i bën bisht një thirrjeje këmbëngulëse për t'u kthyer në Shqipëri e për të shtypur diku një kryengritje. Duke pasur ende frikë nga përndjekjet dhe burgu, mbetet në mërgim, dhe ikën në Stamboll. Por këtu e pikasin, e kapin dhe e burgosin. Me ndihmën e një prifti, të cilin dikur e kishte shpëtuar nga burgu, ai arratiset, ndërron emrin përsëri dhe bëhet kapiten policie. Duke qenë i tillë arrin të shpëtojë një vajzë kaukaziane nga haremi i Sulltanit, por e pikasin përsëri dhe e syrgjynosin në ishullin Rodos për tërë jetën. Vdekja e Sulltanit e bën Nevruzin të fitojë lirinë, të kthehet në Shqipëri e të martohet. Është koha e Kongresit të Berlinit më 1878, kur fati i Shqipërisë vihet në fije të perit. Në Shqipëri kanë filluar të zbarkojnë irredentistë nga Korfuzi, dhe në një përleshje me ta Nevruzi vritet." (49)</BLOCKQUOTE>Mehdi bej Frashëri gjithashtu botoi një dramë historike në pesë akte me titullin Tradhëtia, Tiranë 1926, me subjekt nga koha e Skënderbeut, si dhe shkrime mbi ekonominë, filozofinë, historinë dhe politikën, ndër to edhe një traktat 380 faqesh turqisht për sovranitetin ligjor të Perandorisë Osmane: Imtiyazat-i ecnebiyenin Tatbikat-i haziresi, Samsun 1907 [A. H.1325] (Mbi zbatimin e privilegjeve dhe tatimeve të huaja).

Filip Papajani(1878-1945) nga Elbasani, me pseudonimin Lipi, studioi mjekësi në Rumani, ku, sikundër shumë intelektualë të tjerë shqiptarë, u njoh së pari me lëvizjen kombëtare. Me t'u kthyer në Shqipëri, shërbeu si mjek, por iu përkushtua mjaft edhe letërsisë. Papajani qe prozator dhe poet, dramaturg dhe botues, veprat e të cilit pasqyrojnë më shumë problemet e periudhës së vonë të Rilindjes se ato të viteve njëzet, kur ishte në kulm të energjive të veta. Botoi gazetën e përjavshme politike e letrare që nuk zgjati shumë, Shkumini, në qytetin e lindjes Elbasan nga prilli 1921 deri në janar 1922. Kjo gazetë kishte edhe një shtojcë letrare të quajtur Shkumini letrar, ku patën mundësi të botonin talente të reja të Shqipërisë së mesme. Papajani përmendet për një numër prozash të gjata, disa prej tyre me temë historike. Ndër to janë: Pelazgë, qytetnim, vllazni!, 1923; Bardhushi, letra atdhetare, Tiranë 1930; dhe Fatbardhi,1934. Veç tyre, ai shkroi një pjesë teatrale me titullin Moisi Golemi, 1928, dhe botoi disa vëllime me vjersha: Osman-Marija, Bukuresht 1913, Vjersha, Korçë 1922, dhe Ndreka, 1925. Asnjë prej këtyre krijimeve, të botuara kryesisht në revista të viteve njëzet, nuk dëshmon për ndonjë talent apo mjeshtëri letrare të veçantë. Papajani vdiq në Tiranë më 25 mars 1945.

Prifti jezuit Zef M. Harapi (50) (1891-1946) nga Shkodra botoi në fillim romanin sentimental Pushka e trathtarit, Shkodër 1914, gjatë Luftës së Parë Botërore, në të përmuajshmen jezuite Përparimi. Pushka e trathtarit është një orvatje e hershme për të shkruar një roman me frymë romantike. I shkruar me një stil të gjallë por të ngatërruar, ai vë në qendër hakmarrjen dhe drejtësinë sipas kanunit në malësinë e Shqipërisë së veriut në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Sikundër mjaft vepra të kësaj kohe në prozë, ky roman 200 faqesh është aq shumë i ngjeshur me veprim, me imtësi të tepërta e digresione, sa që lexuesi e ka të vështirë të ndjekë fillin e ngjarjeve. Një roman i dytë i këtij autori, Peng a rob?, u botua numër pas numri

__________________________________________________ _________________

49 kr. Mann 1955, f. 95-96.

50 kr. Koliqi 1973b, dhe Kongoli 1983.
__________________________________________________ _________________

në të përmuajshmen jezuite Leka të Shkodrës nga 1930 deri më 1933, dhe nuk përbën ndonjë hap përpara në krahasim me të parin. Zef M. Harapi, që nuk do ngatërruar me Anton ose Ndue Harapin (1888-1945), ka qenë edhe autor i dy pjesëve historike: Oso Kuka, 1921, dhe i pjesës me pesë akte Mustafë Pasha i Shkodrës, Shkodër 1923, që u luajt për herë të parë nga ansambli Bogdani më 28 nëntor 1923. Zef Harapi kishte studiuar në Kolegjin Saverian në Shkodër, të themeluar nga jezuitët më 1877, dhe kishte qenë mësues në Pejë, Durrës e më pas në qytetin e lindjes Shkodër. Përmendet si një bashkëpunëtor i rregullt i revistave periodike shkodrane si Hylli i Dritës, 1913-1944, Përparimi, 1914-1916, Lajmtari i Zemers t'Jezu Krishtit, 1914-1944, Leka, 1929-1944 dhe i almanakëve Vepra pijore.

Tregimtari Kolë Mirdita (1900-1936), që përdorte edhe pseudonimin Helenau (akronimi i emrave Heine dhe Lenau), lindi në Shkodër më 24 janar 1900 dhe studioi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Gracit në Austri. Në vitet njëzet ky universitet kishte pranuar një numër të mirë studentësh shqiptarë. Sikundër Migjeni dhe Gaspër Pali, Mirdita vdiq në moshë të re nga tuberkulozi (3 tetor 1936) pa e zhvilluar talentin deri në fund. Helenau përmendet për tregimet e shkurtra, ndonëse shkroi edhe poezi dhe dy pjesë, ndër to edhe një tragjedi për vdekjen e Skënderbeut. Poezia dhe nëntë tregimet e shkurtra iu përmblodhën pas vdekjes në vëllimin modest Trandafila që s'çelin për ne, Tiranë 1959.

Një prozator i së majtës që, ashtu si Sterjo Spasse, nisi të shkruajë e të botojë në vitet tridhjetë e që vazhdoi karrierën letrare, me bekimin e autoriteteve komuniste, në dekadat e para të periudhës enveriste ishte Nonda Bulka (51) (1906-1972). Lindur në fshatin Leusë të Përmetit, Bulka studioi në liceun francez të Korçës, ku ka studiuar edhe Enver Hoxha (1908-1985). E përfundoi atë më 1929 dhe vazhdoi studimet, ashtu si Hoxha, për pak kohë në Francë. U kthye në Shqipëri në fillim të viteve tridhjetë për të punuar si mësues dhe shumë shpejt do të shfaqte prirje për letërsi e gazetari. Bulka bëri emër si publicist e satirik duke trajtuat tema të ndryshme shoqërore, kurse më pas si tregimtar e poet. Sprovat plot humor e herë-herë me ironi të mprehtë si dhe skicat në prozë, të botuara me pseudonimin Chri-Chri, u bënë të njohura për kritikën therëse ndaj kushteve politike e shoqërore nën regjimin e Zogut. Në artikullin e shkurtër Horizonte të reja për letërsinë kombëtare, të botuar më 1932 në të përmuajshmen e Tiranës Minerva, ai mundohej të bindë lexuesin se, ndonëse letërsia klasike kishte vendin e vet të paprekshëm në kulturë, në letërsinë e shekullit të njëzetë ndihej nevoja për diçka të re, që do të pasqyronte njeriun bashkëkohës dhe aspiratat e tij.
<BLOCKQUOTE>"Në botën e qytetëruar filloi qysh prej kohe revolucioni letrar: një Rolan në Francë, një Ada Negri në Itali, Mani në Gjermani, Shou dhe Uellsi në Angli, Gorki në Rusi, Drajzeri dhe Sinkleri në Amerikë, Unamunoja në Spanjë, Tagora në Lindje, janë flamurtarë të një bote të re, nga e cila duhet zhdukur hipokrizia dhe interesi. Përkthimet e Dantes dhe të Petrarkës janë xhevahirë të çmuar në letërsinë kombëtare, por atdheu ynë do të kishte nevojë për vepra më të gjalla, më moderne, më të përshtatshme, se njerëzit paralelisht me artin, duhet të stërvitin edhe logjikën."</BLOCKQUOTE>Kjo pikëpamje për letërsinë ishte krejtësisht e kundërt me atë të shkrimtarit më tradicional Gjergj Fishta (1871-1940) dhe të shkollës katolike shkodrane, si dhe të mjaft prozatorëve sentimentalë të romantizmit kombëtar më të vonshëm. Bulka, së bashku me Migjenin (1911-1938) dhe me veteranin e luftës civile të Spanjës Petro Marko (1913-1991), i dha kështu tonin letërsisë përparimtare e të angazhuar në Shqipëri në vitet tridhjetë. Skicat e tij

__________________________________________________ _________________

51 kr. M. Gurakuqi 1961, Xhaxhiu 1979, Qosja 1988, f. 252-273, dhe S. Gashi
1995.
__________________________________________________ _________________

të shkurtëra u botuan fillimisht në vëllimin Kur qan e qesh bilbili, Korçë 1934, dhe pas lufte Bulka u ngrit lart nga kritikët marksistë. Ndonëse ishte një zë kritik i kohës dhe i kulturës që i përkiste, Nonda Bulka nuk na u prezantua si publicist i madh, ndërsa si talent letrar nuk mund të lëvdohet. Ndër botimet e tij pas lufte, nga viti 1950 e derisa vdiq, kemi tregime të shkurtra deri në njëzet faqe dhe poezi, që për nga niveli artistik shkojnë nga niveli mediokër deri tek ai tmerrësisht i dobët. Ajo zemërata e zjarrtë e Chri-Chrisë që pati në moshën e rinisë shkoi e vate. Janë tregime artificiale e jobindëse, jo vetëm për mungesë talenti, por sidomos sepse hipokrizia politike e periudhës enveriste nuk lejonte më kritikë sociale të vërtetë. Një përmbledhje me krijime të tij është botuar gjithashtu anglisht me titullin Sketches and short stories, Tiranë 1984.

Vedat Kokona (l. 1913), prozator, poet, kritik dhe përkthyes, ka lindur më 7 gusht 1913 në Izmir, Turqi, në një familje të nderuar të shtresës së mesme nga Gjirokastra. I ati Elmaz Kokona kishte punuar në shërbimin civil osman si avokat. Pak kohë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, familja Kokona u vendos në Tiranë, ku Vedati ndoqi shkollën fillore. Më pas, pati fatin e mirë të pranohej në liceun francez në Korçë, një nga shkollat e mesme më të mira asokohe në Shqipëri. Viteve të kësaj shkolle u përkasin dhe vjershat e tregimet e para të tij. Kur po kryente këtë shkollë më 1935, Kokona fitoi çmim në një konkurs letrar, çka i dha mundësinë financiare për të udhëtuar jashtë. Si fryt i udhëtimit atë vit në Itali, Gjermani, Suedi dheDanimarkë ishte botimi i ditarit me shënime udhëtimi Nga Tirana në Stokholm, Tiranë 1935, një nga librat e parë të këtij lloji të botuar në gjuhën shqipe. Po më 1935 Kokona nisi të studiojë për drejtësi në Paris, ku ndenji deri në fillim të vitit 1939, vite që do të ushtronin një ndikim të thellë mbi pikëpamjet dhe stilin e prozës së tij. Me t'u kthyer në Shqipëri, punoi si mësues i gjuhës frënge në po atë shkollë të mesme të Korçës, ku kishte qenë nxënës, dhe botoi një numër vjershash dhe prozash origjinale në revistën e përmuajshme të Ernest Koliqit Shkëndija. Më 1941 u transferua në gjimnazin e shtetit në Tiranë, ku dha mësim për një vit. Për shkak të trysnisë politike dha dorëheqjen më 1942 dhe i hyri profesionit të tij të fillimit, avokatisë. Në shkurt 1944, së bashku me Mitrush Kutelin, Nexhat Hakiun dhe Sterjo Spassen, ai themeloi dhe kryesoi redaksinë e së përdyjavshmes Revista letrare, jetëshkurtër, por me ndikim në jetën kulturore, e cila më pas do të damkosej si fashiste. Prejardhja e tij gjirokastrite dhe studimet në liceun e Korçës, të cilin e kishte kryer në tetor 1930 edhe Enver Hoxha (1908-1985), kanë qenë ndoshta ato që e shpëtuan nga përndjekjet e drejtpërdrejta gjatë spastrimeve të intelektualëve pas luftës. Në vitet e para të pasluftës, i padëshirueshëm si avokat, ai iu kthye punës si mësues i frëngjishtes në një shkollë të mesme në Tiranë, kurse nga 1949 deri më 1965 si përkthyes në shtëpinë botuese shtetërore Naim Frashëri. Nga 1965 e derisa doli në pension dha frëngjishten në Universitetin e Tiranës.

Pjesa më e madhe e veprave me interes letrar të Kokonës u botuan gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndër to janë dy vëllime me poezi: Dritë dhe hije, Tiranë 1939, përmbledhje me nëntëmbëdhjetë vjersha introspektive dashurie, dhe ai me satira Shtatë prilli, Mussoliniada, Tiranë 1943. Si prozator, Kokona përmendet kryesisht për vëllimin Yje të këputur, Tiranë 1940, përmbledhje e shtatë tregimeve me frymë moderniste, që e paraqitnin si një ndër prozatorët më të talentuar e më origjinalë të viteve të luftës. Në këto rrëfime e në dhjetë tregime të tjera të botuara veç e veç në revista të kohës, lexuesi ndien lidhjet e autorit me rrymat e prozës franceze që nga Gystav Floberi (Gustave Flaubert, 1821-1880) e deri te letërsia intelektuale e viteve tridhjetë. Ndër veprat e mëvonëshme të Kokonës janë romani me dy pjesë Me valët e jetës, Tiranë 1961, 1965, dhe drama Hijet e natës, Tiranë 1966. Vedat Kokona gjithashtu përktheu shumë klasikë të letërsisë së përbotshme, si Pier Kornej (Pierre Corneille, 1606-1684), Zhan Rasin (Jean Racine,1639-1699), Uilliam Shekspir (William Shakespeare, 1564-1616), dhe Leon Tolstoi (1828-1910), Maksim Gorki (1868-1936) dhe Xhon Gollsuorthi (John Galsworthy, 1867-1933), si dhe hartoi fjalorët mjaft të kërkuar frëngjisht-shqip (1966) dhe shqip-frëngjisht (1977).

Figura ndoshta më interesante ndër prozatorët minorë të periudhës parakomuniste, qoftë si njeri e qoftë si autor, është Musine Kokalari (52) (1917-1983) nga Gjirokastra. Kokalari ka qenë e para shkrimtare femër në Shqipëri, dhe e vetmja deri në vitet 1960. Lindur më 10 shkurt 1917 në Adana, në Turqinë jugore, në një familje atdhetare dhe politikisht aktive me prejardhje nga Gjirokastra, Kokalari u kthye në Shqipëri me familjen më 1920. Që në moshë të njomë do të hidhej pas librave dhe dijes, duke përfituar edhe ngaqë i vëllai Vejsim mbante një librari në Tiranë në mesin e viteve tridhjetë. Në janar 1938 vajti në Romë për të studiuar letërsi në universitet dhe e përfundoi atë më 1941 me një studim për Naim Frashërin. Qëndrimi në qytetin e përjetshëm i çeli një dritare për të parë për pak kohë një botë magjepsëse krijimtarie intelektuale, dhe synimi i saj i vetëm me t'u kthyer në Shqipëri ishte që të bëhej shkrimtare. Më 1943 i tha një shoqeje: "Dua të shkruaj, të shkruaj, e vetëm të shkruaj letërsi artistike dhe të mos kem të bëj fare me politikë." Dhe vërtet, në moshën njëzet e katër vjeç, kishte botuar tashmë një përmbledhje të parë 80 faqesh me dhjetë rrëfime rinore në prozë, të shkruara në dialektin e vendlindjes Gjirokastër: Siç më thotë nënua plakë, Tiranë 1941. Kjo përmbledhje historike, e frymëzuar fuqishëm nga folklori toskë dhe nga mundimet e përditshme të grave në Gjirokastër, mendohet se është e para vepër letrare e shkruar dhe e botuar nga një grua në Shqipëri. Kokalari e quajti këtë libër "pasqyrë e një bote të perënduar, shtegu i kapërcimit nga vajzëria në mes të këngëve, një nusëri për ta hedhur gruan prapë në vargonjtë e rëndë të robërisë së fanatizmit." Tre vjet më pas, me gjithë peripecitë e luftës civile, Kokalari, tani njëzet e shtatë vjeç, mundi të botojë një përmbledhje të vëllimshme me tregime e skica me titull ... sa u-tunt jeta, Tiranë 1944, gjithsej 348 faqe. Kjo vepër e afirmoi si shkrimtare me brumë, ndonëse për një kohë të shkurtër. Një vëllim i tretë me rrëfime me frymë popullore qe Rreth vatrës, Tiranë 1944. Ndërsa Luftës së Dytë Botërore po i vinte fundi, Kokalari vetë hapi një librari dhe u ftua të bëhej anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve, të themeluar më 7 tetor 1945 nën kryesinë e Sejfulla Malëshovës (1901-1971). Gjithë kohën asaj i fanitej ekzekutimi pa gjyq i dy vëllezërve të saj, Mumtaz dhe Vejsim, më 12 nëntor 1944 nga komunistët dhe haptazi kërkonte drejtësi e shpagim. Duke pasë qenë e lidhur ngushtë më 1944 me Partinë Socialdemokrate Shqiptare të sapolindur dhe me organin e saj Zëri i lirisë, ajo u arrestua më 17 janar 1946 në atmosferën e terrorit, që shoqëroi rënien e Malëshovës, kurse më 2 korrik 1946 u dënua me njëzet vjet burgim nga gjykata ushtarake e Tiranës si 'sabotatore dhe armike e popullit'. Tetëmbëdhjetë vitet e tjera të jetës i kaloi në burgun famëkeq të Burrelit, e veçuar dhe në vëzhgim të vazhdueshëm, e përndjekur dhe e ngacmuar nga zyrtarët harbutë e të pashkollë të burgut. Grua e vrarë shpirtërisht, u lirua rreth vitit 1964 dhe e caktuan të punojë fshesare në qytetin e Rrëshenit. Musine Kokalari, dikur rrëfimtare e talentuar, u përndoq deri në ditët e fundit të jetës. Ajo vdiq më 14 gusht 1983.

Krijime të tjera modeste në prozë në periudhën e pavarësisë dhanë Lazër Lumezi (1870-1941) nga Prizreni, autor tregimesh, dramash dhe tekstesh shkollore; ati françeskan Anton (Ndue) Harapi (53) (1888-1946) nga Shkodra, i ekzekutuar në Tiranë më 19 shkurt 1946, i cili përmendet për romanin e shkurtër Valë mbi valë të botuar në disa numra në revistën Hylli i Dritës nga 1939 deri më 1942, dhe për veprën në prozë, me 222 faqe e njëzet e dy kapituj Andrra e Prêtashit, Romë 1959, botuar pas vdekjes; Ismet Toto (1908-1937), botues dhe prozator nga Progonati i Labërisë; Aliko Vançi, autor i dy romaneve të shkurtra dhe i një përmbledhjeje me tregime; Andon S. Frashëri (1892-1965), botues i Diellit të Bostonit dhe autor i romaneve të shkurtër: Patrioti, Korçë 1933, dhe I funtmi i Kastriotëvet, Tiranë 1944; Llambi Dardha, autor i dy romaneve me temë kombëtare: Kthimi i Skënderbeut në Krujë,

__________________________________________________ _________________

52 kr. Mandia 1995.

53 kr. Plasari 1994a.
__________________________________________________ _________________

Korçë 1929, dhe Dëshmorët e lirisë, Korçë 1933; Dionis Miçaço, publicist dhe gjykatës i mbajtur në burg nga 1947 deri më 1957; si dhe Mustafa Greblleshi (1922-1986), autor i romanit sentimental Gremina e dashunis, Tiranë 1944, i cili u burgos për dy vjet më 1947. Pas shpalljes së pavarësisë në nëntor 1912 proza u zhvillua e u kthye në një gjini që mund ta quajmë me peshë në letërsinë shqiptare. Megjithatë, krahasuar me letërsinë Perëndimore, niveli letrar i përgjithshëm në vitet njëzet e në fillim të viteve tridhjetë të kujton në rastin më të mirë romanin sentimental evropian të shekullit të tetëmbëdhjetë dhe mjaft nga letërsia moralizuese e mesit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, për shembull atë të fillimeve të Anglisë Viktoriane. Fryma e romantizmit kombëtar të Rilindjes vazhdoi të jehojë në shpirtin e shumë shkrimtarëve pa mjeshtëri teknike e pa aftësi për të krijuar vepra me nivel të mirëfilltë artistik.

_______________________
L.VETEVENDOSJE!
Feja e Shqiptarit është Shqiptaria
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://www.mjeksia-grup.tk
dr.FjoollaaH™
WebMaster
WebMaster


<b>Postime</b> Postime: 9044

MesazhTitulli: Re: Histori e Letërsisë Shqiptare   Sun Jun 20, 2010 5:40 pm

10.8 Zhvillimi i dramaturgjisë shqiptare deri më 1944




Teatri profesionist është prerogativë e një shoqërie qytetare. Në Shqipëri, e cila gjithmonë ka patur një popullsi shumicën fshatare, pa qendra të mëdha qytetesh deri vonë, dramaturgjia nuk u zhvillua kurrë deri aty ku u zhvilluan poezia dhe proza, dhe as pati ndonjë forcë të madhe tërheqëse për publikun shqiptar. Prandaj, lidhur me dramaturgjinë shqiptare pak gjë mbetet për të thënë për periudhën para gjysmës së dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe, në të vërtetë, po ashtu pak për teatër profesionist para gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë. Megjithatë, me fillimin e shekullit të njëzetë, në Shqipëri drama lindi të paktën si gjini letrare e pavarur. Pjesët e para teatrale shqiptare u shkruan në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë e madje disa prej tyre u vunë në skenë nga grupe amatore.

Në moshë të re Jeronim De Rada (1814-1903), figura kryesore e letërsisë arbëreshe e shekullit të nëntëmbëdhjetë, shkroi një pjesë teatrale shqip, të cilën për arsye botimi e përktheu italisht. Kjo ishte tragjedia 75-faqëshe I Numidi, Napoli 1846 (Numidët). Këtë vepër, me ngjarje që zhvillohen në Kartagjenën e lashtë në kohën e Hanibalit, e kishte shkruar më 1841, por nuk ia pëlqyen as miqt e as adhuruesit e tij të shumtë. Një gjysmë shekulli më pas, në moshë të thyer, autori iu kthye dhe e ripunoi, përsëri në përkthimin italisht, duke e kthyer në pjesën me pesë akte Sofonisba, dramma storico, Napoli 1892 (Sofonisba, dramë historike).

Drama origjinale shqiptare më e hershme e ruajtur deri më sot është një vepër melodramatike, Emira e shkrimtarit arbëresh Françesk Anton Santori (1819-1894) nga fshati Picilia (ital. Santa Caterina Albanese) në krahinën e Kozencës. Emira u botua me mjaft gabime, pjesërisht në revistën e përmuajshme arbëreshe Fiàmuri Arbërit në nëntor 1887 dhe më tej në antologjinë shqipe të Jeronim De Radës më 1896. Një botim bashkëkohor është bërë më 1984 nga Françesko Solano (l. 1914). Veprimi ndodh në Kalabrinë e autorit në kohë revoltash sociale të shkaktuara nga fushata e vitit 1861 kundër cubave. Personazhet kryesore në këtë dramë të parë në gjuhën në shqip, dorëshkrimin e së cilës e kemi, janë Emira dhe Kalina, dy vajza fshatare që dashurojnë të dyja Mirjanin, birin e një bujku të pasur. Mirjani, i plagosur në përpjekje me cubat, burgoset pa të drejtë nga kolonel Fumeli. Lirimi i tij më pas dhe martesa e Emirës me Mirjanin e sjellin dramën drejt një fundi të lumtur në mos të sipërfaqshëm. Santori ka shkruar edhe një numër pjesësh të tjera melodramatike, komedi e tragjedi, por jo të gjitha të përfunduara. Këto mbetën vetëm në dorëshkrim. Ndër to janë tragjedia Jeroboam dhe melodrama skënderbejane Alessio Dukagino, kjo e dyta e shkruar midis viteve 1855 e 1860, që u botuan më 1983 nga Françesko Solano.

Ideologu dhe dijetari i Rilindjes Sami Frashëri (1850-1904) është autori i një pjese me 180 faqe në turqishte me titull Besa yahud ahde vefa (Besa ose mbajtja e fjalës). U shfaq për herë të parë më 6 prill 1874 në skenën e 'Osmanli Tiyatrosu' (Teatri Osman) në Konstantinopojë dhe u botua atje një vit më vonë. Besa u përkthye shqip nga Abdyl Ypi Kolonja më 1901, kurse anglisht nga Nelo Drizari (1902-1978) me titullin Pledge of honour, an Albanian tragedy, Nju Jork 1945 (Besa, një tragjedi shqiptare). Në këtë vepër me temë shqiptare, disi melodramatike për shijet e sotme, shkrimtari përdëllehet për dilemën tragjike të një babai shqiptar, i cili më mirë mund të vrasë të birin sesa të shkelë besën, fjalën e dhënë.

Drama e parë në gjuhën shqipe e shkruar brenda në Shqipëri është një pjesë e shkurtër fetare me titullin Nata Këshnellavet, Shkodër 1880, nga prifti dhe poeti françeskan Leonardo De Martino (1830-1923) me prejardhje nga fshati arbëresh Greçi në krahinën e Avelinos. Një tjetër autor katolik shkodran, Pashko Babi (1843-1905), ka shkruar nga të parat pjesë teatrale shqiptare I biri i çifutit, që dihet se është shfaqur më Kolegjin Saverian të Shkodrës në shkurt 1882.

Një yll i ndritur, në qiellin e zbehtë të teatrit shqiptar, në agim të shekullit të njëzetë ka qenë aktori Aleksandër Moisiu (54) (1879-1935). Moisiu ka lindur në Trieste, asokohe pjesë e Austro-Hungarisë, me baba shqiptar nga Kavaja e me nënë arbëreshe. Pas fëmijërisë në Trieste, Durrës dhe Grac, Aleksandri njëzetvjeçar u vendos me të ëmën dhe dy motrat në Vjenë. Aty në Vjenë, me nxitjen dhe përkrahjen e aktorit austriak Jozef Kainz (1858-1910), nisi karriera e njërit prej aktorëve më të mëdhej të skenës në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit të njëzetë. Vitet e tjera e çuan në Pragë e pastaj në Berlin, ku gëzoi ndihmën dhe përkrahjen e Maks Rajnhardit (Max Reinhardt, 1873-1943). Moisiu e shoqëroi Ansamblin e Rajnhartit në Rusi më 1911 dhe u ngrit lart në Sankt Petërburg nga kritiku dhe dramaturgu Anatoli Lunaçarski (1875-1933) për interpretimin e rolit te Edipit. Ndër rolet e tjera për të cilët Aleksandër Moisiu përmendet më shumë janë Hamleti, Fausti, Fedja në pjesën Kufoma e gjallë të Lev Tolstoit, dhe Dubedati në Dilema e doktorit të Xhorxh Bernard Shout. Edhe pse në radhë të parë aktor i skenës, Moisiu luajti edhe në dhjetë filma nga viti 1910 deri më 1935, nga të cilët shtatë qenë pa zë dhe tre me zë. Pjesa e shkruar prej tij 'I burgosuri', për vitet e fundit të Napoleonit në ishullin e Shën Helenës, nuk pati sukses. Aleksandër Moisiu vdiq më 22 mars 1935 dhe prehet në varrezat Morkote (Morcote) mbi liqenin e Luganos në Zvicër.

Brenda në Shqipëri, në fillim të shekullit të njëzetë u vu re një rritje e madhe e numrit të pjesëve të shkruara, por pak u vunë në skenë. Një numër trupash amatore ishin krijuar në të dy qendrat kryesore kulturore të Shqipërisë, Shkodra dhe Korça, ndër to edhe shoqëria dramatike 'Vaso Pasha' e ngritur në Shkodër më 1913. Kjo bërthamë e parë e teatrit shqiptar u krijua me nismën e shkrimtarit dhe personalitetit politik Hilë Mosi (1885-1933), i cili ishte jo vetëm themeluesi, por edhe sekretar i saj. Për më tepër ai interpretoi vetë në shfaqjet e para. Trupa të tjera amatore lindën edhe nëpër qendra më të vogla: Durrës, Vlorë, Pogradec, Elbasan, Berat, Gjirokastër dhe Boboshticë, por shfaqjet qenë të rralla dhe pa ndonjë mjeshtëri artistike. Një pjesë e mirë e këtij kapitulli të teatrit shqiptar është ende e padokumentuar. Kurse teatri profesionist mbeti një institucion i huaj për këtë periudhë në Shqipëri.

Shumica e autorëve të periudhës së vonë të Rilindjes u përqëndruan në poezi e në fushën e botimeve, por qenë edhe disa që u morën diçka edhe me dramaturgjinë. Shkrimtari dhe komiti Mihal Grameno (1871-1931) nga Korça është autori i komedisë me tri akte në vargje Mallkimi i gjuhës shqipe, Bukuresht 1905, me ngjarjet që shtjellohen në Korçë më 1886, e që satirizon orvatjet greke 'për të qytetëruar' shqiptarët; si dhe tragjedia me temë historike në katër akte Vdekja e Piros, Sofje 1906, për mbretin e Epirit (319-273 para erës sonë). Kjo pjesë kushtuar 'të pavdekurit vjershëtor edhe të madhit mëmëdhetar: Naim Be Frashërit', u vu në skenë në Uuster

__________________________________________________ _________________

54 kr. Kosova 1971, V. Moisiu 1979, 1980, dhe Foniqi 1994.
__________________________________________________ _________________

(Worcester) të Masaçusetsit në SHBA në janar 1914 dhe vazhdoi të ishte një nga pjesët shqiptare më popullore deri në vitet 1940.

Një tjetër dramaturg tipik rilindës ishte gazetari dhe poeti Namik Selim Delvina (1875-1933), autor i dramës në tetë akte Dashurija e mëmëdheut, Selanik 1909, e ngjeshur me ndjenja të larta e plot sentimentalizëm, që pëlqeheshin nga lexuesit e kohës. Poeti i Rilindjes së vonë Andon Zako Çajupi (1866-1930), i cili pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Egjipt, mori emër si dramaturg pas vdekjes me Burr' i dheut, Kajro 1937, tragjedi në vargje e shkruar më 1907. Kjo dramë mjaft e dobët me temën fort të rrahur të Skënderbeut u botua më 1937 pas vdekjes së poetit. Çajupi ka shkruar edhe një komedi origjinale me një akt, Pas vdekjes, 1910, edhe kjo e botuar së pari në Kajro më 1937 nga Sofokli Çapi. Komedia në katër akte në vargje Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër mbeti e pabotuar sa qe gjallë, kurse një pjesë tjetër në vargje, me titull Detyra, ka humbur.

Sikundër mund të pritet, shkrimtarët e shkollës katolike shkodrane, përveç temave kombëtare, trajtuan edhe ato fetare. Shtjefën Gjeçovi (1873-1929), prift françeskan dhe folklorist nga fshati i Janjevës në jug të Prishtinës, ka qenë autori i një numri veprash letrare e shkencore të shkruara në disa famulli fshati në malësinë e Shqipërisë së veriut, ku dhe shërbeu. Gjeçovi gjithashtu ka lënë gjithsej tridhjetë e tetë vepra origjinale të pabotuara. Ndër to janë shtatë pjesë me tema kombëtare, që trajtojnë kryesisht epokën historike të Skënderbeut. Nga këto pjesë mund të përmenden Dashtnia e atdheut, 1901, Prijës i dy Dibrave, 1902, Mojsi Golemi dhe tragjikomedia Mark Kuli Kryenqitës, të cilat edhe pse aspak të përpunuara, kanë vendin e tyre në historinë e hershme të dramaturgjisë shqiptare. Gjeçovi gjithashtu ka përkthyer dhe botuar Atil Reguli, Shkodër 1912, përkthim i tij në shqip i pjesës me tri akte 'Atilio Regolo' nga poeti dhe melodramaturgu italian Pietro Metastazio (1698-1782).

Një prift tjetër françeskan, Gjergj Fishta (1871-1940), personaliteti letrar kryesor e më i fuqishëm në Shqipërinë e paraluftës, ka qenë autor jo vetëm i poezive të shquara epike e lirike, por edhe i disa pjesëve teatore që kanë ndihmuar për zhvillimin e dramaturgjisë shqiptare. Vepra e parë dramatike e tij, një pjesë satirike, Shqyptari i gjytetnuem 1911, edhe pse herë-herë jo e zhdërvjellët, paraqitet si një vepër me mjeshtëri të jashtëzakonshme gjuhësore. Më vonë, ai shkroi pjesën tjetër me titull Shqyptarja e gjytetnueme. Fishta shpesh ishte ankuar për mungesën e dramaturgjisë shqiptare dhe, duke u përpjekur për ta mënjanuar këtë mungesë, përshtati një numër klasikësh të huaj për lexuesin shqiptar, ndër ta I ligu per mend, Shkodër 1931, të Molierit dhe Ifigenija n'Aullí, Shkodër 1931, të Euripidit. Kjo e fundit bën aludime për klimën politike të kohës. Ndër veprat e tjera dramatike që shkroi ose përshtati, janë pjesë teatrore të shkurtra me frymë fetare, si pjesa me tri akte për Krishtlindjet Barìt e Betlêmit; pjesa me 99 faqe Sh' Françesku i Asisit, Shkodër 1912; tragjedia Juda Makabé (55), Shkodër 1923; pjesa 76 faqesh Sh. Luigji Gonzaga, Shkodër 1927; Hajrija, një tragjedi kombëtare në kohën e vezirëve; dhe Jerina, ase mbretnesha e luleve, Shkodër 1941, që është dhe vepra e fundit e botuar prej tij sa ishte gjallë. Me kriteret e sotme, asnjëra nga këto drama nuk mund të quhet e arritur, ndonëse aty-këtu gjuha e disave prej tyre është e përpunuar. Por po të krahasohen me vepra të natyrës sentimentale e të romantizmit kombëtar të autorëve të tjerë, atëhere subjekti i këtye dramave është njëfarë lehtësimi.

Prifti jezuit Anton Xanoni (1862-1915), i shkolluar në kolegje katolike të Spanjës, Kroacisë, Italisë dhe Polonisë, përmendet jo vetëm për poezinë, legjendat, përkthimet, një gramatikë, tekste shkollore dhe një roman, por edhe për një pjesë me temë historike me titullin Skënderbegu ose t'liruemit prej zgjedhës së turkut, Shkodër 1917, një nga dramat e shumta shqiptare të kohës me temën e Skënderbeut (1405-1468), heroi kombëtar i Shqipërisë. Kjo pjesë me pesë akte, e shkruar më 1914 dhe e botuar tre vjet më pas, nuk pati ndonjë nivel të lartë për

__________________________________________________ _________________

55 kr. Hamiti 1995b.
__________________________________________________ _________________

_______________________
L.VETEVENDOSJE!
Feja e Shqiptarit është Shqiptaria
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://www.mjeksia-grup.tk
dr.FjoollaaH™
WebMaster
WebMaster


<b>Postime</b> Postime: 9044

MesazhTitulli: Re: Histori e Letërsisë Shqiptare   Sun Jun 20, 2010 5:40 pm

teatrin. Por u ka mbetur besnike fakteve të historisë siç interpretoheshin në atë kohë, duke u dalluar nga veprat e tjera letrare me këtë temë.

Nga të gjitha trupat teatrore të ngritura në Shqipëri midis dy luftërave, ato që ecën më mirë, qenë të Shkodrës, ndër to shoqëria Vllaznia, e cila jetoi nga 1919 deri më 1922, shoqëria Rozafat, dhe shoqëria Bogdani, e cila qe formuar më 1919 dhe vazhdoi deri më 1939. Drejtues i kësaj të fundit nga 1922 deri më 1928 ka qenë prifti jezuit dhe shkrimtari nga Shkodra Zef M. Harapi (1891-1946). Në fillim të viteve njëzet shoqëria Bogdani vuri në skenë një numër dramash historike të tij, si Oso Kuka,1921, Flamuri i Shqipërisë do të mbretnojë, 1922, dhe Mustafë Pasha i Shkodrës, kjo e fundit e dhënë për herë të parë në Shkodër më 28 nëntor 1923.

Nga autorët e tjerë katolikë shkodranë, që provuan të shkruajnë drama në këtë periudhë, duhet përmendur prifti jezuit dom Ndoc Nikaj, (1864-1951), shpesh i cilësuar si babai i prozës shqiptare të shekullit të njëzetë. Përveç shumë vëllimesh në prozë, studimesh dhe veprimtarish botuese, Nikaj ka shkruar edhe një dramë modeste për vajza me titullin Motra për vllàn, 1921,me interes të paktë letrar.

Më tepër sukses si dramaturg ka pasur prifti katolik Ndre Zadeja (1891-1945) nga Shkodra. Lindur më 3 nëntor 1891, Ndre Zadeja ndoqi kolegjin jezuit në Shkodër para se të dërgohej në Insbruk për kualifikim fetar. Me t'u kthyer në Shqipëri, u emërua sekretar i kryepeshkopit të Shkodrës Jak Serreqi, kurse më pas qe famullitar në një numër fshatrash të Shqipërisë së veriut, si në Dush, Bogë, Shkrel dhe Sheldi, ku pjesën më të madhe të kohës së lirë e kalonte duke shkruar. Krijimtaria e tij përfshin poezi, një pjesë e së cilës është botuar, ndër to edhe një vjershë 291 vargjesh (56) drejtuar bashkëkohësit të vet, studiuesit të shquar jezuit Fulvio Kordinjano (Fulvio Cordignano, 1887-1952). Por Zadeja përmendet më shumë si autor i një numri pjesësh teatrale me frymë kombëtare me tema nga historia e nga legjendat, të cilat u vunë në skenë në Shkodër në vitet njëzet e tridhjetë. Ndër to janë melodrama Ora e Shqipnis, 1919; Hijet e zeza, 1921, legjendë, që u shfaq për herë të parë nga shoqëria Bogdani më 8 maj 1921; Ruba e kuqe, pjesë me tri akte e shfaqur për herë të parë nga Schola Cantorum e Katedrales së Shkodrës më 19 dhjetor 1937; melodrama me tri akte Rozafa, Shkodër 1941, legjendë e rëndë për ndërtimin e kështjellës së Shkodrës, shfaqja e parë e së cilës u dha më 26 prill 1936 nga Schola Cantorum për nder të imzot Gasper Thaçit e imzot Vinçenc Prennushit; pjesa me temë patriotike Rreth flamurit; Shpella e Bogdanit, 1937, pjesë që ka humbur, si dhe Rrethimi i Shkodrës 1477-1478. Kjo e fundit e ka marrë frymëzimin nga vepra De obsidione Scodrensi, Venedik 1504 (Rrethimi i Shkodrës), e historianit Marin Barleti (rreth 1450-1512), dhe u dha për herë të parë më 25 prill 1937 në Kolegjin Saverian. Mjaft nga krijimtaria e Ndre Zadejës mbeti e pabotuar dhe pas Luftës së Dytë Botërore ai pak u njoh si shkrimtar. Zadeja u arrestua më 4 shkurt 1945 dhe pas një gjyqi të rremë u ekzekutua më 25 mars të atij viti.Thuhet se para se të vihej në rresht për muri te oborri i kishës për t'u pushkatuar, priftin dramaturg së bashku me nëntë të tjerë i torturuan e i detyruan të hapin varrin me duart e tyre.

Fan Noli (1882-1965), shtetar, udhëheqës fetar ortodoks, shkrimtar e përkthyes, shkrimet e të cilit, së bashku me ato të Gjergj Fishtës, përfaqësonin një hap cilësor përpara në letërsinë shqiptare të fillimit të shekullit të njëzet, karrierën letrare e nisi me një dramë me tri akte me titull Israilitë dhe Filistinë, Boston 1907. Kjo tragjedi me dyzet e tetë faqe u shkrua në Athinë, kur Noli po mundohej të nxirrte jetesën si aktor i ri. Duke u nisur nga gjuha dhe nga karriera teatrore e Nolit në Greqi në atë kohë, ka të ngjarë që autori njëzetvjeçar ta ketë shkruar në fillim në greqishten popullore dhe pastaj ta ketë hedhur në shqipe, ose tek e fundit t'i ketë shkruar të dyja paralelisht. Kjo pjesë, e mbështetur në Librin e Gjyqtarëve 13-16 të Dhiatës së Vjetër, ka në qendër betejën e Samsonit kundër Filistinëve dhe tradhtinë që i bëri Dalila. Është nga të rrallat pjesë shqiptare të kohës që nuk e mbyt sentimentalizmi para se të mbyllet në

__________________________________________________ _________________

56 kr. Zadeja 1942.
__________________________________________________ _________________

mënyrë të cekët melodramatike. Por për shkak të arsyetimeve të zgjatura filozofike dhe të gjuhës arkaike ajo nuk pati jehonë në publikun e gjerë shqiptar. Noli vetë e shihte si 'sqelet drame' dhe si 'foshnjë-dramë pa shpërginj fare', kurse më pas u pendua edhe që e kishte botuar. Për autorin mund të ketë qenë thjesht punë rinore, por ajo mbetet në nivelin e dramave të tjera shqiptare të kohës.
Me sa duket Noli ka shkruar edhe pjesë të tjera greqisht atëherë, por asnjëra nuk ka mbetur. Çka gjenden sot, janë përkthimet e shkëlqyera prej tij të pjesëve të Uilliam Shekspirit (1564-1616) e të dramaturgut norvegjez Henrik Ibsen (1828-1906), krijime që e njohën për herë të parë publikun shqiptar me disa nga klasikët e dramaturgjisë botërore. Me Shekspirin ai ishte njohur për herë të parë që në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare si nxënës shkolle në Edrené. Një trupë teatri greke kishte ardhur një ditë në qytet për të vënë në skenë Hamletin dhe, meqë dy nga aktorët qenë analfabetë, Noli i ri hyri në punë si sufler, duke mësuar kësisoj tekstin e Hamletit dhe të Otellos më mirë se aktorët vetë. Një nga punët e para të Nolit me të mbërritur në Shtetet e Bashkuara më 1906, na e thotë vetë ai, ishte vajtja në Teatrin Kesll Skuer (Castle Square) në Boston për të parë në origjinal pjesët e Shekspirit. Më pas Faik Konica i propozoi t'i ndanin bashkë të gjitha pjesët e Shekspirit për t'i përkthyer shqip. Noli, nga ana e tij, filloi nga kjo punë. Përkthimi i Otellos u shtyp më 1916, kurse përkthimet po aq shprehëse të Makbethit, Hamletit dhe Jul Qesarit u botuan të gjitha në Bruksel më 1926. Po në atë kohë ai përktheu, pa dyshim nga anglishtja, dy pjesë të Ibsenit, një tjetër autor ky i dashur fort prej tij:En Folkefiende, 1882 (Armiku i popullit, Bruksel 1926), dhe Fru Inger til Østeraad, 1857 (Zonja Ingra e Ostrotit, Bruksel 1926).

Kristo Floqi (1873-1951) nga Korça ishte ndoshta dramaturgu më popullor shqiptar në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë. Lindur më 1873 (disa burime japin vitin 1876), Floqi studioi për drejtësi në Athinë, ku dhe e ushtroi këtë profesion me mbarimin e studimeve e deri më 1899. U kthye më pas në vendlindje, Korçë, qyteti më i pasur i Shqipërisë asokohe, dhe vazhdoi të ushtrojë profesionin për gjashtë vjet. Kaloi një kohë në Stamboll, me sa duket për të mësuar turqishten, por pjesëmarrja aktive në lëvizjen kombëtare e detyroi të mos rrinte në një vend, por të shkonte sa në Korçë, në Greqi ku i ati punonte tregtar, në Vlorë e deri në Shtetet e Bashkuara. Në Boston, Floqi u bë botues i së përjavshmes në gjuhën shqipe Dielli në shtator 1911, si dhe ishte bashkëthemelues me Fan Nolin dhe Faik Konicën i shoqërisë Vatra. Në Nju Jork, botoi të përjavshmen jetëshkurtër Zër' i popullit në dimrin 1912-1913.

Me shpalljen e pavarësisë Floqi u kthye në Shqipëri te Ismail Qemal bej Vlora (1844- 1919) në Vlorë dhe punoi për të ngritur një sistem të ri gjyqësor për këtë shtet të vogël sovran. Thuhet se ka qenë i pari që ka shkruar procedurë gjyqësore në gjuhën shqipe. Kur Vlora u pushtua, Floqi u shpërngul në Shkodër ku ngriti një zyrë juridike që ushtroi veprimtari gjatë Luftës së Parë Botërore. Në maj 1919 nisi botimin e së përmuajshmes Agimi, organ i shoqërisë Vllazenija. Më 1920 u bë kryetar i gjykatës së apelit në Shkodër. Në dhjetor të atij viti u caktua ministër i arsimit e më pas këshilltar shteti. Atij i takojnë edhe disa nga tekstet e para juridike të shkruara shqip. Pas Luftës së Dytë Botërore Floqi u arrestua nga komunistët, sikundër dhe mjaft intelektualë të paraluftës që nuk kishin ikur nga vendi, dhe vdiq aty nga viti 1951 pas shtatë vjetësh burgimi. Kristo Floqi qe shkrimtar prodhimtar. Popullaritetin ia solli jo aq niveli letrar i veprave të tij sesa kënaqësia e thellë që pjesët e tij u jepnin shikuesve dhe lexuesve. Është autor i katër tragjedive me tema historike kombëtare, shtatëmbëdhjetë komedive dhe skeçeve, i disa vëllimeve poetike, teksteve juridike, politike e pedagogjike si edhe i disa përkthimeve nga Sofokliu, Euripidi e Molieri. Drama e tij me katër akte në vargje Fe e kombsi, 1909, me ngjarje që shtjellohen në fshatin shqiptar më 1831, tregon për një bej të ri mysliman, me emrin Gani, që bie në dashuri me vajzën e krishterë Maro, shërbëtore në sarajet e të atit. Drama të tjera historike janë Karllo Topija, 1916, me pesë akte; tragjedia po në pesë akte Pirro Neoptolemi, 1923, e frymëzuar nga Andromache e Rasinit; dhe pjesa me katër akte Triumfi i lirisë, Korçë 1938. Ndër shtatëmbëdhjetë komeditë me humor, më të njohurat përmenden: farsa me katër akte Qerthulli politik, Tiranë 1922; skeçet me një akt Dhëndërr me përdhuni, botuar në Diellin e Bostonit më 1912; Vllazní e interesë; si dhe E bija e bankjerit.

Një autor tjetër i kësaj periudhe, veprat dramatike të të cilit nuk janë harruar krejtësisht është Milo Duçi (1870-1933), jo vetëm figurë kombëtare e botues, por edhe poet e dramaturg, sidomos në vitet e fundit të jetës në Egjipt. Duçi është autori i të paktën gjashtë pjesëve, ndonëse asnjëra me nivel. Pjesa e tij me tri akte Nderi, Konstancë 1921, kushtuar dramaturgut Viktor Eftimiu (1889-1972), është një rrëfim melodramatik i një tragjedie familjare, që i ndodh djaloshit Mitë kur e detyrojnë të martohet me Vesën, në mënyrë që prindët të shtien në dorë prikën e saj. Pjesa me dy akte I bir' i begut, Kajro 1921, mendohet se është përshtatje nga një origjinal francez. E thëna, Kajro 1922, me tri akte, është pjesërisht autobiografike, por, ashtu si të tjerat, pa ndonjë emocion të vërtetë. Gruaja e parë e la Duçin me të dy djemtë dhe u martua me një tjetër. Edhe Duçi u martua prapë dhe pati fëmijë të tjerë me gruan e dytë. Marrëdhëniet e ndërlikuara të këtyre fëmijëve nga martesa të ndryshme përbëjnë subjektin e kësaj drame skematike. Pjesët e tjera të Duçit, si ajo me katër akte Nora, drama në vargje Gjaku, e vënë në skenë në Vlorë më 1920, dhe tragjikomedia me një akt Të vdekurit e të gjallët janë më pak të njohura.

Foqion Postoli (1889-1927) nga Korça ka qenë autor i një proze dhe dramaturgjie tepër sentimentale edhe po të gjykohet me kriteret e kohës së vet. Ndër veprat e tij përmenden: pjesa melodramatike me katër akte Detyra e mëmës, Boston 1925, e vënë në skenë në Korçë në maj 1927 nga autori e nga piktori Vangjush Mio (1891-1957) dhe në Durrës më 1936 nga Sokrat Mio (l. 1902); pjesa me gjashtë akte Lulja e kujtimit, Korçë 1921, e botuar më vonë edhe si roman po aq sentimental;Për mprojtjen e atdheut, e vënë në skenë më 1936, po nga Sokrat Mio; dhe pjesa me një akt Martesa e një avokati, e shkruar më 1927 pak para vdekjes. Kjo e fundit është një komedi e pabotuar për jetën e mërgimtarëve shqiptarë në Nju Inglënd (New England).

Si rival i tij në aspektin sentimental e melodramatik ka qenë Haki Stërmilli (1895-1953) nga Dibra. Trilogjia e Stërmillit me temë kombëtare, e përbërë prej pjesës me katër akte Dibranja e mjerueme, Tiranë 1923, prej asaj me gjashtë akte Dashuni e besnikeri, Tiranë 1923, dhe prej pjesës me pesë akte Agimi i lumnuëshëm, Tiranë 1924, mbështetet në ngjarje historike të Dibrës e të viseve pranë saj, krahinave të Manastirit e të Matit gjatë Luftërave Ballkanike më 1912 e 1913. Dy personazhet kryesorë në pjesën e parë, Ali Vorfi dhe Zejnel Drini, janë dy studentë në Akademinë ushtarake turke në Manastir, që përpiqen për të afirmuar qenien e tyre kombëtare në një kohë konfliktesh e rrëmuje. Ngjarjet në pjesën Dashuni e besnikeri, e cila u botua pak muaj më vonë dhe ka kryesisht po ata personazhe, shtjellohen në Dibër më 1913 dhe në Tiranë më 1920. Pjesa e tretë dhe e fundit, Agimi i lumnuëshëm, fillon me vitin 1921 dhe mbulon në retrospektivë ngjarjet nga 1913 deri në 1921. Kjo trilogji, ndonëse një nga krijimet kryesore të dramaturgjisë shqiptare në vitet njëzet, mund të vlerësohet vetëm në lidhje me kohën kur u shkrua. Artistikisht është e dobët në kompozicion, subjekti është artificial dhe i paorganizuar mirë, personazhet nuk janë jetësorë e të besueshëm. Drama shqiptare ishte në shpërgënj në atë kohë, dhe Stërmilli i ndjente fare mirë dobësitë e veta. Në parathënien për pjesën Dibranja e mjerueme, ai shprehej se e kishte shkruar për t'i shërbyer letërsisë dhe historisë së Shqipërisë, duke shtuar: "Besoj se të tjerët ma të zotët e pendës se unë, do të përpiqen me qitë në dritë të këtilla vepra më të çmueshme e kështu kanë me e pasunue bibliotekën e dramave shqiptare."

Mehdi bej Frashëri (1874-1963) ishte një tjetër prozator e figurë politike e shquar në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë, veprat e të cilit janë shpërfillur mjaft për arsye politike. Pjesa me temë historike në pesë akte e Mehdi Frashërit Trathëtia, Tiranë 1926, është një krijim tipik i dramaturgjisë shqiptare në mesin e viteve njëzet. Me ngjarjet shtjelluar në shekullin e

_______________________
L.VETEVENDOSJE!
Feja e Shqiptarit është Shqiptaria
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://www.mjeksia-grup.tk
dr.FjoollaaH™
WebMaster
WebMaster


<b>Postime</b> Postime: 9044

MesazhTitulli: Re: Histori e Letërsisë Shqiptare   Sun Jun 20, 2010 5:41 pm

pesëmbëdhjetë, epoka e qëndresës së Skënderbeut kundër turqve,Trathëtia vuan nga po ato dobësi të shumë pjesëve të tjera të periudhës. Veprimi është aq i bollshëm dhe detajet janë aq të shumta, saqë lexuesi shpesh hutohet e nuk di nga t'ia mbajë për të ndjekur fillin e subjektit. Kurona i moshuar, sundimtar i Beratit, i çon fjalë Skënderbeut në Krujë për t'i thënë se turqit kanë mbledhur forca afër Përmetit dhe kanë ndër mend të marrin Beratin sapo të vdesë Kurona. Kjo do të ishte humbje strategjike për princin shqiptar dhe braktisje e mbesës së bukur të Kuronës, Maries, në duart e armikut. Maneshi, mëkëmbës i Skënderbeut, nxiton për në Berat me trupa shqiptare dhe merr në dorë kështjellën, për çka dëshpërohet shumë rivali i tij Araniti. Me vdekjen e Kuronës, Araniti kryen një akt tradhtie duke marrë anën e turqve dhe me ndihmën e tyre e shpall veten sundimtar të Beratit. Marien, e cila ka rënë në dashuri me përkthyesin e Maneshit, Gjeloshin, e marrin dhe e shpien në harem në Stamboll. Gjeloshi në fund e gjen Marien, kur dëgjon dhe njeh këngën e saj të vajit brenda mureve të haremit, e shpëton dhe e shpie, të veshur si djalë, në një anije venedikase, që e pret në breg. Të dy të rinjtë e dashuruar venë në Shqipëri për të takuar në kështjellën e Krujës Skënderbeun, i cili pastaj çliron Beratin dhe kap rob Aranitin, duke marrë hak kështu për aktin e ulët të tradhtisë.

Dramaturgu dhe poeti Etëhem Haxhiademi(57) (1902-1965), lindur më 8 mars 1902 në Elbasan, ka qenë ndoshta dramaturgu më i mirë i periudhës së pavarësisë. Shkollën e mesme e ndoqi në Leçe (Itali) rreth vitit 1918 e në Insbruk (Austri) më 1919-1923, dhe studioi për shkenca politike në Berlin (1923) dhe Vjenë. Në këto vite ai bashkëpunoi me revistat letrare Kopështi letrar të Elbasanit dhe Djalëria, organ i shoqatës së studentëve shqiptarë në Vjenë. Në vjeshtën e vitit 1928 Haxhiademi u kthye në Shqipëri për të punuar në detyra qeveritare. Ishte prefekt i Lushnjës etj., si dhe drejtor drejtorie në Ministrinë e Brendshme në Tiranë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte drejtor i administratës bashkiake në Shqipëri dhe anëtar i Institutit të ri të Studimeve Shqiptare në Tiranë. Më 1945, menjëherë pas luftës, u bë anëtar i Lidhjes së sapoformuar të Shkrimtarëve dhe kryetar i degës së saj për Elbasanin. Më 1946 qe edhe mësues i gjuhës shqipe në Shkollën Normale të Elbasanit. Në kohën e gjuetisë së shtrigave më 1946-1947, Haxhiademi u arrestua e u dënua me vdekje. Bibliotekën dhe dorëshkrimet ia konfiskuan. Me ndërhyrjen e njerëzve me influencë Aleksandër Xhuvani (1880-1961) dhe Omer Nishani (1887-1954) dënimi me vdekje iu kthye me burgim të përjetshëm. Vdiq më 17 mars 1965, pasi kishte punuar për shumë vjet si përkthyes në burgun e Burrelit.

Haxhiademi ishte autor i një përkthimi të shquar në hekzametër të Bukolikeve të Virgjilit (1932) dhe të një vëllimi 73 faqesh me poezi të trishtuar Lyra, Tiranë 1939. Megjithatë, formimi i thellë evropian perëndimor i tij gjeti shprehje më të plotë në tragjeditë klasike sipas modeleve greke e latine. Tri tragjeditë e para në pesë akte të Haxhiademit u botuan si trilogji: Ulisi, Tiranë 1931, shkruar në Berlin më 1924; Akili,Tiranë 1931, shkruar në Vjenë më 1926; dhe Aleksandri,Tiranë 1931, shkruar në Lushnjë më 1928. Pastaj vjen Pirrua, shkruar në Gjirokastër më 1934, tragjedi kjo mbi një temë tashmë të trajtuar nga Mihal Gramenoja më 1906 dhe Kristo Floqi më 1923. Pjesa me pesë akte Skënderbeu, Tiranë 1935, e përfunduar në Gjirokastër më 1 maj 1935, u pasua nga dy kryevepra të mrekullueshme: Diomedi, Tiranë 1936, dhe Abeli, 1939 në varg njëmbëdhjetërrokësh. Edhe pse trajtonte figura të mitologjisë dhe historisë së lashtë, Haxhiademi ato i shihte sikur të ishin pjesë e trashëgimit të vetë Shqipërisë.

Në mesin e viteve tridhjetë ai shkruante:
<BLOCKQUOTE>"Në tragedit e mija të maparëshme mâ tepër më ka tërhekun landa në vetëvehte se sá themat kombëtare. Me 'Ulisin' e 'Akilin' kam dashun të thur dy tragedi me dy kryetrimat e epopevet homerike Odyssen e Iliada. Me 'Aleksandrin' e 'Pirron' dy tragedi qi të kenë për protagonista dy kreshnikë të historis s'onë përpara Krishtit, ndonse për ta dyshohet</BLOCKQUOTE>__________________________________________________ _________________

57 kr. Matraxhiu 1991b.
__________________________________________________ _________________
<BLOCKQUOTE>vërtetësija Shqiptare. Këtë herë, tyke e ditun se popullit t'onë i pëlqejnë themat kombëtare, paraqis tragedin 'Skënderbeu' me protagonist heron t'onë kombëtar." </BLOCKQUOTE>Dy pjesët e fundit të Haxhiademit iu kushtuan temës së vëllavrasjes. Në Diomedi, mbreti Daun i Ilirisë ikën në Itali ku formon një mbretëri në Pulje. Në luftën me fqinjët e tij mesapë, Daunin e shpëton Diomedi, i cili ka ardhur aty nga Troja. Si shpërblim Dauni i ofron Diomedit dorën e së bijës Euipe, por ajo dashuron fshehurazi vëllanë e Diomedit, Alanin. Dy të dashuruarit e mashtrojnë mbretin duke i mbushur mendjen se Diomedi po komploton për t'i marrë fronin, gjë që e bën Daunin të njoftojë se të bijën do t'ia japë për grua atij që vret rivalin. Alani, i errur sysh nga ambicja dhe i çmendur pas Euipes, e vret të vëllanë në gjumë dhe mëton të marrë Euipen për grua. Por mbreti Daun është tepër i tronditur nga vëllavrasja e ulët dhe e dëbon Alanin nga mbretëria. Abeli më 1939, një tjetër histori vëllavrasjeje, merr temën e mirënjohur nga Dhiata e Vjetër, temën e Kainit dhe Abelit. Kur perdja bie në atë skenë dëshpërimi, dëgjojmë zërin e Adamit që mallkon birin e vetëm të mbetur gjallë:
<BLOCKQUOTE>"Qofsh i mallkuë, i poshtun, ti për jetë;
Prej nesh edhe prej Zotit të vërtetë.
Zemra e jote kurr mos paft gëzime;
N'mjerimin tand na gjetshim ngushullime.
Ti qi na dhe për pleqëni kët' tmerr,
Të bift n'vend t'grunit n'arën tande ferr'.
Jo vetëm ti por edhé fëmijt t'uëj,
Mënin e madhe paçin të gjithkuëj.
Paçin bashk' me urrenjtjen e njerzis,
Mallkimet e Krijuësit të gjithsìs."
</BLOCKQUOTE>Me tragjeditë e Haxhiademit aktorët shqiptarë për herë të parë patën në dorë një material që i kapërcente dramat me tema kombëtare, ndonëse me nivel të ulët, ku nuk mungojnë shfrimet sentimentale të periudhës së vonë të Rilindjes. Publiku i gjerë mund të ketë pëlqyer më shumë farsat humoristike të shtresave të mesme të Kristo Floqit, nacionalizmin pa peshë të Mihal Gramenos dhe sentimentalizmin patetik të Foqion Postolit, ndërkaq edhe tragjeditë e Etëhem Haxhiademit nuk kaluan pa u vlerësuar. Ato u luajtën mjaft në vitet tridhjetë e në fillim të viteve dyzet, në fillim nga trupa amatore të dala nga Shkolla Normale e Elbasanit e më pas edhe në Tiranë e gjetkë. Hapi cilësor i letërsisë shqiptare në mesin e viteve tridhjetë mund të mos ketë qenë aq i madh në dramaturgji sa ç'kishte qenë në poezi e në prozë, por e rëndësishme është se ky hap është bërë edhe në dramaturgji, dhe prandaj, për të parë krijimtarinë më të mirë në këtë fushë, duhet t'u kthehemi dramave klasike të Etëhem Haxhiademit tani për tani të harruara.

Nga dramaturgët minorë të dekadave para Luftës së Dytë Botërore mund të përmenden edhe: Lazër Lumezi (1870-1941) nga Prizreni, autori i komedisë me një akt Makaronat e shejtanit, 1935; Filip Papajani (1878-1945) nga Elbasani, i njohur me pseudonimin Lipi, autor i dramës Moisi Golemi, 1928; Vinçenc Prennushi (1885-1949), autor, përveç poezive, edhe i pjesës me pesë akte Prej robnije në liri, Shkodër 1931, me subjekt nga vitet e para të Krishterimit; studiuesi, botuesi dhe poeti Ilo Mitkë Qafëzezi (1889-1964) nga Korça, autor i një komedie didaktike me titull Dhaskal Gjoka, apo shkolla korçare e qëmoçme, Korçë 1936, si dhe një përkthim i Salome, Korçë 1926, të Oskar Uajlldit (1854-1900); Kostandin Kotte (vd.ca.1974 në burgun e Burrelit?) që përmendet për pjesën me tri akte Shperblimi i gjaksís, Zadar 1929, me subjekt nga koha e ashpër e Ali pashë Tepelenës (1740-1822); Petro Harizi, botues gazete dhe autor i krijimit modest Triumphi i legalitetit, Korçë 1933; si dhe studiuesi klasik Henrik Lacaj (1910-1991) nga Shkodra, që përmendet për përkthimet e veprave të Plautit.__________________

_______________________
L.VETEVENDOSJE!
Feja e Shqiptarit është Shqiptaria
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://www.mjeksia-grup.tk
dr.FjoollaaH™
WebMaster
WebMaster


<b>Postime</b> Postime: 9044

MesazhTitulli: Re: Histori e Letërsisë Shqiptare   Sun Jun 20, 2010 5:41 pm

10.9 Zeniti kulturor i mesit të viteve tridhjetë



Për gati një çerek shekulli pas shpalljes së pavarësisë (28 nëntor 1912), shkrimtarët dhe intelektualët shqiptarë vazhduan të frymëzohen nga idetë dhe idealet e lëvizjes së Rilindjes të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Por me vitet tridhjetë kultura shqiptare pati hyrë në një etapë të re. Vërshimi i ideve të reja nga jashtë dhe shkalla më e lartë e arsimimit të rregullt dhe formimit të intelektualëve i hapi portat drejt përparimit kulturor. Gjatë një dhjetëvjeçari letërsia dhe kultura shqiptare lulëzuan si kurrë më parë, në fillim në Shkodër e më pas në Tiranë e në mbarë vendin.

Në mesin e viteve '30, brenda pesë vjetësh ishte hedhur një hap cilësor përpara në letërsinë shqiptare. Në poezi Lasgush Poradeci botoi përmbledhjet me lirika mahnitëse Vallja e yjeve, Konstancë 1933, dhe Ylli i zemrës, Bukuresht 1937; Migjeni i sëmurë nga tuberkulozi ia kishte dalë mbanë ta çonte në shtyp përmbledhjen e tij Vargjet e lira, Tiranë 1936, para se ta ndalonin për të qarkulluar e para se vdekja ta ndërpriste karrierën e tij të shkurtër letrare; kurse Gjergj Fishta doli me variantin përfundimtar të poemës së tij të pashoqe Lahuta e malcís, Shkodër 1937, me tridhjetë këngë. Proza shqiptare përjetoi botimin e romanit nihilist Nga jeta në jetë - Pse!?, Korçë 1935, të Sterjo Spasses; e përmbledhjes së dytë me tregime të Ernest Koliqit, Tregtar flamujsh, Tiranë 1935; e romanit shumë të lexuar e me kritikë sociale Sikur t'isha djalë, Tiranë 1936, të Haki Stërmillit; e vëllimit të parë me rrëfenja Netë shqipëtare, Bukuresht 1938, të Mitrush Kutelit. Migjeni, gjithashtu, brenda pesë vjetësh nga 1933 deri 1938, botoi njëzet e katër nga skicat e tij të fuqishme në prozë në organe shtypi dhe përfundoi dorëshkrimin e Novelat e qytetit të veriut, 1936. Në dramaturgji, Etëhem Haxhiademi bëri për vete publikun intelektual me tragjeditë e tij klasike që, edhe pse jonovatore në konceptim e në brendi, dëshmuan një përpunim gjuhësor të paparë në skenën shqiptare.

Gazetaria e publicistika, që kishin vazhduar të luanin rolin kryesor në afirmimin e kulturës kombëtare në Shqipëri që nga epoka e Rilindjes, përparuan me ritëm aq të vrullshëm sa edhe vetë letërsia. Nga një numër i madh të përjavshmesh me frymë kombëtare e me jetë të shkurtër dhe revistash mujore të dorës së dytë që dolën në qytete të ndryshme të Ballkanit, lindi një industri gazetarie e botuese me nivel të mirë në shërbim të përhapjes së informacionit, qoftë ky politik, kulturor apo letrar. Me gjithë strukturat politike primitive që mbizotëronin në Shqipëri nën regjimin despotik të Ahmet Zogut (1895-1961), tani Zogu I, Mbret i Shqiptarvet, shtypi pati për çudi një zhvillim liberal. Sa kohë që botuesit nuk e sulmonin familjen mbretërore dhe politikën e jashtme të monarkisë, ata mund të shtypnin pak a shumë çdo gjë që dëshironin. Censurë kishte, si në çdo diktaturë, dhe disa organe shtypi edhe u mbyllën, por ajo nuk arriti kurrë ato përmasa të tmerrshme kontrolli si në periudhën pas 'çlirimit'. Krahasuar me vende të tjera në vitet tridhjetë e dyzet, në Shqipëri u botuan më pak libra. Në radhë të parë për shkak se mungonte një zhvillim ekonomik i përgjithshëm, sepse Shqipëria qe vendi më i varfër në Evropë dhe sepse shkalla e analfabetizmit qe akoma mjaft e lartë. Mundësia për të lexuar ishte privilegj i një pakice të vogël, e kryesisht i meshkujve. Prandaj rritja e menjëhershme e krijimtarisë letrare serioze, madje lulëzimi i një kulture të qëndrueshme shqiptare të të shkruarit, qe në një masë të madhe në varësi të organeve letrare të shtypit të kohës, të cilët jo vetëm u ofronin shumë shkrimtarëve dhe ideve tribuna për t'i shprehur, por edhe i vinin këta shkrimtarë e këto ide në dispozicion të njerëzve anembanë vendit.

Organet e shtypit katolik të Shkodrës vazhduan të luanin një rol madhor në përhapjen e ideve. E përmuajshmja françeskane Hylli i dritës, e themeluar dhe redaktuar nga Gjergj Fishta, rifilloi botimin në janar 1930 dhe vazhdoi të ndikojë në jetën kulturore gjatë Luftës së Dytë Botërore derisa u detyrua të ndërpresë botimin në korrik 1944, shumë kohë pas vdekjes së Fishtës. Një e përmuajshme tjetër françeskane, Zâni i Shna Ndout, edhe pse me orientim më të madh fetar, ofroi mjaft material letrar derisa u mbyll më 1944. Leka, e përmuajshme jezuite për arsim, kulturë dhe zbavitje, gjithashtu u botua në Shkodër nga prilli 1929 deri më 1944. Për bashkësinë myslimane, që përbënte shumicën në Shqipëri, ishte e përmuajshmja Zâni i naltë, e botuar në Tiranë nga tetori 1923 deri më 1939, e cila i njihte dhe i informonte lexuesit me të kaluarën dhe të tanishmen e kulturës islame në Shqipëri e në Lindjen e Mesme. Për fuqizimin e kulturës së shkruar në Shqipëri rol thelbësor luajtën sidomos tri revista. E përmuajshmja e ilustruar Minerva, e cila dilte si revistë e madhe letrare e jetës moderne, ishte një organ liberal që u botua në Tiranë nga gushti 1932 deri më 1936 me një këshill botues ku bënin pjesë Tajar Zavalani (1903-1966), skulptori Odhise Paskali (1903-1985), Nebil Çika (vd.1944) dhe Stefan Shundi (1906 - rreth v. 1944). Mjaft nga këta gazetarë qenë aktivë edhe në botimin nga marsi 1934 deri më 1936 në Tiranë të së përjavshmes kulturore Illyria, ku Migjeni botoi prozat dhe poezitë e para. Edhe Përpjekja shqiptare, e botuar nga tetori 1936 deri më 1939 nga Branko Merxhani (1894-1981) dhe e administruar për një farë kohe nga Petro Marko (1913-1991) pasqyronte një hap përpara e cilësor të letërsisë shqiptare. Jetëshkurtër, por jo pa peshë në përhapjen e ideve të reja të majta, qenë ABC, revistë dyjavore e botuar në Tiranë nga Petro Marko në mars 1936 dhe e mbyllur menjëherë nga autoritetet zogiste, dhe Bota e re e Korçës, organ i përdyjavshëm i organizatës komuniste të Korçës, i botuar nga prilli 1936 deri në shkurt 1937.

Revista më e madhe letrare e viteve të luftës ka qenë e përmuajshmja Shkëndija, korrik 1940-1943, e themeluar dhe drejtuar nga ministri i arsimit Ernest Koliqi (1903-1975). Madje edhe më 1944, në mes të asaj rrëmuje të luftës civile, ia dolën të botohen disa revista letrare jetëshkurtër por serioze: e përmuajshmja Fryma, e themeluar në janar 1944 nga Muzafer Pipa; e përdyjavshmja Revista letrare, e themeluar në shkurt 1944 nga Mitrush Kuteli (1907-1967), Vedat Kokona (l. 1913), Nexhat Hakiu (1917-1978) dhe Sterjo Spasse (1912-1989); dhe e përmuajshmja Kritika, e botuar në mars 1944 nga Arshi Pipa (l. 1920).

Me kalimin e kohës kultura e periudhës së vonë të pavarësisë erdhi e pasqyroi polarizimin midis Lindjes dhe Perëndimit. Shqipëria pak ishte takuar me idetë dhe idealet e Revolucionit të Tetorit në Rusi, ndonëse një numër i vogël figurash letrare kishin qenë në Bashkimin Sovjetik në kohën e Stalinit: Fan Noli (1882-1965), i cilësuar më pas si 'peshkopi i kuq', romancieri Haki Stërmilli (1895-1953), poeti rebel Sejfulla Malëshova (1900-1971) dhe Tajar Zavalani (1903-1966). Pabarazia tepër e dukshme në këtë vend të varfër të Ballkanit, e acaruar edhe më shumë nga një regjim diktatorial i prapambetur e moskokëçarës, si dhe rritja e fuqisë së Italisë fashiste, bënë që shumë intelektualë të viteve tridhjetë ta shihnin me interesim komunizmin sovjetik, ose të paktën socializmin në një formë të tij, si rrugë të ardhshme për kapërcimin e dallimeve klasore e për zhdukjen e shfrytëzimit të egër të shumicës së popullsisë. Ora e shkurtër e demokracisë kushtetuese në kohën e Fan Nolit më 1924 kishte marrë fund, kurse të gjitha orvatjet për reformë agrare, aq fort e nevojshme, ishin shtypur nga sundimtarët çifligarët. Polarizimi në ideologji u bë më i dukshëm më 1936 me shpërthimin e Luftës Civile në Spanjë. Poeti dhe romancieri i ri Petro Marko (1913-1991), së bashku me përkthyesin Skënder Luarasi (1900-1982) dhe një grup prej dyzet shqiptarësh, vajtën në fushëbetejat e Katalonjës për të marrë pjesë në Brigadat Internacionale. Marko pati rastin e mahnitshëm të takohej atje me Ernest Heminguein (1899-1961) dhe me shkrimtarë të tjerë të angazhuar. Idetë socialiste po fuqizoheshin në Shqipëri. Por, njëherazi, po fuqizohej edhe fashizmi.

Një nga figurat më interesante gjatë viteve tridhjetë ka qenë Branko Merxhani (58) (1894-1981), i cili pati bashkëpunuar me të përjavshmen Illyria të drejtuar nga Asim Jakova nga marsi 1934 deri më 1936 para se të botonte revistën e vet me influencë Përpjekja shqiptare në tetor 1936. Kjo e përmuajshme, që vazhdoi të botohej deri në fillim të vitit 1939, u ofroi lexuesve shqiptarë ja vetëm pjesë nga poezia e proza bashkëkohore shqiptare dhe përkthime nga letërsia e përbotshme, por edhe recensione librash e artikuj të hartuar mirë për filozofinë, sociologjinë, historinë, gjuhësinë, arkeologjinë, duke e njohur publikun shqiptar me veprat e filozofit Rene Dekart (René Descartes, 1596-1650) e të sociologëve Ogyst Komt (Auguste Comte, 1798-1857) dhe Emil Dyrkhaim (Emile Durkheim, 1858-1917). Revista u përpoq për një kritikë letrare serioze dhe për një ndihmesë të re intelektuale për të pasqyruar realitetin bashkëkohës. Merxhani ishte i vetëdijshëm dhe ndiente dhimbje për prapambetjen intelektuale të vendit prandaj bënte thirrje për një ringjallje shpirtërore, të cilën e quante Neoshqiptarizëm. Neoshqiptarizmi qe një rrymë intelektuale filozofike që lindi në shoqërinë shqiptare aty nga viti 1928, ndonëse rrënjët, sikundër theksonin ithtarët e saj, duheshin kërkuar në lëvizjen e Rilindjes. Nacionalistët shqiptarë të shekullit të nëntëmbëdhjetë i patën përqendruar të gjitha energjitë e tyre për të fituar pavarësinë nga Perandoria Osmane, por pavarësia vetë qe vetëm gjysma e punës. Ajo çfarë kërkohej tani, ishte të krijohej e të çimentohej një identitet kombëtar, një vetëdije shqiptare për ta nxjerrë popullin nga errësira e padija, d.m.th. ishte nevoja për një lëvizje kombëtare të dytë. Merxhani e quante Shqipërinë "një qënie e kufizuar së jashtëmi dhe e pakufishme së brëndshmi". Për herë të parë, së bashku me Vangjel Koçën (1900-1943), ai kishte mbrojtur e propaganduar ideologjinë nacionaliste të Neoshqiptarizmit më 1929 në faqet e së përjavshmes me tirazh të mirë Demokratia të Gjirokastrës dhe në revistën e përmuajshme jetëshkurtër me titull Neo-Shqiptarizmi, që kishte nisur botimin në korrik 1930 (59). Neoshqiptarizmi mbështetej në ideologjinë nacionaliste. Ai luftonte për progres social si themel të procesit intelektual, por nuk përkrahte rrugën e angazhimit të drejtpërdrejtë politik për shndërrime sociale ose për zhdukjen e strukturave tradicionale politike e sociale. Në formën e vet fillestare qe një lëvizje kulturore, jo politike, siç shihet edhe në parullën e Merxhanit Politikë s'ka! Vetëm kulturë! Megjithatë, vetvetiu, Neoshqiptarizmi erdhi e u bë kundërpeshë e ideologjive më fort politike të socializmit e të internacionalizmit të majtë. Ndonëse krijesë shqiptare, Neoshqiptarizmi do parë brenda kontekstit të ideologjive të tjera nacionaliste (60), që lindën në mbarë Evropën në vitet njëzet e tridhjetë dhe që, me hapa të ngadaltë por të sigurtë, u shkrinë për të formuar fashizmin evropian, i cili shumë shpejt do të degjeneronte në një diktaturë të egër e çnjerëzore. Themeluesi tjetër i Neoshqiptarizmit, Vangjel Koça (1900-1943), përkthyes i Epiktetit, Lukianit dhe Dekartit, dhe i njohur si gazetar me pseudonimet gazmore orientale Vangjo Nirvana apo Vangjo Knishna, do të bëhej udhëheqës i Partisë Fashiste pas pushtimit të Shqipërisë nga Musolini më 1939. U mbyt kur po orvatej të arratisej për në Itali më 7 gusht 1943.

Shkrimtarët shqiptarë të viteve tridhjetë qenë të magjepsur nga Perëndimi por edhe të shqetësuar për vendin që do të zinte Shqipëria në një Evropë që tani kishte një zhvillim të vrullshëm. Në revistat e kohës kjo ishte tema madhore e debateve letrare. Tashmë një numër i

__________________________________________________ _________________

58 kr. Merxhani 1996.

59 U botua vetëm një numër.

60 d.m.th. hellênikótêta greke, sidomos nën diktaturën e viteve 1936-1940 të gjeneralit Joannis Metaksa (1871-1941), italianitá të diktatorit italian Benito Musolini (1883- 1945), dhe hispanidad të Spanjës fashiste në regjimin e gjeneralit Francisko Franko (1892-1975).
__________________________________________________ _________________

madh intelektualësh kishin qenë jashtë dhe kishin parë me sytë e tyre shoqërinë e industrializuar Perëndimore. Duke ardhur nga një vend që, të citojmë thënien, "Zoti e do aq shumë, sepse pak ka ndryshuar që nga Krijimi", ata e ndienin forcën tërheqëse të Perëndimit, por qenë edhe të çoroditur e të zhgënjyer nga lëngimi oriental i Shqipërisë nën një monark me të vërtetë bizantin. Kjo joshje ndaj Perëndimit, sikundër interpretohej prej tyre, u përgjithësua më së miri nga djaloshi Migjen në vjershën Shpirtent shtegtarë, pjesë e ciklit të shkurtër Kangët e përndimit, e shkruar në pranverë 1934:
<BLOCKQUOTE>"Mramë një erë e ftohtë, acarr fryni nga ana e maleve
I shkundi shpirtent t'onë - e bashkë me gjethë të kësaj vjeshte
I muer andej kah dielli hijën si të përgjakët u a lëshon zallevet
- në Përndim, ku shtret e shkimet drita në pamundsinë e vet.

Enden shpirtent t'onë nepër vise të Përndimit të mrekullueshëm,
Bajnë të fala dhe me thane vendeve të shuguruem,
E të përtrimë ndër fluide të hekurit e të zjarmit - adhurueshëm
E me një credo gëzojnë qiellën me çagjë e të tymuem...

Në cilen, diku në skâj merimanga fatin trillon
Vetes dhe njerzís poshtë, që damaret e rrahin
(si të rrahunt trompete në vorresë) - ndërsá tue qa, kumbon
E thret kumbon' e fabrikës e njëmijti fishkllim si një fsham shkynë ajrin.

Shpirtent t'onë me një dashní tragjike ato vise i duejnë,
N'etër të kulluet a bajnë flî ndjenjat e vet mâ të holla.
E në nesërmen fatale kundrojmë një horizont me njolla...
... shtegtarë të mërguem, shpirtent t'onë n'origjinë po kthejnë."
</BLOCKQUOTE>Për këta intelektualë Perëndimi qe një nocion i papërcaktuar qartë. Për ironi, në Shqipëri ai përfaqësohej nga Italia e Musolinit, vendi më i afërt perëndimor fqinjë, që asokohe rivalizonte me Jugosllavinë për të shtrirë ndikimin e vet në këtë mbretëri të vogël malore. Pa kaluar shumë kohë debati intelektual mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me Perëndimin dhe rolin e saj në të u bë i tepërt e i kotë, kur trupat italiane kaluan Adriatikun dhe zbarkuan në Durrës, Vlorë e Shëngjin të Premten e Pashkëve, më 7 prill 1939, me synimin e patundur për të qëndruar aty, pavarësisht nga dëshira e vendësve.

U mbetet historianëve të përcaktojnë nëse përfshirja nën ombrellën kulturore të Italisë dhe më pas aneksimi politik i drejtpërdrejtë i Shqipërisë prej saj ka qenë, asokohe, arritje kulturore për këtë vend të vogël ballkanik apo jo. Në këtë punë ndërhyri shpejt lufta botërore. Polarizimi i ideve në Evropë midis Lindjes së re dhe Perëndimit të ri, midis doktrinave të komunizmit dhe fashizmit, shpuri në një konflikt kulmor në Shqipëri dhe gjetiu, duke e lënë vendin në mëshirën e ekstremistëve politikë e ushtarakë dhe, më në fund, duke i ulur në gjunjë shkrimtarët e intelektualët e të gjitha ngjyrimeve politike. Jeta intelektuale në mesin e viteve tridhjetë dhe fillimin e viteve dyzet, kishte arritur maja të papara, një zenit në kulturën e shkruar shqiptare. Një letërsi moderne ishte krijuar në Shqipëri dhe shteti më në fund kishte kaluar fëmininë e kishte ardhur në moshë. Qe ky një lulëzim i shkurtër në hijen e apokalipsit që do të vinte e që do të shuante flakën e krijimtarisë së vërtetë letrare për njëzet vjet me radhë. Gonxhja e njomë e letërsisë shqiptare do të këputej së shpejti dhe po aq shpejt do të priteshin edhe rrënjët e lules së porsaçelur.

_______________________
L.VETEVENDOSJE!
Feja e Shqiptarit është Shqiptaria
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://www.mjeksia-grup.tk
dr.FjoollaaH™
WebMaster
WebMaster


<b>Postime</b> Postime: 9044

MesazhTitulli: Re: Histori e Letërsisë Shqiptare   Sun Jun 20, 2010 5:41 pm

11. LETËRSIA NËN REGJIMIN E ENVER HOXHËS (1944-1985) DHE DALJA NGA IZOLIMI





11.1 Kushtet politike dhe historike




Më 28 nëntor 1944 forcat fitimtare komuniste nën komandën e Enver Hoxhës (1908-1985) hynë në Tiranë, ku dhe vendosën selinë e Qeverisë Demokratike të Shqipërisë. Trembëdhjetë muaj më pas, më 11 janar 1946, u shpall zyrtarisht Republika Popullore e Shqipërisë, kurse më 14 mars të atij viti hyri në fuqi një kushtetutë e modelit sovjetik, që ndryshoi rrjedhën e historisë shqiptare. Rrënjët e komunizmit shqiptar duhen kërkuar në fund të viteve njëzet. Grupe mërgimtarësh, ndër ta edhe shkrimtari e politikani Fan Noli (1882-1965), kishin ngritur një Komitet Nacional Revolucionar (KONARE) në Vjenë për t'iu kundërvënë diktatorit Ahmet Zogu (1895-1961), i cili pati marrë pushtetin në dhjetor 1924. Ky komitet vendosi lidhje me Internacionalen Komuniste (Komintern) në Moskë, nga edhe mori mbështetje financiare. Ndër figurat e para të lëvizjes komuniste shqiptare ka qenë Ali Kelmendi (1900-1939), i shkolluar në Bashkimin Sovjetik, i cili u kthye në Shqipëri më 1930 për të organizuar celula komuniste në Korçë, Tiranë e gjetiu. Përpjekja e tij për t'i bashkuar këto grupe nuk u arrit plotësisht, dhe kjo për shkak të grindjeve midis fraksioneve. Më 1941, komunistët jugosllavë të udhëhequr nga Josip Broz Tito (1892-1980) ngarkuan dy emisarë, Dushan Mugoshën (1914-1973) dhe Miladin Popoviqin (1910-1945), për t'i bashkuar grupet e ndryshme ilegale në luftën e përbashkët kundër pushtuesve fashistë. Partia Komuniste Shqiptare, e krijuar më 8 nëntor 1941, u rrit vrullshëm gjatë viteve të pushtimit italian e gjerman dhe doli fitimtare në luftën e përgjakshme civile me rivalin e vet, organizatën e rezistencës Balli Kombëtar. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie të re ishte ambiciozi Enver Hoxha nga grupi i Korçës, i cili kishte fituar mjaft përvojë në përballimin e intrigave të vazhdueshme dhe grindjeve fraksioniste për ta bashkuar partinë në një lëvizje të fuqishme.

Me të filluar punën, qeveria e re mori masa të menjëhershme për të fuqizuar pushtetin. Në janar 1945 në Tiranë u ngrit një gjykatë speciale e kryesuar nga Koçi Xoxe (1917-1949), ministri i ri i brendshëm nga Korça, për të gjykuar 'kriminelët kryesorë të luftës'. Kjo gjykatë zhvilloi disa gjyqe spektakolare që zgjatën për muaj të tërë, në të cilët qindra kundërshtarë të vërtetë apo të dyshimtë të regjimit u dënuan me vdekje ose me afate të gjata burgimi. Me anë të një tatimi të posaçëm, u konfiskuan prona dhe pasuri private, duke eliminuar kështu klasën e mesme, kurse industria u shtetëzua. Në gusht 1945 filloi një reformë agrare rrënjësore, që në të vërtetë fshiu e zhduku të gjithë klasën e çifligarëve, e cila e kishte sunduar vendin që nga shpallja e pavarësisë më 1912. Në të njëjtën kohë, u bënë përpjekjet e para për të luftuar analfabetizmin, i cili mbante nën hijen e vet të errët 80% të popullsisë. Përveç ekonomisë së shkatërruar dhe revoltave antikomuniste në disa pjesë të vendit, regjimit të ri iu desh të përballej edhe me një varg problemesh të mëdha të politikës së jashtme. Greqia e quante veten ende në gjendje lufte me Shqipërinë, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara ishin keqësuar menjëherë, kurse lidhjet me Britaninë e Madhe u bënë shumë të ndera pas të ashtuquajturit incident të Kanalit të Korfuzit (61), ku një destrojer britanik u hodh në erë nga një minë në bregdetin shqiptar. Edhe marrëdhëniet me Jugosllavinë fqinje arritën në një fazë të pasigurtë lidhur me

__________________________________________________ _________________

61 kr. Gardiner 1966 dhe Leggett 1974.
__________________________________________________ _________________

çështjen e Kosovës. Kur gjermanët u tërhoqën nga Shqipëria veriore në fund të vitit 1944, Kosova, e cila kishte qenë ribashkuar me Shqipërinë disa vjet më parë, u mor nga partizanët jugosllavë. Atje u kryen masakra të fshehta kundër popullsisë shqiptare, që akuzohej për bashkëpunim me gjermanët. Problemi i Kosovës në fillim do të zgjidhej sipas parimit të vetëvendosjes, d.m.th. me plebishit, por Titoja, duke e kuptuar se kurrë nuk do të fitonte përkrahjen e nacionalistëve serbë, i bindi udhëheqësit komunistë shqiptarë më 1943 që të mos kishin më shpresë te zbatimi i 'një zgjidhjeje marksiste'. Një ide e propozuar si zgjidhje për problemin shqetësues të Kosovës qe bashkimi i Jugosllavisë dhe Shqipërisë në një shtet të vetëm.

Udhëheqja komuniste në Shqipëri, pak kohë pasi mori pushtetin, qe e ndarë në dy kampe. Njëra palë, e përfaqësuar nga poeti Sejfulla Malëshova (1900-1971), i ngarkuar me punët e kulturës, mbronte tezën se Shqipëria duhet të zhvillonte një politikë të jashtme të pavarur, duke mbajtur lidhje si me Lindjen edhe me Perëndimin, dhe një politikë të brendshme më të moderuar për të nxitur ripajtimin kombëtar. Fraksioni projugosllav, i kryesuar nga ministri i brendshëm Koçi Xoxe, ishte për lidhje më të ngushta me Jugosllavinë dhe Bashkimin Sovjetik, dhe ngulte këmbë për një politikë ekonomike e sociale më radikale e të bashkërenduar me atë politikë që ndiqej në Beograd. Fituan Xoxe dhe këshilltarët e tij jugosllavë, dhe në shkurt 1946 Malëshova u përjashtua nga Byroja Politik dhe u dënua si 'oportunist i djathtë'. Vetë Enver Hoxha duket se ka mbajtur një qëndrim taktikisht të vakët, duke mbetur në hije e duke pritur rastin për të eliminuar kundërshtarët e tij njëherë e mirë. Marrëdhëniet me Britaninë e Madhe e me Shtetet e Bashkuara u ndërprenë në korrik 1946, dhe Enver Hoxha nënshkroi një Traktat Miqësie, Bashkëpunimi e Ndihme Reciproke gjatë vizitës në Beograd, si hap i parë drejt bashkimit të të dy vendeve. Serbokroatishtja u përfshi në programin e të gjitha shkollave shqiptare si gjuhë e huaj e detyrueshme, kurse këshilltarët jugosllavë zunë pikat kyçe në qeveri e në çështjet ekonomike. Shqipëria do të mbetej kështu një koloni e vërtetë jugosllave deri më 1948. Gjatë kësaj periudhe, ministri i brendshëm Koçi Xoxe shfrytëzoi krejt pushtetin e vet mbi aparatin e policisë e të sigurimit për të eliminuar të gjithë armiqtë dhe rivalët e mundshëm. Këto gjueti shtrigash, që në historinë zyrtare të partisë cilësohen si periudhë e Koçi-Xoxes, përfunduan me ekzekutim apo burgosje të figurave politike por edhe të shumë shkrimtarëve apo intelektualëve të talentuar. Letërsia dhe kultura shqiptare u goditën rëndë.

Grindja midis Titos dhe Stalinit më 1948 i siguroi Enver Hoxhës aleatin sovjetik me mbështetjen e të cilit tani do të ruante pozitën e vet e do t'ia dilte pas pak kohe të eliminonte rivalët. Shqipëria u bë i pari vend i Evropës Lindore që denoncoi Jugosllavinë pas përjashtimit të saj nga Kominformi, d.m.th nga blloku sovjetik, më 17 qershor 1948, dhe të gjithë këshilltarët jugosllavë u dëbuan menjëherë nga vendi. Kështu hyri Shqipëria në vathën sovjetike. Seria e gjyqeve spektakolare dhe e spastrimeve që pasuan, qe e ngjashme me ato që ndodhën edhe në vendet e tjera të Evropës Lindore në fund të viteve dyzet e në fillim të viteve pesëdhjetë. Në kongresin e saj të parë më 8-22 nëntor 1948, Partia Komuniste e Shqipërisë ndërroi emër e u quajt Partia e Punës e Shqipërisë. Sundimi me terror i Koçi Xoxes mori fund, kur u dënua për tradhëti në maj 1949 e u ekzekutua më 10 qershor të atij viti. Aleanca e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik pati disa epërsi. Sovjetët ofruan më shumë ndihmë ekonomike e ushqimore për të zëvendësuar humbjet e shkaktuara nga ndërprerja e ndihmës jugosllave. Po ashtu erdhi edhe ndihma ushtarake për t'u mbrojtur si nga Jugosllavia fqinje ashtu edhe nga Perëndimi në një kohë kur Lufta e Ftohtë arriti kulmin. Meqë Shqipëria nuk kishte kufi të përbashkët me Bashkimin Sovjetik, nuk kishte ndonjë rrezik të afërt për aneksim politik të drejtpërdrejtë, se udhëheqja shqiptare u tregua në shumë anë e kujdesshme për të ruajtur zyrtarisht pavarësinë e vendit. E përfshirë në sferën sovjetike, Shqipëria hyri në një periudhë izolimi të thellë nga pjesa tjetër e botës. 'Ndërtojmë socializmin duke mbajtur në njërën dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën' ishte parulla e përhapur nga Partia për të krijuar një mendësi rrethimi, që do të mbyste çdo kundërshtim. Me vitin 1955 Shqipëria ishte bërë shembull i një shteti stalinist, me modele sovjetike të kopjuara e të përshtatura për çdo fushë të jetës shqiptare. Mirëpo kur Nikita Hrushçovi (1894-1971) denoncoi krimet dhe kultin e individit të Stalinit në një raport të fshehtë para Kongresit të 20-të të Partisë Komuniste Sovjetike në shkurt 1956, Enver Hoxha e dënoi revizionizmin.

Pas disa manovrimeve politike dinake e të egra, ai ia doli mbanë të kapërcejë kritikat kundër politikës së tij staliniste e të mbajë pushtetin. Kurse ngjarjet në Hungari dhe Poloni e bindën se Hrushçovi përfaqësonte rrezikun më të madh për sovranitetin e Shqipërisë e për pushtetin e tij. Dallimet ideologjike midis dy partive dhe orvatjet e Hrushçovit për t'u marrë vesh me renegatin Tito shpunë në fillim në një çarje politike në marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, çarje që u thellua mjaft në vitet e ardhshme me gjithë varësinë e skajshme të Shqipërisë nga ndihmat dhe dërgesat ushqimore sovjetike. Në Konferencën e tetëdhjetë e një partive komuniste të mbajtur në Moskë në nëntor 1960, Enver Hoxha qe i patundur në mendimin për të mos i dënuar komunistët kinezë nën udhëheqjen e Mao Ce Dunit (1893-1976) dhe, në një fjalim të hapur e të pazakontë, sulmoi Hrushçovin për shmangie nga marksizëm-leninizmi. Marrëdhëniet midis dy partive u tejkeqësuan me shpejtësi deri në atë pikë sa në mars 1961 Hrushçovi pezulloi dërgesat ushqimore për Shqipërinë, aq të domosdoshme e të ngutshme për popullsinë atë vit. Në dhjetor 1961 Bashkimi Sovjetik prishi marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë, kurse Enver Hoxha, në kërkim të një mbrojtësi të ri, ktheu sytë nga Lindja e Largët. Aleanca kino-shqiptare, e cila do të zgjaste nga 1961 deri në korrik 1978, e radikalizoi jetën politike, ekonomike e sociale në Shqipëri dhe e izoloi vendin edhe më shumë nga Evropa dhe nga pjesa tjetër e botës. Kina e ndihmoi shumë Shqipërinë për zhvillimin e saj, veç të tjerash me mallra dhe kredi me interes të ulët, por kjo ndihmë nuk doli e mjaftueshme për të nxitur rritjen ekonomike. Për të shuar valën e pakënaqësisë së popullit nga sundimi i tij, Enver Hoxha përdori taktikën e tij të zakonshme të kundërsulmit, duke filluar një fushatë të modelit kinez në fund të vitit 1965 për 'të revolucionarizuar të gjitha aspektet e jetës së vendit', fushatë që përkoi me Revolucionin Kulturor në Kinë.

Një politikë kulturore revolucionare e re, e paraqitur në publik në tetor 1965 nga kryeideologu për çështjet kulturore, Ramiz Alia (l. 1925), kërkonte me vendosmëri shkëputjen e kulturës shqiptare nga të gjitha ndikimet e huaja. Tani, roli i letërsisë dhe arteve ishte që të imunizonte njerëzit përballë të gjitha prirjeve borgjeze e revizioniste, ngado që ato mund të vinin. Shkrimtarët duhet t'i përqëndronin energjitë e tyre në tema kombëtare si ajo e lëvizjes partizane dhe e ndërtimit të socializmit. Në praktikë kjo politikë shpuri në ndalimin e librave dhe filmave të huaj dhe në mbytjen edhe të asaj pak lirie intelektuale që ekzistonte ende në vend. Në përgjigje të letrës së hapur të Enver Hoxhës më 4 mars 1966, mijra punonjës të mendjes, ndër ta shumë shkrimtarë e artistë, 'dolën vullnetarë' për të vajtur në fshat e për të punuar tokën bashkë me fshatarët. Optimist pas fitores 99,99% të kandidatëve të Partisë në zgjedhjet e përgjithshme në korrik 1966, Kongresi i Pestë i Partisë, i mbajtur në nëntor të atij viti, orientoi që të intensifikohej më tej 'lufta e klasave', duke e bërë të detyrueshme për të gjithë punën fizike në sektorët prodhues të ekonomisë. Parulla e ditës ishte 'Të mendojmë, të punojmë e të jetojmë si revolucionarë'.

Në një fjalim më 6 shkurt 1967 Enver Hoxha nxiti hapjen e një fushate kundër fesë, që përbënte njërin nga elementet e fundit të mbetur nga tradita. Brenda pak muajsh u mbyllën të gjitha xhamitë, kishat dhe teqetë bektashiane, shumica duke u shembur ose rikonstruktuar për t'u përdorur si salla kinemaje, pallate sporti (Katedralja Katolike e Shkodrës) apo depo. Shqipëria u shpall i pari shtet ateist në botë. Kjo, e ashtuquajtura dëshirë spontane e rinisë, jo vetëm e zhveshi Shqipërinë nga shumë tradita kulturore të saj, por edhe nga mjaft monumente të arkitekturës dhe të kulturës kombëtare. Fushata për çrrënjosjen e fesë, e zhvilluar me zellin

_______________________
L.VETEVENDOSJE!
Feja e Shqiptarit është Shqiptaria
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://www.mjeksia-grup.tk
dr.FjoollaaH™
WebMaster
WebMaster


<b>Postime</b> Postime: 9044

MesazhTitulli: Re: Histori e Letërsisë Shqiptare   Sun Jun 20, 2010 5:42 pm

e entuziazmin fetar të një kryqëzate, përbënte një akt të paparë vetëvrasjeje kulturore. Monumente kulture u fshinë nga faqja e dheut, ikona e libra të rrallë u dogjën, dorëshkrime të vjetra u lanë të kalben. Gjithçka sadopak e lidhur me fenë u bë tabu për dy dhjetëvjeçarët që pasuan. Në të njëjtën kohë sistemi arsimor u reformua rrënjësisht për ta pastruar nga ndikimet sovjetike. Rradhët e ushtrisë u spastruan dhe atë e morën në dorë komisarët e partisë. Periudha revolucionare, që nisi më 1965 dhe zgjati deri në mesin e vitit 1969, përfundoi me ftohjen e marrëdhënieve me Kinën.

Pas pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë më 1968, që solli edhe tërheqjen përfundimtare të Shqipërisë nga Traktati i Varshavës, udhëheqja kineze u mundua të përmirësonte marrëdhëniet me Jugosllavinë dhe Rumaninë me qëllim që të dobësonte Bashkimin Sovjetik në Ballkan. Enver Hoxha nga ana e tij e kuptoi se aleanca me Kinën qe e pamjaftueshme për ta mbrojtur vendin nga kërcënimi ushtarak sovjetik. Në vitin 1971 ai po i lëshonte sinjale të matura Perëndimit, kurse vetë normalizoi marrëdhëniet diplomatike me Jugosllavinë dhe Greqinë fqinje. Në fillim të viteve shtatëdhjetë, politika kineze ndryshoi rrënjësisht kur e braktisi izolimin. Kontradiktat ideologjike me udhëheqjen shqiptare arritën kulmin kur presidenti i SHBA Riçard Nikson (1913-1994) vizitoi Pekinin në shkurt 1972. Enver Hoxha e dënoi përsëri revizionizmin. Me gjithë marrëdhëniet e jashtme të turbullta të Shqipërisë, pas revolucionit kulturor shqiptar brenda vendit mbizotëroi një periudhë e shkurtër qetësie, ndonëse jo e vërtetë. Pas disa vjetësh vetëmohimi e turbullire, populli ishte i mërzitur e i zemëruar, kurse intelektualët më të shqetësuar se kurrë.

Megjithëse Partia vazhdonte t'i binte avazit të rrezikut të ndikimeve borgjeze, në rrugët e Tiranës po dukeshin modat perëndimore të veshjes, si dhe një pasqyrim i zbehtë i ndryshimeve sociale që po ndodhnin në Perëndim. Shihje të mbaheshin pantallona të tipit perëndimor, flokë të gjatë e në ndonjë rast funde të shkurtër, kurse programet me muzikë perëndimore të radiostacioneve italiane po dëgjoheshin gjithnjë e më shumë. Në Plenumin e katërt të Komitetit Qendror më 26-28 qershor 1973, Enver Hoxha ndërmori përsëri ofensivën dhe paraqiti një raport që sot mund të quhet si klasik në analet e obskurantizmit evropian: Të thellojmë luftën ideologjike kundër shfaqjeve të huaja e qëndrimeve liberale ndaj tyre. (62) Si shkak në këtë luftë të re të Hoxhës për të mbajtur pushtetin shërbeu Festivali i 11-të i Këngës më 25 dhjetor 1972, ndonëse ishte krejt i padëmshëm. Protagonistë të së ashtuquajturës lëvizje liberale, nëse vërtet ka pasur të tillë, qenë dramaturgu Fadil Paçrami (l. 1922), sekretar i partisë për çështjet ideologjike të Komitetit të Partisë së Tiranës, dhe Todi Lubonja (63) (l. 1923), drejtor i Radiotelevizionit, të cilët shërbyen si 'koka turku' për të trembur shkrimtarët e artistët e për t'i pasur ata pas vetes, dhe për pasojë gjithë vendin. Për ta u tha se kishin nxitur që ide e ndikime dekadente perëndimore të depërtonin në kulturën shqiptare. Lëvizja liberale u shtyp menjëherë, kurse dy figurat kryesore të saj u dënuan pa mëshirë për mëkatet e tyre si deviatorë dhe armiq të popullit. Todi Lubonja, i akuzuar për pikëpamje dhe shije estetike liberal- oportuniste të theksuara, u dënua më 27 korrik 1974 me pesëmbëdhjetë vjet burg. Pas trembëdhjetë vjetësh në burgun famëkeq të Burrelit, ai u lirua në qershor 1987 dhe u internua në fshatin Malecaj (rrethi i Lezhës) para se kalvari i tij të merrte fund.

Fadil Paçrami, nga ana e tij, u lirua më në fund nga burgu i Kosovës së Madhe afër Elbasanit më 17 mars 1991, dy javë përpara zgjedhjeve të para pluraliste. Ajo çka ndodhi nga viti 1973 deri të paktën më 1975 qe mbretërimi i terrorit kundër shkrimtarëve dhe intelektualëve shqiptarë, që mund të krahasohet edhe me spastrimet staliniste të viteve 1930. Këto vite qenë një hap i madh prapa për zhvillimin e letërsisë dhe kulturës shqiptare. Në pranverë 1973 njëqind e tridhjetë shkrimtarë e artistë shpallën se po largoheshin

__________________________________________________ _________________

62 kr. E. Hoxha 1973 dhe 1975.

63 kr. T. Lubonja 1993, 1994.
__________________________________________________ _________________

nga qytetet për të punuar në ara e kantiere ndërtimi me qëllim që të forconin lidhjet e tyre me masat punonjëse. Poetë e prozatorë hynë në garë mes tyre duke dëshmuar një zell revolucionar dhe duke hedhur poshtë ndikimet e huaja e liberale. Ata që qenë më pak bindës ose me botime të prekura nga liberalizmi u dërguan në zona të largëta ose u burgosën. Më fatlumët humbën vetëm të drejtën e botimit. Pothuaj të gjithë shkrimtarët kryesorë e patën nga një vepër të hequr nga qarkullimi e 'të kthyer në karton'. Mësimi i gjuhëve të huaja në thelb qe ndaluar, kurse ata që kishin fatkeqësinë të dinin frëngjisht apo italisht u gjendën në pozitë të palakmueshme. Edhe piktorë të tillë si Maks Velo (l. 1935), Edison Gjergo (l. 1938) dhe Ali Oseku (l. 1944) u demaskuan në Plenumin e Katërt e u dërguan në burgje e kampe përqëndrimi, si në burgun famëkeq të minierës së bakrit në Spaç. Ata u dënuan për krimin e agjitacionit e të propagandës sepse kishin shprehur një farë interesimi për Pablo Pikason, Salvador Dalin apo Maks Ernstin.

Në vitet më pas, vazhduan një radhë spastrimesh dukë përfshirë të gjithë sektorët e tjerë të shoqërisë, tërë popullsinë, në një atmosferë hutimi e pasigurie. Në tetor 1974, Beqir Balluku (1917-1975), ministër i mbrojtjes që më 1953, u spastrua bashkë me Petrit Dumen, shefin e shtabit, dhe Hito Çakon, drejtor i drejtorisë politike të ushtrisë, kurse një vit më vonë Abdyl Këllezi (1919-1977), kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit, Koço Theodhosi (1913-1977), ministër i industrisë dhe i minierave, dhe Kiço Ngjela (l. 1920), ministër i tregtisë, u shkarkuan nga funksionet dhe u dënuan pa mëshirë. Kontradiktat ideologjike që kishin lindur me kinezët shpunë në fundin e aleancës kino- shqiptare më 1978. Tani Shqipëria qe e izoluar nga e gjithë bota, një ishull revolucioni në detin e revizionizmit.

Vdekja misterioze më 17 dhjetor 1981 e rivalit të Hoxhës, Mehmet Shehu (1913-1981), i cili ishte në krye të aparatit ushtarak dhe aparatit të tmerrshëm të Sigurimit, si dhe përgjegjës kryesor për tmerrin, solli një tjetër fshesë spastrimi në qeveri e në parti. Në nëntor 1982, Hoxha i moshuar, në një nga deklaratat publike më qesharake të lëshuara ndonjëherë nga një tiran i regjur, shpalli para botës së shtangur se aleati më i ngushtë i dikurshëm i tij, Mehmet Shehu, kishte pasë punuar si agjent i huaj njëkohësisht për amerikanët, anglezët, sovjetikët dhe jugosllavët dhe, përballë akteve të poshtra të tij, kishte vendosur të vriste veten.

Është e tepërt të themi se, deri pas vdekjes së Hoxhës, nuk është bërë asnjë orvatje për të devijuar nga kursi ideologjik i caktuar nga partia. Me vdekjen e Enver Hoxhës më 11 prill 1985, fuqia politike i takoi pasardhësit të tij Ramiz Alia (l. 1925) nga Shkodra, i cili e sundoi vendin me dorë pak më të butë, ndonëse pa bërë ndonjë ndryshim real në politikë. Në fund të viteve tetëdhjetë, me rënien e komunizmit evropiano-lindor, e sidomos me vdekjen e diktatorit rumun Nikolae Çaushesku, më 25 dhjetor 1989, udhëheqja e partisë e ndjeu se edhe në Shqipëri përmbysja e komunizmit ishte çështje kohe. Themelet e sistemit qenë tronditur në fillim të korrikut 1990, kur mijëra shqiptarë rrezikuan jetën duke kërkuar strehim politik në ambasadat gjermane, italiane dhe franceze në Tiranë. Brenda gjysmë viti diktatura njëpartiake, që kishte qenë sunduese në të gjitha aspektet e jetës shqiptare për gati gjysmë shekulli, mori fund. Pluralizmi politik u lejua në dhjetor 1990, kurse zgjedhjet e para shumëpartiake në vend u zhvilluan më 31 mars 1991.

Sado e pabesueshme duket tani që kthehemi prapa - madje edhe për vetë shqiptarët - stalinizmi fanatik mbijetoi i pacenuar e i padobësuar për plot tridhjetë e shtatë vjet pas vdekjes së Stalinit më 1953. Ndonëse gjykimi përfundimtar për periudhën 'socialiste' në Shqipëri u duhet lënë historianëve dhe politologëve të së ardhmes, periudha dyzetegjashtëvjeçare e 'izolimit të shkëlqyer' nën regjimin marksist-leninist duket sikur i ka lënë vendit si trashëgim mjerim të përgjithshëm dhe një ekonomi që krahasohet me vendet më të prapambetura të Afrikës qendrore. Kur sistemi njëpartiak u hoq përfundimisht, në të vërtetë nuk kishte mbetur udhëheqje intelektuale për të mbushur zbrastësinë. Kultura shqiptare ishte rrënuar. Kështu, fillimi i viteve nëntëdhjetë e gjeti shtetin shqiptar në një gjendje politike e ekonomike katastrofike me rrjedhoja dramatike për zhvillimin e letërsisë dhe kulturës bashkëkohore. Vërtet, është e vështirë dalja nga izolimi, por nuk ka dyshim se së shpejti Shqipëria do të zërë vendin e vet në Evropë.

_______________________
L.VETEVENDOSJE!
Feja e Shqiptarit është Shqiptaria
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://www.mjeksia-grup.tk
dr.FjoollaaH™
WebMaster
WebMaster


<b>Postime</b> Postime: 9044

MesazhTitulli: Re: Histori e Letërsisë Shqiptare   Sun Jun 20, 2010 5:43 pm

11.2 Vërshimi i realizmit socialist. Letërsia shqiptare e pasluftës deri më
1961



Enver Hoxha dhe udhëheqësit e rinj partizanë që morën pushtetin në fund të vitit 1944, i shihnin me dyshim shkrimtarët dhe intelektualët shqiptarë të çdo ngjyre politike, duke i konsideruar shumicën e tyre si përfaqësues të 'regjimit të vjetër'. Një numër tepër i vogël shkrimtarësh si Vangjel Koça (1900-1943) dhe Vasil Alarupi (1908-1977) kishin qenë ithtarë të vërtetë të fashizmit, kurse një grup tjetër intelektualësh, edhe pse nuk qenë vetë fashistë, kishin bashkëpunuar me pushtuesit italianë e gjermanë në një mënyrë a në një tjetër. Shumica e tyre donin thjesht të shpëtonin të paktën kokën në ato kohë trazirash.

Mjaft figura të shquara të jetës intelektuale shqiptare u arratisën nga vendi: Ernest Koliqi (1903-1975), Mehdi bej Frashëri (1874-1963), Mid'hat bej Frashëri (1880-1949) dhe Karl Gurakuqi (1895-1971) shkuan në Itali, Branko Merxhani (1894-1981) në Turqi, kurse shkrimtari i majtë Tajar Zavalani (1903-1966) në Britani. Të tjerë ushqenin shpresa se, pasi kishin dalë gjallë nga lufta, do të mund të merreshin vesh njëfarësoj me udhëheqësit e rinj komunistë e do të punonin gjallërisht me ta për ndërtimin e një Shqipërie të re, të një shoqërie të re socialiste. Por, pa kaluar shumë kohë, demagogjia e Enver Hoxhës, gjyqet spektakolare staliniste nën gjeneral Mehmet Shehun (1913-1981) dhe gjuetia e shtrigave nën Koçi Xoxen (1917-1949) e bënë të qartë se çlirimi dhe idealet e mëdha të socializmit ishin një fasadë për të mbuluar terrorin dhe diktaturën e egër. Mjeti i parë për t'i bindur njerëzit nuk u bë arsimi e propaganda, por frika e hapur dhe e pakursyer. Për shkrimtarët dhe intelektualët shqiptarë (64) periudha menjëherë pas luftës qe bërë një apokalips.

Në mënyrë të veçantë vuajtën shkrimtarët e shkollës katolike shkodrane. Gjeneral Mehmet Shehu, në një fjalim publik të mbajtur në Shkodër më 28 janar 1945, e pati quajtur fortesën katolike 'çerdhe të reaksionit' dhe pati paralajmëruar se udhëheqësit kishtarë do të merrnin shpërblimin 'e merituar' para gjyqit të popullit. Dramaturgu Ndre Zadeja (1891-1945), poeti Lazër Shantoja (1892-1945), poeti Bernardin Palaj (1894-1947), romancieri Anton Harapi (1888-1946), dhe publicisti Gjon Shllaku (1907-1946) u ekzekutuan. Poeti Vinçenc Prenushi (1885-1949) vdiq në burg pas torturash të rënda, ashtu si dhe prozatori e botuesi dom Ndoc Nikaj (1864-1951), babai i prozës gege të shekullit të njëzetë. Ndër intelektualët e tjerë të shquar që u ekzekutuan janë botuesi arbëresh Terenc Toçi (Terenzio Tocci, 1880-1945), botuesi Nebil Çika (vd. 1944), shkrimtari bektashi baba Ali Tomori (Ali Tyrabiu, vd. 1947), dhe poeti Manush Peshkëpia (1910-1951). Ndër shumë shkrimtarë dhe intelektualë të tjerë që u arrestuan e u burgosën gjatë gjuetisë së shtrigave pas Luftës së Dytë Botërore qenë dramaturgët e njohur Kristo Floqi (1873-1951) dhe Etëhem Haxhiademi (1902-1965), shkrimtari dhe botuesi mysliman hafiz Ibrahim Dalliu (1878-1952), ministri i arsimit Mirash Ivanaj (1891-1953), të cilët vdiqën në burg, dhe poeti Dionis Gjergj Bubani (l. 1926); shkrimtari i prozës së shkurtër Mitrush Kuteli (1907-

__________________________________________________ _________________

64 Për ndjekjen e shkrimtarëve shqiptarë pas Luftës së Dytë Botërore, kr. Pipa 1959a dhe Plasari 1991b.
__________________________________________________ _________________

1967), romancieri Petro Marko (1913-1991), poeti Sejfulla Malëshova (1900-1971), shkrimtarja e prozës së shkurtër Musine Kokalari (1917-1983), poeti dhe studiuesi Arshi Pipa (l. 1921), poeti bektashian Ibrahim Hasnaj (1912-1995), poeti Nexhat Hakiu (1917-1978), poeti Andrea Varfi (1914-1992), përkthyesit Jusuf Vrioni (l. 1916) dhe Pashko Gjeci (l. 1918), romancieri Mustafa Greblleshi (1922-1986), publicisti Dionis Miçaço, poeti Kudret Kokoshi (1907-1991), romancieri dhe botuesi Anton S. Frashëri (1892-1965), humoristi dhe përkthyesi i palodhur Mid'hat Araniti (1912-1992) që ka shkruar në të folmen tiranase, gjuhëtari Selman Riza (1909-1988), kritiku Filip Fishta (l. 1901), folkloristët atë Donat Kurti (1903-1969) dhe Stavro Frashëri nga Kavaja, dhe shkrimtari Lazër Radi (l. 1916), i cili u lirua më 1991 pas një kohe të pabesueshme prej dyzet e gjashtë vjetësh burgu e internimi.

Përndjekja e intelektualëve, sidomos e atyre që kishin qenë jashtë vendit para vitit 1944, dhe shkëputja faktike nga të gjitha traditat kulturore, krijuan në Shqipëri një zbrastësi letrare e kulturore e cila zgjati deri në vitet gjashtëdhjetë. Pasojat e saj mund të ndihen edhe sot. Nuk do të dihet kurrë saktë sa intelektualë dhe talente të reja letrare u dërguan gjatë viteve që pasuan, për të punuar në degë të rënda të industrisë, ose u syrgjynosën përgjithmonë në provincë, ose u internuan në ndonjë fshat të thellë malor pa shpresë për t'u kthyer më në vendbanimet e tyre.

Martesa me përdhunë e letërsisë shqiptare me marksizëm-leninizmin u prangua fort që në fillim me themelimin në tetor 1945 të Lidhjes së Shkrimtarëve. Fillimisht politika kulturore në Shqipërinë e pasluftës iu ngarkua poetit Sejfulla Malëshova (1900-1971). Me prejardhje nga krahina e Përmetit, Malëshova kaloi një pjesë të mirë të jetës jashtë vendit. Studioi për mjekësi në Itali, kurse më 1924, në moshën njëzet e tre vjeç, u bë sekretari personal i Fan Nolit në qeverinë e tij demokratike. Me rrëzimin e Nolit, Malëshova iku në Paris, dhe së andejmi, i frymëzuar nga Revolucioni i Tetorit, vazhdoi në Moskë ku studioi dhe më vonë dha mësim marksizmin. Në Bashkimin Sovjetik hyri në Partinë Komuniste (1930-1932), por më pas u përjashtua si buharinist. Rreth vitit 1938 Malëshova emigroi në Evropën Perëndimore dhe jetoi në Paris deri në pushtimin gjerman, më tej në Grenoblë. Në verë të vitit 1943 u kthye në Shqipëri, përsëri anëtar partie dhe ende plot ideale. Këtu u bë anëtar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të sapoformuar të Shqipërisë. Si ministër i kulturës në qeverinë e përkohëshme të sunduar nga komunistët, Malëshova organizoi kongresin e parë të shkrimtarëve shqiptarë më 7 tetor 1945. Në këtë kongres u bë edhe themelimi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë me shtatëdhjetë e katër anëtarë, komunistë e jokomunistë.

Malëshova ndoqi një kurs relativisht liberal e pajtues për kohën, me qëllim që të inkurajonte riintegrimin e forcave jokomuniste në strukturat e reja të pushtetit. Ai nuk qe nga ata që dënonin të gjithë shkrimtarët e paraluftës si reaksionarë, si Gjergj Fishtën, as nuk qe për shkëputje të plotë nga Perëndimi. Nuk do të kalonte shumë dhe Malëshova do të bëhej zëdhënës i njërit nga dy fraksionet që rivalizonin për pushtet brenda në parti. Por me përkrahjen e komunistëve jugosllavë, fraksioni i kundërshtarit të tij Koçi Xoxe fitoi në fillim të vitit 1946 dhe Malëshova ra. Në një mbledhje të Komitetit Qendror më 21 shkurt 1946, Malëshovën e akuzuan për oportunizëm dhe devijim të djathtë dhe e përjashtuan nga Byroja Politike e nga Komiteti Qendror. Për çudi, Malëshova shpëtoi gjallë. Ky idealist i majtë, që dikur pati qenë anëtar i Kominternit, u internua për dy a tre vjet në Ballsh, kurse gjithë jetën pastaj e kaloi në internim të brendshëm si magazinier në Fier, ku, për vite me radhë, asnjë banor i qytetit nuk guxonte t'i fliste. Për të i vetmi shoqërim me të tjerët ishte të luante futboll me fëmijët. Sa herë që dikush i afrohej, vinte dy gishtat në buzë për t'i thënë se ishte betuar të mos hapte gojë, gjë që i siguroi mbijetesën. Malëshova vdiq më 11 qershor 1971 nga apendiciti në një vetmi të papërfytyrueshme. Edhe pse në qytet të gjithë ia dinin përmendsh vjershat, askush nuk guxoi të marrë pjesë në funeral. U varros në prani të së motrës, varrmihësit dhe dy agjentëve të Sigurimit.

Pjesa më e madhe e poezisë së këtij poeti të vetëquajtur rebel është shkruar në mërgim me pseudonimin Lame Kodra dhe është botuar në vëllimin Vjersha, Tiranë 1945. Tipike për frymën e kësaj përmbledhjeje me 21 vjersha është Poeti rebel, e botuar për herë të parë më 1941:


<BLOCKQUOTE>"Pa dëgjoni, gra e burra
Anembanë,
Dolli urdhëri për mua
Në Tiranë,
Nëpër male, nëpër fusha
Në luadhe
Po më ndjekin këmba-këmbës
Me koshalle.
Po s'kam frikë nga zagari
Me dyfek;
Kudo shkoj e hidhem unë
Shtek më shtek
Kudo vete e futem unë
Prak më prak Shqipërinë anembanë
Kam jatak.
Jam rebel e jam hajdut
Edhe mburrem;
Kundër beut edhe fronit
Un turrem.
I kam dalë për zot unë
Vegjëlisë,
Edhe luftë i kam shpallur
Skllavërisë."
</BLOCKQUOTE>
Ndër vjershat e tjera të kësaj përmbledhjeje janë Si e dua Shqipërinë, Klithma e Dragobisë, Internacionala, përkthimi shqip i himnit komunist, dhe Lasgush Poradecit, një vjershë satirike, ku poeti komunist akuzon Poradecin se ia ka shitur shpirtin kapitalit të huaj: "Të blenë me para, o zok liqeri." Malëshova gjithashtu përktheu shqip veprat e Marksit, Engelsit dhe Leninit si dhe hartoi një fjalor rusisht-shqip që më pas u botua me emrin e tjetërkujt.

Gjuetia e shtrigave që pasoi spastrimin e Malëshovës i mpiu krejt shkrimet dhe mendimin krijues në Shqipëri. Mjaft intelektualë, që deri tani i kishin shpëtuar ekzekutimit, gjendeshin në burg ose qenë detyruar të mbyllnin gojën mirë. Në tetor 1949, pesë muaj pas eliminimit të Koçi Xoxes, u mblodh Konferenca e tretë e Lidhjës së Shkrimtarëve. Kjo konferencë përcaktoi drejtimin e letërsisë shqiptare, atë të realizmit socialist, drejtim që do të mbetej i pandryshuar për gjithë periudhën e viteve pesëdhjetë. Liria intelektuale, që për ironi kishte ekzistuar nën diktaturën zogiste të paraluftës dhe gjatë pushtimit italian, tani kishte marrë fund plotësisht. Partia nuk kërkonte gjë tjetër përveç bindjes absolute, dhe të gjithë shkrimtarët iu nënshtruan vëzhgimit dhe udhëzimeve kritike. Gjatë viteve të para të aleancës sovjeto- shqiptare, politika kulturore në Shqipëri u ndikua mjaft nga zhdanovizmi, doktrinë letrare e formuluar nga Andrej Aleksandroviç Zhdanov (1896-1948), që bëri kërdinë në letërsinë dhe kulturën sovjetike. Shkrimtarët shqiptarë u nxitën të përqëndronin gjithë energjitë krijuese në trajtimin e disa temave të veçanta, si lufta partizane e ashtuquajtur 'luftë nacional-çlirimtare' dhe ndërtimi i socializmit, si dhe t'u shmangeshin ndikimeve kozmopolite të Perëndimit. Ideja politike ishte elementi kryesor për ata që donin të shpëtonin. Subjekte që ishin pa ndonjë vlerë edukative në kuptimin marksist quheshin të huaja e tabu. Letërsia shqiptare, e cila pati evoluar aq vrullshëm në mesin e viteve tridhjetë, tani në të vërtetë u zhduk. Vendi ishte kthyer në një djerrinë letrare. Bashkë me integrimin e Shqipërisë në bllokun sovjetik, hynë edhe modelet letrare sovjetike, të cilat u imituan me servilizëm dhe në mënyrë që të hidheshin themelet e një letërsie të re. Me kohë, një brez i ri shkrimtarësh proletarë dolën në skenë, shumica e të cilëve pa shkollimin e duhur të rregullt. Të frymëzuar nga një përzierje surrealiste frike e patosi revolucionar, ata e treguan veten të gatshëm për të marrë pjesë në shndërrimet rrënjësore politike e shoqërore, procese në të cilat po kalonte ky vend i vogël ballkanik. Poezia, tregimet dhe romanet e krijuara nga ky brez i ri i shkrimtarëve shqiptarë, veprat e të cilëve, të ribotuara më vonë në përmbledhje veprash të plota a të zgjedhura, u ngritën lart e u lëvduan si vepra klasike bashkëkohore të realizmit socialist, shumica nuk qenë aspak vepra letrare. Ato ishin trakte me synime politike, edukative për nga natyra, shpesh tepër didaktike. Rëndësi më të madhe se niveli artistik kishin patriotizmi dhe bindjet 'e drejta' politike të autorëve.

Ishte Dhimitër Shuteriqi (l. 1915) nga Elbasani, më pas historian letërsie me rëndësi, ai që do t'i jepte disi ngadalë tonin prozës me tregimet e tij si dhe me romanin e tij, të parin roman shqiptar të pasluftës. Kjo vepër në dy vëllime, Çlirimtarët, Tiranë 1952, 1955, jepte një tablo jo vetëm të vuajtjeve dhe të mjerimit të fshatarësisë para çlirimit, por edhe të lindjes së ndërgjegjes klasore në gjirin e saj. Dobësia kryesore e romanit, dobësi që do të mbizotëronte në shumicën e romaneve shqiptarë nga vitet pesëdhjetë e këndej, qëndron në pasqyrimin pa dallim bardhë e zi të personazheve, domethënë pozitivët kundër negativëve. Shuteriqi, i cili qe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve nga 1946 deri më 1973 dhe ka shkruar edhe poezi, shquhet tani më shumë për studime në fushat e letërsisë, historisë dhe folklorit, sidomos për historitë dhe antologjitë standarde të letërsisë shqiptare.

Një shkrimtar tjetër kryesor i kësaj periudhe ishte Shevqet Musaraj (1914-1986) nga fshati Matogjin afër Vlorës. Para agimit, Tiranë 1965-1966, është një kronikë e viteve të fundit të diktaturës së Zogut dhe e rritjes së lëvizjes së rezistencës gjatë luftës, ashtu siç e jeton veçanërisht personazhi Emira Velo. Me pushtimin italian në Pashkët 1939, Emira hyn në lëvizjen e rezistencës, por paragjykimet ndaj njerëzve të thjeshtë të klasës punëtore e largojnë më pas nga lëvizja për çlirim kombëtar. Po në të njëjtën kohë shtjellohet edhe subjekti i një romani tjetër të tij më pas - Belxhiku që këndon vënçe, Tiranë 1979. Ndonëse veprat e Musarajt u përhapën e u lexuan gjerësisht, asnjëra prej tyre nuk mund t'i qëndrojë provës së kohës.

Sterjo Spasse (65) (1912-1989) qe nga të paktët shkrimtarë shqiptarë që shpëtuan nga tranzicioni i pushtetit. Në romanet e pasluftës si Ata nuk ishin vetëm, Tiranë 1952, i cili është përkthyer në frëngjisht (Tiranë 1958) dhe gjermanisht (Tiranë 1960), dhe Afërdita përsëri në fshat, Tiranë 1955, ai zbatoi mësimet e realizmit socialist dhe ndikoi direkt në zhvillimin e etapave të para të tij në Shqipëri. Ndër romanet e tjera të mëvonshme qenë Buzë liqenit, Tiranë 1961, dhe Zjarret, Tiranë 1972, që trajtonin konflikte psikologjike dhe probleme ideologjike të kolektivizimit, si dhe Zgjimi, Tiranë 1974, subjekti i të cilit shtjellohet në një qytet shqiptar në ditët e fundit të sundimit osman. Në pikëpamje të origjinalitetit e të nivelit artistik asnjëri nga këto krijime nuk mund të krahasohet me krijimtarinë para çlirimit. Frymëzimi rinor i Spasses kishte marrë fund, kurse letargjia kulturore e kohës nuk lejonte aspak zhvillimin e individualitetit. Ai vdiq në Tiranë më 12 shtator 1989.

Fatmir Gjata(1922-1989) nga Korça trajtoi temën e luftës nacionalçlirimtare në Përmbysja, Tiranë 1954, që kishte në qendër rritjen e vetëdijes politike të një djali fshatar. Romani më i njohur i Gjatës është Këneta, Tiranë 1959, i frymëzuar nga letërsia ruse, përshkrim

__________________________________________________ _________________

65 kr. I. Spasse 1995.
__________________________________________________ _________________

i tharjes së kënetës së Maliqit në fushën e Korçës dhe i komploteve të ulëta të armiqve të jashtëm e të brendshëm për të sabotuar punën. Në Këneta, sekretari i partisë Stavri Lara, i plagosur gjatë luftës, ngarkohet me detyrën e drejtimit të punimeve për tharjen e kënetës. Ish e dashura e tij Rina, të cilën ai ende e dashuron, është martuar për fat të keq me dikë tjetër. Këneta është një vepër propagande të cekët pa ndonjë nivel artistik për të qenë.

Jakov Xoxa (66) (1922-1979) nga Fieri në fushën dikur me këneta e mushkonja të Myzeqesë, dënoi shfrytëzimin e fshatarësisë së varfër nga bejlerët mizorë në veprën Lumi i vdekur, Tiranë 1965. Ky roman është një nga veprat e rralla të kohës me meritë artistike. Është përkthyer italisht (Tiranë, rreth v. 1972). Romani i tij i dytë Juga e bardhë, Tiranë 1971, që ka për model Podnjataja celina, Moskë 1932 (Tokat e çara), të shkrimtarit Mihail Aleksandroviç Shollohov (1905-1984), merret me kolektivizimin e bujqësisë në fushën e Myzeqesë pas luftës. Ndeshemi në këtë roman me Kiu Koroziun, kryetarin prepotent të një kooperative bujqësore, i cili pa të drejtë kundërshton shkrirjen e kooperativës 'së tij' me të tjerat për të formuar një njësi më të madhe. Kemi edhe një përkthim frëngjisht të këtij romani (Tiranë 1974).

Prozatori Ali Abdihoxha (l. 1923) nga Elbasani mban në krijimet e tij vulën e përvojës vetjake në lëvizjen e rezistencës. Romani i tij Një vjeshtë me stuhi, Tiranë 1959, imitim në të gjitha aspektet i Malladaja gvardija, Moskë 1946 (Garda e re), të Aleksandër Aleksandroviç Fadejevit (1901-1956), tregon për një grup të rinjsh që ngarkohen me detyrën e ngritjes së një shtypshkronje ilegale në Shqipërinë e pushtuar. Tri ngjyra të kohës, Tiranë 1965-1972, është një roman katërvëllimësh disi i lodhshëm, përsëri për lindjen e zhvillimin e vetëdijes klasore të fshatarësisë gjatë luftës për çlirim kombëtar. Pas gati pesë shekujsh ekzistence, poezia shqiptare tani kishte rënë në një hon artificialiteti. Nga poetët e rëndomtë në këtë periudhë mund të përmendim shkarazi Aleks Çaçin (1916-1989), Mark Gurakuqin (1922-1970), Luan Qafëzezin (1922-1995) dhe Llazar Siliqin (l. 1924), të cilët sollën në poezinë lirike tema politike e didaktike. Asnjëri prej këtyre poetëve nuk dëshmoi ndonjë talent të veçantë, ose se ky u mungonte, ose nga 'kritika konstruktive' e vazhdueshme e dogmatikëve partiakë. Çaçi, i lindur në Palasë të bregdetit të Himarës, përmendet kryesisht për poemën Ashtu Myzeqe, Tiranë 1947, për shndërrimet në krahinën e prapambetur të Myzeqesë, një temë që do ta ritrajtonte më pas në Ti je, Myzeqe?. Llazar Siliqi, i lindur në Shkodër, bir i shkrimtarit Risto Siliqi (1882-1936), i dha tonin poezisë revolucionare deri diku si miniaturë e Vladimir Majakovskit (1893-1930) në Rusinë pas Revolucionit, por në një mënyrë shumë më artificiale. Mjaft nga poezia e tij ka pasur për model atë të poetit sovjetik Nikollaj Asejev (1889-1963). Poema e zjarrtë Prishtina, Tiranë 1949, risjell në vargje kalvarin e tij e të të tjerëve në kampin e përqendrimit të Prishtinës më 1944. Vëllime të mëvonëshme si Mësuesi,Tiranë 1955, dhe Ringjallje, Tiranë 1960, dëshmuan patosin revolucionar të vazhdueshëm të tij. Shevqet Musaraj, të cilin e përmendëm më parë, që herët iu kushtua poezisë satirike në poemën Epopeja e Ballit Kombëtar, Tiranë 1944, e cila u ngrit lart zyrtarisht për vetë idenë e qartë politike. Me humorin e temperamentin e Labërisë, kjo vepër me 200 strofa katërvargshe vë në lojë lëvizjen konservatore të rezistencës, që rivalizoi me komunistët gjatë kohës së luftës.

Pjesa më e madhe e shkrimeve të nxjerra me shumicë në vitet pesëdhjetë e në fillim të viteve gjashtëdhjetë dëshmuan shterpësi dhe mjaft konformizëm në çdo kuptim. Tematika e krijimeve të kësaj periudhe përsëritej rreth një qarku të caktuar, kurse lexuesi ushqehej vazhdimisht me tekste të thjeshtëzuara e pa ndonjë kujdes të veçantë për elementet themelore të stilit. Nuk është për t'u habitur që shumë vepra 'letrare' mbetën nëpër raftet e librarive duke zënë shtresa pluhuri. Edukimi politik i masave dhe ushqimi i tyre me ndjenjën kombëtare quheshin më të rëndësishme se vlerat estetike. Madje edhe kritere të kritikës për formën, si

__________________________________________________ _________________

66 kr. R. Ismaili 1991.
__________________________________________________ _________________

larmia e pasuria e leksikut dhe e strukturës tekstuale u nënvleftësuan për t'i dhënë përparësi patriotizmit dhe idesë politike. Ky qëndrim synonte të thellonte frymën revolucionare e të forconte bindjet socialiste të 'njeriut të ri'. Por zor se ky objektiv u arrit në ndonjë farë mase. I rëndësishëm është fakti që edhe ky qëndrim nuk mjaftoi për të inkurajuar talentet e për të siguruar një nivel të lartë artistik, e kështu, në analizë të fundit, për të kënaqur nevojat estetike të lexuesit shqiptar.

Ishte brezi i dytë i shkrimtarëve të Shqipërisë së pasluftës ai që erdhi përherë e më tepër duke kuptuar se bindjet politike, edhe pse të rëndësishme në kontekstin e shoqërisë shqiptare të periudhës, nuk mjaftonin për të qenë kriter i meritave artistike, dhe se letërsia shqiptare kishte nevojë për përtëritje. Rruga drejt përtëritjes u lehtësua deri diku nga qëndrueshmëria politike e vendit dhe nga siguria brenda Partisë së Punës së Shqipërisë me gjithë keqësimin e marrëdhënieve midis Enver Hoxhës dhe udhëheqësit sovjetik Nikita Hrushçov (1894-1971). Edhe pse iu desh të zhvillohej në kushte jashtëzakonisht të pafavorshme, nga mesi i viteve gjashtëdhjetë letërsia shqiptare ia doli ta marrë veten disi dhe, ndonëse vazhdoi të bëjë përpara me hapa mjaft të ngadaltë, nuk kishte më rrezik të zhdukej siç pati ndodhur, për shembull, me letërsinë e shkollës katolike shkodrane para Luftës së Dytë Botërore. Si një organizëm i gjallë, ajo tani ishte aq e fuqishme sa t'u bënte ballë trazirave politike nëpër të cilat do të kalonte vendi.

Kthesa e parë në rrugën e zhvillimit të prozës dhe poezisë shqiptare, pas një çerek shekulli ngecje në vend, erdhi në vitin e stuhishëm 1961 i cili, nga njëra anë, shënoi shkëputjen politike përfundimtare me Bashkimin Sovjetik, pra edhe me modelet letrare sovjetike dhe, nga ana tjetër, dëshmoi botimin e një numri vëllimesh që krijuan rrymë, sidomos në poezi: Shekulli im nga Ismail Kadare, Hapat e mija në asfalt nga Dritëro Agolli, dhe në vitin tjetër Shtigje poetike nga Fatos Arapi. U vu re se, si për ironi, ndërsa Shqipëria ishte shkëputur nga Bashkimi Sovjetik duke thënë se donte të mbronte socializmin, shkrimtarët kryesorë shqiptarë, të shkolluar në vendet e bllokut lindor, përfituan nga prishja e marrëdhënieve jo vetëm për t'u ndarë nga modelet sovjetike, por edhe nga vetë realizmi socialist. Orvatjet për të zgjeruar gamën e letërsisë 'në kërkim të së resë' shpunë vetvetiu në një polemikë letrare e natyrisht politike deri në mbledhjen e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë më 11 korrik 1961. Debati, ku morën pjesë jo vetëm shkrimtarë, por edhe personalitete udhëheqës partiakë e shtetërorë u botua në gazetën letrare Drita dhe u prit me interes nga publiku i gjerë pas Kongresit të Katërt të Partisë atë vit. Ai vuri përballë njëri-tjetrit shkrimtarë të brezit të vjetër si Andrea Varfi (1914-1992), Luan Qafëzezi (1922-1995) dhe Mark Gurakuqi (1922-1970), që u shprehën në mbështetje të standardeve poetike të palëvizshme e të traditave të rrënjosura në letërsinë shqiptare e që dolën kundër elementeve të reja poetike duke thënë, për shembull, se vargu i lirë nuk ishte shqiptar, dhe një brez të ri të kryesuar nga Ismail Kadare (l. 1936), Dritëro Agolli (l. 1931) dhe Fatos Arapi (l. 1930), të cilët ishin për një përtëritje të letërsisë e për zgjerimin e gamës tematike e stilistike. Kësaj rruge përtëritjeje iu hap drita e gjelbër nga vetë Enver Hoxha, i cili e kuptoi se gjendja e deriatëhershme nuk mund të vazhdonte më dhe deklaroi se shkrimtarët e rinj, që kërkonin novatorizëm, kishin argumente më të forta.

Edhe pse nuk qe ndryshim rrënjësor i kursit, nuk qe liberalizim apo 'shkrirje' politike 'e akujve' në kuptimin sovjetik, viti 1961 krijoi mundësinë për një periudhë qetësie dhe, po të shohim më larg në kohë, edhe për një çerek shekulli endjesh e provash letrare, që sollën më në fund një nivel më të lartë artistik në letërsinë shqiptare. Pati më tepër larmi temash e stilesh dhe iu kushtua një vëmendje disi më e madhe kriterit letrar të formës dhe çështjes së individualitetit artistik. Edhe pse kjo periudhë e letërsisë shqiptare natyrisht nuk mund të cilësohet si një periudhë ku gëlojnë jokonformistët e ekscentrikët, ajo u zhvillua deri aty sa që, brenda kuadrit të realizmit socialist, krijoi hapësirën e nevojshme për origjinalitet e individualitet krijues. Por arritjet në fushën e letërsisë në fillim të viteve gjashtëdhjetë do të viheshin në rrezik nga turbullira politike e krijuar prej aleancës së Shqipërisë me Kinën maoiste. Në Kongresin e Pestë të Partisë në nëntor 1966, u bë e qartë se Shqipëria jo vetëm qe lidhur në mënyrë të pakthyeshme me Kinën e kuqe, por edhe ekonomikisht varej prej saj, dhe se ishte izoluar plotësisht nga pjesa tjetër e Evropës. Revolucioni Kulturor kinez kishte nisur në nëntor 1965 si reagim ndaj 'revizionizmit sovjetik' dhe kishte sjellë një shkatërrim të paparë në fushën e kulturës. Revolucionarizimi në Shqipëri, po të përjashtojmë fushatën për heqjen e fesë më 1967, qe shumë më pak i skajshëm. Nuk pati gardistë të kuq, nuk pati kult individi të fryrë si ai në Kinë dhe as ndërhyrje nga ushtria. Në janar 1966 nëntëdhjetë e një shkrimtarë dhe intelektualë shqiptarë u zotuan të shkojnë në fshat për të jetuar atje, për të njohur drejtpërdrejt jetën e fshatarëve e për t'u frymëzuar prej tyre. Disa nga këta shkrimtarë kaluan dy a tre vjet duke jetuar në kooperativa bujqësore e pastaj u kthyen në Tiranë. Në Kongresin e Pestë të Partisë në vjeshtë 1966, Enver Hoxha lëshoi thirrjen që letërsia dhe artet të bëhen "armë e fuqishme në duart e partisë për edukimin e punonjësve me frymën e socializmit dhe komunizmit" dhe të udhëhiqen nga "kërkesat ideologjike e politike të partisë". Fushata për 'revolucionarizimin' e letërsisë dhe kulturës shqiptare përfundoi në prill 1969 afërsisht në të njëjtën kohë me rënien e valës së Revolucionit Kulturor në Kinë. Me synimin që t'i vinte intelektualët nën kontroll, kjo fushatë 'e revolucionarizoi' letërsinë në këtë periudhë, por nuk mundi të pengojë sadopak zhvillimin e saj afatgjatë. Megjithatë, ajo e zgjeroi më tej izolimin e Shqipërisë nga të ashtuquajturat 'ndikime të huaja'. Shkëmbimet kulturore me vende të tjera dhe botimi i letërsisë së huaj u pakësuan e ranë në nivelin më të ulët.

Tre dhjetëvjeçarët e diktaturës staliniste, që do të vinin pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik më 1961, përcaktuan një rrugë të qartë për zhvillimin e letrave bashkëkohëse shqiptare. Por sundimi stalinist bëri edhe diçka tjetër - pengoi shkrimet shqipe të zhvilloheshin në një letërsi të krahasueshme me atë të vendeve më të përparuara të Evropës. Për shkak të trysnisë së skajshme të ushtruar mbi shkrimtarët dhe intelektualët nën regjimin e Enver Hoxhës vazhdoi të ekzistojë një shkallë e lartë konformizmi. Shkrimtarët më të mbarë mësuan si të maskojnë synimet e tyre duke e mbështjellë atë që donin të shprehnin me një rrobë të trashë politike, në mënyrë që vetëm syri i stërvitur dhe lexuesi me përvojë mund ta kuptonte analogjinë. Kësisoj, letërsia shqiptare mbeti politike, por në një kuptim krejt të ndryshëm nga ai që synonin dogmatikët partiakë. Në momente të rralla, kur presioni i partisë dobësohej pak, atëherë krijohej dhe botohej ndonjë vepër interesante. Prandaj, për shkak të rrethanave politike të veçanta në vend, e kemi të pamundur të flasim për shkrimtarë të mirë në letërsinë bashkëkohore shqiptare, por mund të flasim vetëm për vepra të mira, që ia dolën t'u rrëshqasin censorëve në momentin e përshtatshëm. Me fjalë të tjera, niveli artistik i një romani apo një vëllimi poetik varej po aq nga viti i botimit sa edhe nga talenti i autorit.

_______________________
L.VETEVENDOSJE!
Feja e Shqiptarit është Shqiptaria
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://www.mjeksia-grup.tk
dr.FjoollaaH™
WebMaster
WebMaster


<b>Postime</b> Postime: 9044

MesazhTitulli: Re: Histori e Letërsisë Shqiptare   Sun Jun 20, 2010 5:43 pm

11.3 Ismail Kadare, vullneti për të ecur përpara





Me gjithë kufizimet e realizmit socialist dhe të diktaturës staliniste, letërsia shqiptare bëri përparime të mëdha në vitet shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë. Shembulli më kuptimplotë i forcës krijuese dhe origjinalitetit të letrave të sotme shqiptare është Ismail Kadare (67) (l. 1936), ende i vetmi shkrimtar shqiptar i dëgjuar e me emër në shkallë të gjerë ndërkombëtare. Talenti i

__________________________________________________ _________________

67 kr. J. Byron 1979a, 1984, Pipa 1983-1984, 1987, 1991, f. 49-123, Mitchell 1990, Beqiri 1991, Faye 1991a, 1991b, Klosi 1991, Resuli 1992, Terpan 1992, Çaushi 1993, 1995, Druon 1993, Nauni 1993, dhe Zamputi 1993a.
__________________________________________________ _________________

Kadaresë si poet e prozator nuk e ka humbur aspak forcën e vet novatore gjatë këtyre tre dhjetëvjeçarëve të fundit. Guximi i tij për të luftuar mediokritetin letrar brenda sistemit solli një frymë të re në kulturën shqiptare. Lindur më 28 janar 1936 në qytetin-muze të Gjirokastrës, Kadareja kreu Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1958 e më pas Institutin Gorki të Letërsisë Botërore në Moskë para vitit 1960, vit kur marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik u bënë të ndera. Që në vitet e para Kadareja u përkrah nga Enver Hoxha, edhe ky nga Gjirokastra, i cili i dha mundësi të arrijë synimet letrare e vetjake, për çka shkrimtarë të tjerë do të ishin dërguar në internim ose në burg.

Ndonëse Kadareja është i vlerësuar në Shqipëri edhe si poet, deri tani ai ka bërë emër në botë krejtësisht falë prozës së tij, sidomos romaneve të ashtuquajtura historike dhe tregimeve. Vepra e parë madhore në prozë, edhe tani ndoshta një nga më të mirat e tij e me siguri më e mirënjohura, është romani Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Tiranë 1963. "Si një shpend krenar e i vetmuar ti do të fluturosh mbi ato male të nëmura e tragjike, që t'u shkëputësh nga grykat dhe kthetrat e tyre djemtë tanë të mjerë." Ky qe përfytyrimi i gjeneralit italian të shoqëruar nga një prift fjalëpakë në misionin në Shqipëri për të marrë eshtrat e ushtarëve të tij të rënë njëzet vjet më parë. Misionin ai e nisi me një ndjenjë madhështie siç i takonte rangut të tij: "Në punën e tij kishte diçka nga madhështia e grekëve dhe trojanëve, diçka nga funeralet homerike." Kur nisi detyrën fisnike të zhvarrosjes së eshtrave të një ushtrie të shpërndarë gjithandej nëpër tokën plot baltë të Shqipërisë, gjenerali e pa se ndodhej në një vend me mot të vrentur e me shi, mes njerëzish të ngrysur e të zemëruar. Dalëngadalë, e në mënyrë të natyrshme, gjenerali vihet përballë realitetit të ashpër të së kaluarës dhe e mposht ideja e mundimshme e kotësisë së misionit të tij. Synimet e tij të mëdha me kohë qenë kthyer në një ankth vetjak të vërtetë, kur eshtrat e Kolonelit famëkeq Z ia hedh mu përpara këmbëve një plakë e marrosur.

Shiu që rrjedh teposhtë xhamit të dritares së makinës ushtarake në dispozicion të gjeneralit, është një metaforë e zakonshme në prozën e Ismail Kadaresë. Në kohën e botimit të parë, këto reshje të vazhdueshme dhe shumë detaje të tjera të romanit e bënin atë një hap të dukshëm përpara në letrat shqiptare. Retë gri të ngarkuara me shi, balta dhe realiteti i mërzitshëm e i njëtrajtshëm i jetës së përditshme ishin në kundërshtim të dukshëm me diellin e artë dhe fitoret e ndritura të realizmit socialist. Këtë e bën edhe gjenerali. Edhe këtu gjejmë një mjet fort të pëlqyer nga shkrimtari, i cili, më shumë se kushdo tjetër, do ta nxirrte letërsinë e vendit të vet nga letargjia tematike e stilistike: kështu Shqipëria e vetmuar dhe e përhirë shihet me syrin e një të huaji të pa të keq dhe që nuk e njeh gjendjen. Ky këndvështrim jo vetëm i dha trajtë një vendi evropian, që në atë kohë ishte më i izoluar nga bota Perëndimore se Tibeti, por edhe u ndihmoi vetë shqiptarëve të shihnin atdheun e tyre siç mund ta shihnin të tjerët.

Pas një botimi të ripunuar më 1967, botimi frëngjisht Le général de l'armée morte, Paris 1970, në përkthimin mjeshtëror të Jusuf Vrionit (l. 1916), hodhi themelet për popullaritetin e merituar të Kadaresë jashtë vendit. Ky roman është përkthyer edhe bullgarisht (Sofje 1966), serbokroatisht (Krushevac 1968, Rijeka 1978), turqisht (Stamboll 1970), anglisht (Londër 1971, Nju Jork 1991), greqisht (Athinë 1972), hungarisht (Budapest 1972), vietnamisht (Hanoi 1972), gjermanisht (Dyseldorf 1973, Berlini Lindor 1977), rumanisht (Bukuresht 1973), suedisht (Stokholm 1973), maqedonisht (Shkup 1975), portugalisht (Lisbonë 1976), sllovenisht (Maribor 1976), spanjisht (Havanë 1976, Madrid 1987), italisht (Milano 1982), sllovakisht (Bratislavë 1983), polonisht (Varshavë 1984), danisht (Århus 1985), holandisht (Amsterdam 1987) dhe rusisht (Moskë 1990).

Pak kohë pas suksesit të 'Gjeneralit', Kadareja botoi një roman të shkurtër me titullin Përbindëshi në numrin 12 (1965) të revistës Nëntori. Por 'Përbindëshi' shumë shpejt ra viktimë e censurës staliniste. Shkrimtari më vonë ka shpjeguar se kishte mjaftuar një artikull shpifës për ta përjashtuar veprën nga letërsia shqiptare. "U godit aq barbarisht, u ndalua e u rropos aq thellë, saqë për njëzët e pesë vjet nuk arrita dot ta çvarros (68)." Përbindëshi në fjalë nuk ishte veçse kali i Trojës para portave të Ilionit të shenjtë, veçse këtu, përbindësh në përthyerjen e kohës. Rënia e Trojës ndodh si në të ardhmen edhe në të kaluarën e personazheve. Herë-herë ata mbeten të pandryshuar ndërsa Troja shndërrohet para syve të tyre, duke ndërruar formë e duke u bërë qytet modern me kafene, aeroport etj. Herë të tjera mbetet po ai qytet, ndërsa ata që ndryshojnë janë personazhet, duke kaluar faza të ndryshme shndërrimi për t'u bërë figura të kohës sonë. Ky shfytyrim i kohës, pa përruan xhojsian të ndërgjegjes, mjaftoi për t'ua ngritur nervat censorëve stalinistë, të cilët ngrinë vetëm nga ideja se mos po bëheshin aludime politike, dhe romani u pa e udhës të lihej në harresë. Kush mund t'i fajësonte autoritetet për dyshimin se rrëfimi për pushtimin tinëzar të Trojës mund të ishte, në analizë të fundit, më fort për Shqipërinë se për diçka tjetër? Libri u ribotua për herë të parë pas një çerek shekulli (Prizren 1990 dhe Tiranë 1991), dhe gjendet i përkthyer në frëngjishte (Paris 1991) dhe në suedishte (Stokholm 1994). Veprat e Kadaresë gjithmonë kanë qenë pasqyrim i përpiktë i peripecive të jetës politike shqiptare. Romani i tij i dytë, Dasma, Tiranë 1968, trajtonte temën e emancipimit të gruas në Shqipëri në kulmin e dy fushatave të mëdha sociale të Enver Hoxhës: heqja e fesë dhe emancipimi i gruas në një popullsi me prejardhje kryesisht myslimane. Dasma, krijim i Revolucionit Kulturor shqiptar të viteve 1966-1969, është vepër me vlera artistike të kufizuara, ndonëse është me interes si dokument i kohës. Për qëllim propagandistik është përkthyer anglisht (Tiranë 1968, Nju Jork 1972), norvegjisht (Oslo 1976), suedisht (Stokholm 1976), holandisht (Roterdam 1979) dhe spanjisht (1985).

Në vitet shtatëdhjetë Kadareja iu kthye përherë e më tepër prozës historike, liman ky më i sigurt pas Revolucionit Kulturor, dhe u bë mjeshtër i pashoq i këtij zhanri. Kështjella, Tiranë 1970, roman që të kujton Il deserto dei Tatari, Milano 1940 (Shkretëtira e Tartarëve), të Dino Buxatit, na kthen prapa në shekullin e pesëmbëdhjetë, epoka e heroit kombëtar të Shqipërisë, Skënderbeut (1405-1468). Ajo, me imtësi dhe me një kompozicion të goditur, pasqyron rrethimin nga turqit të një kështjelle mesjetare shqiptare, që simbolizon vetë Shqipërinë nën fushatat e shumta të ndërmarra nga Perandoria Osmane për ta nënshtruar këtë vend. Sikundër në Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Shqipëria shihet me sytë e një të huaji, pashait turk. Skënderbeu vetë nuk del fare gjatë romanit. Shumë kritikë vënë në dukje se aludimi për ngjarjet politike të viteve gjashtëdhjetë nuk ishte i paqëllimshëm. Më 1961 ishin prerë lidhjet me Bashkimin e fuqishëm Sovjetik, kurse pas pushtimit të Çekosllovakisë më 1968, udhëheqësit shqiptarë e ndien në palcë mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake sovjetike kundër tyre, për ta kthyer këtë vend në vathë. Nuk pati lexues shqiptar që nuk e ndjeu analogjinë midis Portës së Lartë dhe Kremlinit. Edhe Kështjella është përkthyer në shumë gjuhë: frëngjisht (Paris 1972), katalanisht (Barcelonë 1974), holandisht (Amsterdam 1974), anglisht (Tiranë 1974, Nju Jork 1980), portugalisht (1977), serbokroatisht (Beograd 1977), greqisht (Athinë 1980), italisht (Milano 1981), hungarisht (Budapest 1982), arabisht (Damask 1984), rumanisht (Bukuresht 1987), spanjisht (Barcelonë 1988) dhe gjermanisht (Kiel 1988).

Në periudhën e qetësisë relative midis fundit të Revolucionit Kulturor më 1969 dhe spastrimit Paçrami dhe Lubonja më 1973, Ismail Kadare botoi një nga veprat e tij më me peshë Kronikë në gur, Tiranë 1971. Kjo vepër me tetëmbëdhjetë kapituj dhe një epilog është kronika e qytetit piktoresk të Gjirokastrës gjatë Luftës së Dytë Botërore. I njohur nga grekët me emrin Argyrokastron, ky qytet përrallor me muret e larta të kalasë së gurtë që shfaqet si në mjegull në shpat të malit përmbi kalldrëmet e ngushta, u pushtua me radhë, sikundër një pjesë e mirë e Shqipërisë asokohe, nga grekët, italianët dhe më vonë nga gjermanët. Kronikë në gur, shkruar mbi bazën e një varianti të titulluar Qyteti i jugut, Tiranë 1967, dhe përkthyer deri tani

__________________________________________________ _________________

68 Pesha e kryqit, Paris 1991, f. 27.
__________________________________________________ _________________

frëngjisht (Paris 1973), bullgarisht (Sofje 1975), suedisht (Stokholm 1975), finlandisht (1977), serbokroatisht (Sarajevë 1979), turqisht (Stamboll 1981), rumanisht (Bukuresht 1983), greqisht (Athinë 1985), anglisht (Londër & Nju Jork 1987), gjermanisht (Zalcburg 1988), holandisht (Amsterdam 1990), italisht (Milano 1990), spanjisht (Barcelonë 1992), dhe suedisht (Stokholm 1993), është roman me gjuhë të përpunuar e me aludime politike të holla. Nuk na jep aq pasqyrimin e ngjarjeve të ashpra historike në një qytet të pushtuar, sesa një bashkërendim emocional të fuqishëm vëzhgimesh, mbresash e fantazish fëminore të një djali shqiptar. Kadareja vetë, sikundër e kemi thënë, kishte lindur në Gjirokastër më 1936, ashtu si Enver Hoxha një brez para tij. Duke qenë njëfarësoj me frymëzim autobiografik, romani e ndjek këtë djalë nëpër rrugët e qytetit të tij të pushtuar dhe nëpër dyert e fantazisë së tij, ashtu si i sheh ai ngjarjet me syrin e vet dhe ashtu si ia kap veshi nga ato çika thashethemesh, bisedash e paragjykimesh nëpër lagje. Një fqinjë i duket si Ledi Makbeth, kurse një kokë lakër në pazar si një kokë njeriu e prerë. Ushtarët kalimtarë i bëhen si ata të kryqëzatave deri sa ai vetë me të tjerë hyjnë në një çetë partizane dhe bota e fantazisë fëminore i lëshon udhë pjekurisë së ashpër.

Spastrimi i liberalëve nga Plenumi i Katërt i Komitetit Qendror më 26-28 qershor 1973 shkaktoi një valë tronditjesh në qarqet intelektuale. Ismail Kadaresë, si disident letrar kryesor, iu desh të hidhte hapa të kujdesshëm për të mos e pësuar. Në Nëntori i një kryeqyteti, Tiranë 1975, ai iu kthye në kohën e duhur një teme politike më të pranueshme, luftës partizane kundër pushtimit gjerman në Tiranë më 1944. Është përkthyer në gjuhën daneze (Århus 1981), në frëngjishte (Paris 1985), në rumanishte (Bukuresht 1989) dhe në gjermanishte (Kiel 1991). Dimri i madh, Tiranë 1977, është një meditim letrar i prishjes traumatike me Bashkimin Sovjetik. I botuar në fillim në një variant më të shkurtër me titull Dimri i vetmisë së madhe, Tiranë 1973, Dimri i madh është roman me përmasa monumentale historike e politike. Dimri i ashpër i viteve 1960-1961 ishte me të vërtetë i rëndësishëm në historinë shqiptare të pasluftës. Ai qe viti që shënoi prishjen midis Nikita Hrushçovit dhe Enver Hoxhës dhe dëshmoi tërheqjen përfundimtare të Shqipërisë nga sfera sovjetike. Kur Hrushçovi i ndërpreu furnizimet me drithë më 1961 për të treguar pakënaqësinë ndaj aleancës kino-shqiptare, Enver Hoxha iu përgjigj kryelartë: "Më mirë hamë bar sesa gjunjëzohemi!" Poshtërimi për shqiptarët krenarë por të varfër qe edhe më i rëndë po të shihet lidhur me një thënie të famshme të Hrushçovit, të bërë më parë gjatë një vizite në Shqipëri, se minjtë në siloset e drithit të Bashkimit Sovjetik hanin më shumë grurë sesa mund të prodhonte e gjithë Shqipëria. Shqiptarëve u duhej përsëri të kujdeseshin për veten, kësaj radhe plotësisht të vetëdijshëm se nuk kishin aleatë të drejtpërdrejtë përveç Kinës së largët. Tensioni arriti kulmin kur Hoxha haptazi akuzoi Bashkimin Sovjetik për politikë kolonialiste. Dimri i madh i pasqyron këto ngjarje emocionuese në dy rrafshe: në atë politik e në atë personal, nga tryeza e bisedimeve në Kremlin deri në shtëpitë e njerëzve të thjeshtë në Tiranë. Personazhi kryesor i romanit është Besnik Struga, gazetar në Tiranë, të cilin e caktojnë në delegacionin shqiptar si përkthyes dhe niset për në Moskë ndërkohë që Evropën Lindore e ka mbuluar bora e parë e dimrit të madh. Atje ai merr pjesë në bisedime, pritje e biseda sekrete në nivel të lartë, duke provuar drejtpërdrejt intriga politike dhe politikë fuqish. Pa kthimit nga Moska Besnik Strugës ia shton tronditjen edhe fakti se fejesa me Zanën në Tiranë prishet. Besniku përfaqëson një nga të shumtët e prekur nga rrjedhat e politikës. Kadareja gjithashtu sjell në vepër edhe një tufë personazhesh dytësorë, që nga fshesarët e deri te borgjezët e moshuar, të zënë në befasi nga ngjarjet e dimrit të madh. Studentët shqiptarë të universiteteve të Moskës dhe Leningradit detyrohen të ndërpresin studimet e tyre në mes e të kthehen në shtëpi. Bashkimi Sovjetik thërret të gjithë këshilltarët e vet dhe, pas bisedimesh të ndera, tërhiqet dhe braktis bazën strategjike të nëndetëseve në Pashaliman, afër Vlorës. Marrëdhëniet politike dhe ekonomike u prenë përfundimisht. Por Shqipëria mbijetoi:

_______________________
L.VETEVENDOSJE!
Feja e Shqiptarit është Shqiptaria
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://www.mjeksia-grup.tk
dr.FjoollaaH™
WebMaster
WebMaster


<b>Postime</b> Postime: 9044

MesazhTitulli: Re: Histori e Letërsisë Shqiptare   Sun Jun 20, 2010 5:43 pm

<BLOCKQUOTE>"Në fillim të marsit, pas një ere të stuhishme, furia e së cilës ua kalonte gjithë sqotave dimërore, mijëra njerëz hipën mbi çatira dhe tarraca për të rregulluar përveç të tjerash, antenat e TV-ve, të shtrembëruara ose të rrëzuara prej saj... Mirëpo, antenat, vetë çatitë, ashtu sikurse gjithë peizazhi i gjerë përreth, kishin mbetur po ato. Ndoshta për këtë arsye, ndërsa bëheshin gati për të zbritur, njerëzit tundnin kokat sikur të thoshin:
'megjithatë ç'dimër që ishte'." (69)
</BLOCKQUOTE>Një pjesë të mirë të dialogut në këtë roman Kadareja e rindërtoi nga procesverbalet faktike të bisedimeve dhe nga kujtimet e Enver Hoxhës, që na japin mundësinë të shohim me një sy të shpejtë e të veçantë mekanizmin e botës komuniste të kësaj periudhe. Portreti që i bën Enver Hoxhës, siç edhe pritej, është disi lajkatues dhe ia forcoi pozitën si 'shkrimtar i brendshëm' i partisë. Kadareja më pas ka thënë se ishte Dimri i madh ai që e shpëtoi fizikisht: Enver Hoxha "e çmon mjaft portretin e tij në atë libër dhe kurrsesi nuk do që ta humbasë. Mirëpo bashkë me ty do të zhdukej edhe romani." (70) Vepra është botuar frëngjisht (Paris 1978), suedisht (Stokholm 1980), gjermanisht (Kiel 1987), spanjisht (Madrid 1991) dhe serbokroatisht.

Muzgu i perëndive të stepës, 1978, është një roman dhe autobiografik si Kronikë në gur. Flet për vitet e Kadaresë si student në Institutin Gorki të Letërsisë Botërore pak kohë para prishjes së aleancës sovjeto-shqiptare. Ky roman, që është përkthyer edhe frëngjisht (Paris 1981), italisht (Torino 1982), holandisht (Bussum 1983), suedisht (Stokholm 1983) dhe greqisht (Athinë 1990), përfshin një histori dashurie të Kadaresë me një vajzë ruse dhe një kapitull për shkrimtarin disident Boris Pasternak (1890-1960), të cilit iu dha Çmimi Nobel më 1958 për romanin Doktor Zhivago, çka ngjalli pakënaqësinë e autoriteteve sovjetike. Muzgu i perëndive te stepës paraqet disa ngjashmëri kureshtare me romanin e njohur rus Mjeshtri dhe Margarita të Mihail Afanasjeviç Bullgakovit (1891-1940), të botuar një dhjetëvjeçar më herët.

Ura me tri harqe, Tiranë 1978, Kadareja u kthehet fillesave mitike të historisë së mugët të Shqipërisë për t'i dhënë jetë njërit prej motiveve më të mahnitshme të legjendave ballkanike, murimit. Legjenda e murimit të një qenieje njerëzore në themelet e një ure apo kështjelle është gjerësisht e përhapur në letërsinë gojore shqiptare (kr. legjendën e kështjellës së Rozafës). Në fillim të shekullit të njëzetë, ende bëheshin kurban kafshë si dashi, cjapi, gjeli në të tilla raste ndërtimesh në Shqipëri për t'i bërë 'më të forta' themelet e urave apo mureve. Kjo praktikë e ashpër merr jetë nga pena e Kadaresë me të gjithë tmerrin e saj në Ura me tri harqe, e cila gjendet gjithashtu e përkthyer frëngjisht (Paris 1981), holandisht (Amsterdam 1986), greqisht (Athinë 1989), spanjisht (Madrid 1989), baskisht (San Sebastian 1994) dhe anglisht (Nju Jork 1997). Ky roman është konsideruar si një reagim shqiptar ndaj fituesit serb të Çmimit Nobel Na Drini ƒuprija, Sarajevë 1948 (Ura mbi Drinë), të Ivo Andriqit. Kadareja e ndien veten shkëlqyeshëm në temat ballkanike.

Një histori tjetër ballkanike është Komisioni i festës, 1977, i përkthyer frëngjisht (Paris 1985), gjermanisht (Berlini Lindor 1987), turqisht (Stamboll 1976) dhe italisht (Leçe 1996), që na kthen e na shpie në Shqipërinë e shekullit të nëntëmbëdhjetë të mbërthyer në darën e Perandorisë Osmane. Kadareja përshkruan ethet e përgatitjeve të një feste në kremtim të ripërfshirjes së Shqipërisë brenda Perandorisë pas shtypjes së një kryengritjeje, dhe masakrën e pabesë pas festës mbi pesëqind krerë e luftëtarë shqiptarë. Vepra mbështetet në njërin prej episodeve më tragjike në historinë shqiptare. Më 1830, pas luftës ruso-turke, Porta e Lartë vendosi të hiqte qafe një herë e mirë krerët shqiptarë, të cilët vazhdimisht ngrinin krye kundër Perandorisë dhe kishin shfrytëzuar çdo rast për të mos u bindur. Në gusht të atij viti, Mehmed

__________________________________________________ _________________

69 Dimri i madh, Tiranë 1981, f. 614-615.

70 Pesha e kryqit, Paris 1991, f. 140.
__________________________________________________ _________________

Reshid pasha mbërriti në Manastir për të shpallur një amnisti të përgjithshme për fiset kryengritëse. Gjatë festës së kremtimit të kësaj amnistie, trupat e tij rrethuan dhe masakruan pesëqind krerë me familjet e tyre, duke zhdukur kësisoj me një goditje praktikisht të gjithë krerët e Shqipërisë së jugut. Në këtë vepër Kadareja rikrijoi me plot gjallëri mjedisin cinik të politikës mashtruese të organizuar nga një sistem autokratik i zhytur në amulli. Natyrisht, i mbetej lexuesit shqiptar të hiqte paralelet që dëshironte në kohë dhe në hapësirë. Po ajo periudhë e historisë shqiptare e trajtuar në Komisionin e festës përbën sfondin alegorik për veprën Pashallëqet e mëdha, 1978. Pashallëku në fjalë është ai i Ali pashë Tepelenës (1741-1822), Luani i Janinës, i përmendur për egërsinë dhe mizorinë e tij. Pasi u ngjit në një rang të lartë të administratës së Perandorisë Osmane, Ali pasha krijoi shtetin e tij autonom në Shqipërinë e jugut e Greqinë e veriut dhe mbajti marrëdhënie diplomatike të pavarura me Napoleonin dhe Perëndimin. Këtë e arriti me diplomaci mjaft të hollë, manovrime taktike dhe intriga me Portën e Lartë, çka na kujton përsëri, jo rastësisht, luftën e Enver Hoxhës me Kremlinin. Kryengritja e Ali pashës u mbyt nga Porta kur pashai rebel më në fund u kap dhe u ekzekutua duke i prerë kokën në janar 1822 në një ishull në liqenin e Janinës, ku dhe ishte ngujuar. Koka e Ali pashës, sikundër ato të të gjithë krerëve të tjerë rebelë, u soll në Stamboll nga korrieri mbretëror, Tunxh Hatai, dhe u ekspozua për publikun në 'kamaren e turpit'. Në botimet në gjuhë të huaja, ky roman njihet shpesh me titullin Kamarja e turpit. Ndër to përmenden përkthimet frëngjisht (Paris 1984), greqisht (Athinë 1985), suedisht (Stokholm 1986), danisht (Århus 1989, 1990), spanjisht (Barcelonë 1989), gjermanisht (Zalcburg 1990), dhe holandisht (Amsterdam 1991).

Shumë nga tregimet dhe romanet e shkurtra të Kadaresë janë botuar, në këtë periudhë pjekurie artistike përherë e më të lartë, në tri përmbledhje: Emblema e dikurshme, Tiranë 1977, Gjakftohtësia, Tiranë 1980 dhe Koha e shkrimeve, Tiranë 1986. Këto dy vëllimet e fundit qenë thellësisht jokonformiste po të kemi parasysh standardet shqiptare, dhe pasuruan tregimin shqiptar me përmasa të reja si në përmbajtje edhe në formë. Romanet e shkurtra u botuan në formë tregimi të shkurtër, duke qenë se romanet në përgjithësi kontrolloheshin në mënyrë më rigoroze dhe për arsyen e thjeshtë se redaktori i tregimit të shkurtër në shtëpinë botuese shtetërore asokohe ishte më pak i rreptë në vigjilencë politike se redaktori i romanit.

Breznia e Hankonatëve, 1977, është një roman i shkurtër me 78 episode, i përkthyer frëngjisht (Paris 1985) e gjermanisht (Berlini Lindor 1987), që ndjek rrugën e familjes Hankoni, një emërtim i sugjeruar nga familja Angoni në zë e Gjirokastrës. Kadareja vë në dukje zellin, paragjykimet, konfliktet dhe rivalitetet e vogla, arritjet dhe dështimet e kësaj familjeje, duke e ndjekur nga brezi në brez gjatë një periudhe prej dy shekujsh. Edhe këtu autori tregon mjeshtëri jo vetëm në përvijimin e një historie familjare, por edhe në teknikat origjinale për pasqyrimin e një epoke të mbrujtur me ironitë e historisë dhe trillet e fatit. Në Kush e solli Doruntinën?, 1979, Kadareja zhytet përsëri në të kaluarën legjendare të Shqipërisë, në një legjendë me kuptimin e pastër të fjalës. Historia e Kostandinit dhe e së motrës Doruntinë, që nganjëherë del me emrin Garentinë, është një nga më të njohurat e folklorit shqiptar.
<BLOCKQUOTE>Një grua plakë ka nëntë djem e një vajzë. Kur vjen koha të martojë vajzën me një dhëndër të largët, tetë nga djemtë tashmë i kanë vdekur. Për shkak se nëna plakë ngurron ta japë pëlqimin për këtë martesë se mos humbet edhe të bijën, ndoshta për jetë, i vetmi djalë që i kishte mbetur, Kostandini i vogël, bëri një betim solemn (besën), duke i dhënë fjalën se do t'ia sjellë të motrën sa herë që të dëshirojë e ëma. Koha kalon, por nga pjesëtarët e familjes të mbetur gjallë, është Kostandini ai që vdes i pari. Plaka, tani e vetmuar, pendohet që e ka dhënë vajzën larg, digjet për të parë të bijën dhe mallkon Kostandinin e vdekur që nuk e mbajti fjalën, besën. Prandaj Kostandini, ndonëse i vdekur, i mbetet besnik fjalës së dhënë dhe ngrihet nga varri, i hipën kalit, dhe niset nëpër natë për të gjetur të motrën. E gjen dhe e sjell te krahët e së ëmës që ishte duke dhënë shpirt.</BLOCKQUOTE>Kjo është legjenda ballkanase të cilën Kadareja e ka shndërruar me mjeshtëri në një 'thriller' të kohës. Kush e solli Doruntinën? është përkthyer anglisht me titullin Doruntine (Nju Jork 1988), si dhe frëngjisht (Paris 1986), greqisht (Athinë 1987), suedisht (Stokholm 1988), bullgarisht (Sofje 1989), italisht (Milano 1989), danisht (Århus 1990), gjermanisht (Zalcburg 1992), polonisht dhe spanjisht. Veprimi shtjellohet rreth kapiten Stresit, nëpunës i ulët në Shqipërinë mesjetare, i ngarkuar me përzgjedhjen e fakteve të çështjes dhe me përgatitjen e një raporti: mbërritja e beftë e bijës nga Bohemia e largët në një natë tetori me mjegull, vdekja e papritur e nënës me të bijën, fjalët e parreshtura për një lidhje incesti - një dëshirë kaq e zjarrtë saqë vetëm vdekja e mposht - varri i hapur, marifetet për të mbuluar skandalin në interes të kishës e të shtetit dhe, më në fund, personi i dyshuar. Kjo atmosferë intrigash mesjetare, që na jep Kadareja, na kujton atë të romanit mjaft me sukses të Umberto Ekos Il nome della rosa (Emri i trëndafilit).

Prilli i thyer, 1978, i botuar në vëllimin Gjakftohtësia, nuk është pa ngjasim me Kush e solli Doruntinën? e mesjetës; ndonëse subjekti i saj fillon me një vrasje, e për më tepër shtjellohet në vitet 1930. Gjorg Berisha ka kryer atë që familja dhe gjithë të afërmit kishin ngulur këmbë: të vërë nderin në vend duke vrarë vrasësin e të vëllait nga fisi rival i Kryeqyqes. Rrugë tjetër nuk kishte, veç asaj të gjakmarrjes të parashikuar në kanunin e lashtë të Lekë Dukagjinit. Familje të tëra qenë fshirë nga faqja e dheut me gjakmarrje, kurse tani edhe ai ishte i detyruar të ndiqte ligjin, duke u bërë vetë viktima e radhës. Gjithçka ishte përcaktuar nga kodi fisnor përfshirë besën tridhjetëditëshe gjatë së cilës vrasësit i lejohej të kalonte ditët e fundit të jetës jashtë shtëpisë e gjatë së cilës duhet të kaptonte disa male për të shkuar te qehajai i gjakut, mbajtësi i llogarive, e për t'i dorëzuar taksën e gjakut. Kur shkrimtari Besian Vorpsi u shpall miqve e të njohurve në një darkë në Tiranë se muajin e mjaltit do ta kalonte me një udhëtim nëpër malësinë patriarkale, ata shtangën të gjithë. Edhe nusja Diana befasohet dhe habitet nga mendimi që do të kalojë muajin e mjaltit në rrafshin e shkretë të Alpeve të veriut. Disa nga miqtë arrijnë të kuptojnë se Besianin, si shkrimtar, e ka magjepsur ideja e një udhëtimi në të kaluarën, mes fiseve malësore patriarkale e feudale të veriut, shoqëri kjo primitive, ende e paprekur nga qytetërimi modern. Po e shkreta nuse Diana? Ata më të hedhurit, amatorët e aventurave, e kanë zili: "Ti do të shkosh nga bota reale drejt e në botën e legjendave, midis eposit të mirëfilltë, që rrallë e gjen akoma të gjallë mbi fytyrë të rruzullit tokësor." Kurse Gjorgu, gjatë udhëtimit për në kullën e zymtë të Oroshit, shtanget kur sheh karrocën me një zonjë të re e të bukur nga qyteti. Edhe Dianës ia ka kapur syri këtë malësor të ri gjatë rrugës për në kullën e Oroshit. E doemos, joshja e sëmurë e Besianit për zakonin e gjakmarrjes dhe joshja erotike e Dianës për Gjorg Berishën, një obsesion që e tërheq dhe e dërgon në një botë tjetër, shpien në ftohjen e tyre. Ky roman është përkthyer anglisht me titullin Broken April (Nju Jork 1990), frëngjisht (Paris 1982), greqisht (Athinë 1988), polonisht (Varshavë 1988), gjermanisht (Zalcburg 1989), bullgarisht (Sofje 1989), spanjisht (Barcelonë 1990), italisht (Parma 1993), dhe norvegjisht (Oslo 1993).

Nëpunësi i pallatit të ëndrrave, Tiranë 1981, është quajtur si një nga kryeveprat e Kadaresë. Këtu kemi botën e Franc Kafkës (Franz Kafka) dhe të veprës '1984' të Xhorxh Oruellit (George Orwell), të vendosur në atmosferën disi të fjetur të Perandorisë Osmane. Mark Alemi, pinjoll i një familjeje të njohur nëpunësish shtetërorë, caktohet me punë në Tabir Saraj, zyra e tmerrshme shtetërore, që merret me studimin e gjumit dhe të ëndrrave. Detyra e tij është të marrë në shqyrtim e të grupojë ëndrrat dhe ankthet e shtetasve të Sulltanit e t'i interpretojë për t'u dhënë mundësi autoriteteve të mbysin që në embrion çdo rebelim e të parandalojnë aktet

_______________________
L.VETEVENDOSJE!
Feja e Shqiptarit është Shqiptaria
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://www.mjeksia-grup.tk
dr.FjoollaaH™
WebMaster
WebMaster


<b>Postime</b> Postime: 9044

MesazhTitulli: Re: Histori e Letërsisë Shqiptare   Sun Jun 20, 2010 5:44 pm

kriminale. Nëpunësi i pallatit të ëndrrave, që është përkthyer bullgarisht (Sofje 1989), frëngjisht (Paris 1990), greqisht (Athinë 1990), italisht (Milano 1991), serbokroatisht (Sarajevë 1991), spanjisht (Barcelonë 1991), portugalisht (Lisbonë 1992), suedisht (Stokholm 1992), anglisht, (The palace of dreams, Nju Jork/Londër 1993), danisht (Århus 1994), dhe holandisht (Amsterdam 1995), është në thelb një roman me humor, por ndoshta jo krejtësisht për ata që kanë jetuar në një shtet totalitar. Për shqiptarët, analogjia është më se e dukshme.

Krushqit janë të ngrirë, botuar në Koha e shkrimeve më 1986, u bën jehonë ngjarjeve shpërthyese të kryengritjes shqiptare në krahinën, atëherë autonome, të Kosovës në mars-prill 1981. Kërkesa e shqiptarëve për statusin e republikës brenda Federatës Jugosllave u ndesh me përndjekje të ashpra dhe vendosjen e shtetrrethimit nga autoritetet serbe të Beogradit. Tensioni midis shqiptarëve dhe serbëve, që kanë qenë bashkë në fushat e Kosovës për shekuj me radhë, arriti një kulm tjetër tragjik atë vit. Në vend që të bashkëjetonin në harmoni, ata u hodhën kundër njëri-tjetrit. Titulli i romanit e hedh fjalën pikërisht te kjo pamundësi, e krijuar nga rrethanat për të jetuar së bashku. Sipas legjendës, 'ora', e mitologjisë shqiptare, i ngrin krushqit para se të arrijnë në shtëpi, në mënyrë që të parandalohet ajo që nuk duhet të ndodhë. Alegoria e Kadaresë prek një realitet të pakëndshëm. Janë dy ditë nga jeta e Teuta Shkrelit, mjeke kirurge në një spital të Prishtinës gjatë atyre ngjarjeve të përgjakshme, e cila e sheh veten të kapur në një grackë intrigash e inkriminimi. Kush ishte përgjegjës për ata shtretër të tjerë të vendosur në pavjon një natë para kryengritjes? Kush e hoqi listën me emrat e pacientëve nga dosjet e spitalit? Kush u dha ndihmë mjekësore armiqve të shtetit? A qenë sterilizuar serbët nga mjekë shqiptarë, apo anasjelltas? Teuta, e vetëdijshme për shtypjen që e priste, e ndjeu se besnikëria ndaj popullit të vet e ndaj profesionit peshon më shumë se besnikëria pasive ndaj shtetit. Kadareja nuk e kursen penën në pasqyrimin e realitetit politik në Kosovë, sidomos në përshkrimin e maskarenjve të dehur serbë, që ëndërrojnë kohën e lumtur të Aleksandër Rankoviqit (1909-1983), kreu i policisë sekrete jugosllave, përgjegjës për përndjekjen sistematike të popullsisë shqiptare, derisa u shkarkua në korrik 1966. Ky roman, i palejuar në Jugosllavi për një kohë të gjatë, gjendet edhe i përkthyer në frëngjisht (Paris 1987), dhe sot është më aktual se kurrë.

Viti i mbrapshtë, edhe ky i botuar në librin Koha e shkrimeve dhe i përkthyer frëngjisht (Paris 1987), na shpie prapa në vitin 1914, një faqe e errët jo vetëm në analet e historisë së Evropës, por edhe një vit i rrëmujshëm e vendimtar në luftën e shtetit të sapolindur shqiptar për të mbetur gjallë. Çfarë ligësish paralajmëroi kometa që kaloi në qiellin shqiptar? Në vend mbretëroi rrëmuja e jo princi gjerman Vilhelm Vid (Wilhelm zu Wied, 1876-1945), i zgjedhur nga fuqitë evropiane, që pas një vonese të madhe, zbarkoi në portin e Durrësit në mars 1914 për të pranuar kurorën e kësaj principate të vogël e të panjohur. Por qeveria e tij e kryesuar nga Turhan Pasha, e përbërë kryesisht nga çifligarë feudalë rivalë, kontrollonte vetëm një pjesë të vogël të vendit, kurse Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit nuk qe në gjendje t'u bënte ballë një numri të madh interesash të kundërt, jo vetëm midis vetë shqiptarëve, por edhe midis 'këshilltarëve ushtarakë' francezë, britanikë dhe holandezë e midis shteteve fqinje përherë në ekspansion. Në valën e kësaj rrëmuje fjalët përhapeshin si zjarri në pyll. A duhet bërë Vilhelm Vidi synet për të treguar një gjest të vullnetit të mirë kundrejt bashkësisë myslimane në shumicë apo tashmë është bërë synet fshehurazi? Kush e di përveç së shoqes, e ndoshta së ëmblës Sara Stringa, mbrëmjet dhe pritjet e së cilës janë në qendër të jetës shoqërore për atë ajkë mjaft të paktë të kryeqytetit të saposajuar shqiptar? Ndërsa kapedanët nëpër male vazhdojnë luftën për pushtet dhe forcat malazeze, greke dhe serbe shkelin vendin, korpusi diplomatik i akredituar këtu merret me interpretimin e domethënies që mund të ketë ajo tepsia e bakllavasë dërguar misionit britanik nga konsulli turk. Pas gjashtë muajsh sundimi pa lavdi princi i pa të keq gjerman ikën nga Durrësi e merr detin, duke lënë një këshill regjence për punët e vendit, ndërkohë që kometa misterioze dalëngadalë zbret poshtë horizontit.

Viti i mbrapshtë përmban mjaft aludime të matura për Shqipërinë komuniste. "Jam i lumtur të lajmëroj sot sulltanin sovran, mëkëmbësin e profetit mbi dhè, se gjithë gratë dhe vajzat e perandorisë më të madhe të botës janë nën ferexhe." Kjo është pika kulminore e tregimit me titull Sjellësi i fatkeqësisë - Islamo nox, 1984, që gjendet edhe i përkthyer frëngjisht (Paris 1985) dhe gjermanisht (Berlini Lindor 1987). Qe vullneti i Sulltanit që të gjitha femrat e Perandorisë Osmane, në lindje e në perëndim të Bosforit, të mbuloheshin me perçe. Gratë e Ballkanit, e sidomos vashat syzeza të malësisë së thellë shqiptare, myslimane vetëm nga emri, nuk e quanin ende të turpshme sjelljen e tyre, prandaj edhe Porta e Lartë qe e shtrënguar të merrte masa. Gjatë gjithë një vere, me një punë të nderë, rrobaqepëse nga dhjetë qytete turke përgatitën gjysmë milioni perçe për motrat kokëforta evropiane. Sapo u dorëzuan në magazinën qendrore në Stamboll, perçet u bënë deng me kujdes e u ngarkuan në mushkat e Haxhi Miletit. Në këtë pikë nis rrëfimi i Kadaresë. Ndjekim pastaj karvanin e Haxhi Miletit gjatë rrugës së tij më se politike drejt Shqipërisë për t'ua shpërndarë perçet orientale grave evropiane të Perandorisë. Haxhiu, shërbëtor besnik i Sulltanit, arrin të mposhtë dyshimet që i lindën për karakterin e moralshëm ose jo të udhëtimit të tij dhe e zbaton urdhrin perandorak një për një. Po a e zbaton vërtet? Me t'u kthyer në Orman Çiflig, e arrestojnë dhe e hedhin në burg për të kaluar pjesën tjetër të jetës. Çfarë e vulosi fatin e tij, ndonjë intrigë politike apo 'mallkimi i grave të Ballkanit'? Edhe këtu, lexuesi shqiptar ishte i lirë të bënte analogjinë si të donte.

Në kontrast me tregimet dhe romanet e shkurtra të sipërpërmendura, romani i Kadaresë Koncert në fund të dimrit, Tiranë 1988, u kthehet përmasave epike të Dimrit të madh, me të cilin ka mjaft paralele. Kjo kronikë 700 faqesh, e përkthyer frëngjisht (Paris 1989), gjermanisht (Zalcburg 1991), greqisht (Athinë 1992), spanjisht (Madrid 1992), anglisht (Nju Jork/Londër 1994) dhe portugalisht, ka një titull të hapur simbolik që na bën ta nënkuptojmë si një vazhdim të Dimrit të madh. Këtu Kadare i jep lexuesit një tablo tjetër të historisë më të re shqiptare, një vështrim grotesk mbi shkëputjen dramatike të Shqipërisë nga Kina postmaoiste më 1978. Autori në fakt e kishte filluar ta shkruante atë në kohën e prishjes së aleancës kino-shqiptare, por e përfundoi vetëm më 1988. Marrëdhëniet midis Kinës dhe Shqipërisë patën filluar të acaroheshin me hapjen pak e nga pak të Kinës ndaj Perëndimit në vitet shtatëdhjetë, kurse pika e fundit që mbushi gotën qe pak a shumë ftesa historike presidentit Nikson për të vizituar republikën e pesë yjeve. Për Enver Hoxhën dhe Partinë e Punës të Shqipërisë aleati i tyre i vetëm nuk qe më kështjellë e marksizëm-leninizmit. Skenari politik ishte në fakt po ai i prishjes me Bashkimin Sovjetik: dallime ideologjike në pikëpamje, politikë e forcës, një Enver Hoxhë i vendosur dhe largim përfundimtar i specialistëve të huaj nga e vetmja kala e tyre në Mesdhe. Materiali kryesor i Koncert në fund të dimrit dhe teknikat narrative të përdorura ngjasojnë dhe nuk ngjasojnë me ato të Dimrit të madh. Varianti epik i Kadaresë për ngjarjet e viteve shtatëdhjetë u jep jetë përsëri disa karaktereve që i kemi njohur në Dimrin e madh: Besnik Struga, Skënder Bermema dhe Marku, të gjithë shtatëmbëdhjetë vjet më të mëdhej dhe më me përvojë. Por romanit nuk i mungon polemika, dhe, për fat të keq, as tonet antikineze. Njëkohësisht, ai përmban mjaft kritikë për shpersonalizimin e individit në kushtet e socializmit. Ashtu si gjetiu, edhe në këtë roman Kadareja pëlqen simbolet dhe i përdor gjerësisht.

Në romanin Dosja H. dy studiues fiktivë irlandezo-amerikanë, Maks Roth dhe Vili Norton, nisen për në malet e humbura të Shqipërisë veriore të paraluftës, me magnetofon në dorë, në kërkim të atdheut të eposit. Të dy folkloristët kanë për synim të hetojnë mundësinë e ekzistencës së një lidhjeje të drejtpërdrejtë midis poezisë homerike dhe këngëve heroike të kënduara nga malësorët shqiptarë me lahutat e tyre. A mos është kjo poezi epike e historike, që akoma këndohet nga shqiptarët dhe sllavët e jugut, avanpost i fundit i eposit homerik? Kjo është një hipotezë që Ismail Kadarenë e ka tërhequr në mënyrë të veçantë. Por ky ekskursion i të dy të huajve i vë disi në mëdyshje autoritetet shqiptare, sidomos nënprefektin e zonës ku kalojnë, i cili, për çdo rast, u qep prapa agjentin e ngathët sekret Dullë Baxhaja për t'i vëzhguar e për t'i raportuar lëvizjet dhe veprimtarinë e tyre. Edhe e shoqja e nënprefektit, Dezi, e cila na kujton figurën e Diana Vorpsit në Prilli i thyer, tërhiqet po aq nga prania e dy studiuesve meshkuj. Në popullatën vendëse lind dyshimi se mos të ardhurit nga jashtë janë vërtet spiunë. Selinë e tyre në Hanin e Rrashtbuallit e bastisin, kurse pajisjen e inçizimit, me zërin e fshatarëve e shkatërrojnë. Misioni i tyre në Shqipëri merr fund. Dosja H., e cila gjendet në frëngjishte në përkthimin e bukur të Jusuf Vrionit me titullin Le Dossier H (Paris 1989), si dhe në suedishte (Stokholm 1990), në portugalishte (São Paolo 1990), në greqishte (Athinë 1992), në norvegjishte (Oslo 1992), dhe në spanjishte (Madrid 1993), është një satirë po dhe aq e këndshme për dy të huaj të pafajshëm, të cilët mundohen t'i hyjnë e ta kuptojnë tokën shqiptare dhe, në veçanti, për huqet e jetës shqiptare, që shpesh i bëjnë vizitorët e huaj të çuditen: dashuria ballkanike për fjalë e thashetheme, paaftësia administrative, si dhe frika prej fëmije apo dyshimi nga ana e autoriteteve për çdo gjë të huaj. Duke i vendosur ngjarjet në vitet 1930, Kadareja edhe një herë mundi pa rrezikuar t'u japë një goditje anësore prirjeve izolacioniste të vendit të tij dhe ndërhyrjes së pavend të aparatit të Sigurimit në të gjitha sferat e jetës bashkëkohore.

Veprimtaria e Ismail Kadaresë në fushën letrare kurrsesi nuk është mjaftuar me romane, tregime e poezi. Ai është edhe autor sprovash, studimesh letrare, kritikash, përkthimesh dhe përshtypjesh udhëtimi. Studimet letrare, përgjithësisht, nuk kanë qenë po aq të fuqishme sa edhe romanet e tregimet. Autobiografi e popullit në vargje, Tiranë 1971 (Përkth. angl. Autobiography of the people in verse, Tiranë 1987), për shembull, kërkon të zbulojë rrënjët dhe strukturën e legjendave e të poezisë popullore, që aq shumë e kanë tërhequr Kadarenë në prozën e vet, por kurrsesi nuk është e mjaftueshme si studim për letërsinë gojore shqiptare. Në një studim më të shkurtër me titull Mbi eposin e kreshnikëve Kadareja heton, me një masë të konsiderueshme subjektivizmi, prejardhjen e ciklit kryesor të eposit heroik shqiptar të njohur me emrin Këngë kreshnikësh apo cikli i Mujit dhe Halilit. Këngët e kreshnikëve, të cilat ende këndohen me lahutën me një tel në malësinë e Shqipërisë së veriut, janë të lidhura ngushtë në përmbajtje e në formë me poezinë epike të sllavëve të jugut (sidomos boshnjake), duke qenë të dyja me prejardhje të përbashkët. Megjithatë, zanafilla e saktë e tyre është bërë temë debati të tipit jo të rrallë në Ballkan 'Unë isha i pari!'. Studimi i Kadaresë i përkthyer në Tiranë në frëngjishte, serbokroatishte, gjermanishte, turqishte dhe anglishte, ky i fundit me titullin disi çorientues On the lay of the knights, Tiranë 1979, është tejet polemik dhe nuk i bën nder emrit të tij si shkrimtar i rangut botëror.

Më e thellë dhe e studiuar është monografia e gjatë e Kadaresë për dramaturgun grek të lashtësisë Eskili (rreth v. 525-456 para erës sonë) me titullin Eskili, ky humbës i madh, Tiranë 1990. Çfarë ka parë Kadareja te babai i tragjedisë, të cilin e quan "dydimensional: në dritë dhe në hije të përjetshme," e ç'e ka tërhequr atë? Nga të tetëdhjetë pjesët e shkruara prej Eskilit, për këtë apo atë arsye vetëm shtatë kanë shpëtuar në shekuj. Mjafton vetëm ky fakt për t'u lëshuar në krahët e imagjinatës e në hamendje. Si mund të vështrohet e të trajtohet Eskili, që s'është tjetër veçse hija e vetvetes? Si do të dukej bota letrare me të gjitha pjesët e tij dhe a mund të merret me mend bota pa të? Në këtë studim, që gjendet edhe në frëngjishte në përkthimin e Aleksandër Zotos Eschyle ou l'éternel perdant (Paris 1988) dhe në greqishte (Athinë 1988), Kadare i jep jetë së kaluarës dhe, duke u mbështetur në atë pak material që gjendet, përvijon një personalitet bindës për themeluesin e tragjedisë klasike. Diçka nga patosi i Greqisë së lashtë bëhet madje më i kuptueshëm, më i dukshëm, i parë me sytë e fqinjëve shqiptarë. Begatia ekzotike e oborrit mbretëror të Kserksit, ashtu siç është pasqyruar në 'Persët', na kujton atë të përvojës së gjatë të Shqipërisë në duart e sulltanëve të Portës së Lartë një mijëvjeçar më pas, e madje atë të nomenklaturës së Shqipërisë komuniste. Tragjedia e shtëpisë së Atreut në Orestia, vuajtjet e mundimet e pjesëtarëve të veçantë të familjes nga një brez në tjetrin, gjejnë një pasqyrim të shënuar në besën shqiptare, besnikëria absolute ndaj fjalës së dhënë, detyrës dhe

_______________________
L.VETEVENDOSJE!
Feja e Shqiptarit është Shqiptaria
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://www.mjeksia-grup.tk
 

Histori e Letërsisë Shqiptare

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye 
Faqja 6 e 8Shko tek faqja : Previous  1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8  Next

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Mjeksia-Grup ::  :: -